Para 50 vjetësh, kriza e Kubës. Impenjimi për paqen i Gjonit XXIII
Këto ditë bie 50-vjetori i krizës së Kubës, një nga çastet më dramatike të shekullit
XX, kur bota u rrezikua të përfshihej në Luftën III Botërore. Ai, që u impenjua pa
pushim për të zgjidhur krizën bërthamore ndërmjet Moskës e Uashingtonit ishte Papa
Gjoni XIII, ideatori i Koncilit II të Vatikanit, hapja e të cilit përkujtohet po sivjet.
Ati i Shenjtë u dërgoi një letër presidentit amerikan Kenedi dhe atij rus Hrushov,
si edhe bëri një thirrje të fuqishme nga mikrofoni i Radio Vatikanit. Nga kriza e
Kubës, lindi frymëzimi për Enciklikën “Pacem in Terris”, të cilën i Lumi Ronkali e
nënshkroi në prill 1963. Por cilat ishin ngjarjet, që shkaktuan fillimin e krizës? Ishte
22 tetori i vitit 1962. Presidenti amerikan, Xhon F. Kenedi, i flet kombit përmes
televizionit. Lajmi ishte dramatik: anije sovjetike ishin nisur në drejtim të Kubës
për të armatosur bombat atomike të vendosura në ishullin karaibik, vetëm pak kilometra
nga brigjet e SHBA-ve. Në të vërtetë, kriza i ka fillesat më 15 tetor, pasi një avion
spiun amerikan zbuloi praninë e bombave në Kubë. Ishin ditë tensioni tepër të lartë,
bota dukej se po zhytej në humnerën e konfliktit bërthamor. Nga njëra anë, presidenti
amerikan bllokoi krejtësisht ishullin, si të ishte në karantinë; nga ana tjetër, lideri
sovjetik Hrushov dukej se nuk kishte ndërmend të kthehej mbrapsht. Në këtë gjendje,
Papa Gjoni XXIII ndërhyri me të gjithë forcën e tij morale e shpirtërore. Madje, qe
vetë Kenedi, që i kërkoi Atit të Shenjtë të shërbente si urë me Kremlinin, siç kujton
historiani italian Agostino Xhovanjoli: “Presidenti amerikan Kenedi mendonte
se një thirrje e Papës mund ta zhbllokonte gjendjen. Natyrisht, Gjoni XXIII u prek
shumë nga kjo kërkesë: e ndjeu përgjegjësinë që kishte dhe veproi përmes një mesazhi,
një ftese publike për paqen. Pas saj, kriza u zgjidh”. Ai mesazh u lexua me
pasion nga mikrofoni i Radios sonë. Një thirrje e fuqishme, që preku ndërgjegjen e
miliona njerëzve, pa dallim feje: “Paqe! Paqe! Po jua përsërisim sot këtë lutje
solemne. Ne u përgjërohemi të gjithë qeveritarëve të mos e bëjnë veshin shurdh para
kësaj britme të njerëzimit. Le të bëjnë gjithçka që munden, me pushtetin që kanë,
për të shpëtuar paqen. Do t’i kursejnë kështu botës tmerret e një lufte, pasojat e
së cilës nuk mund të parashikohen”. Kriza e Kubës përkoi tragjikisht me hapjen
e Koncilit II të Vatikanit. E gjithë bota i kishte sytë nga Roma e nga Vatikani; e
gjithë bota admironte forcën, me të cilën Papa Gjoni XXIII donte të përtërinte Kishën
Katolike. Ja ç’thotë prof. Xhovanjoli: “Në zemrën e në mësimet e Gjonit XXIII,
Koncili dhe paqja ishin dy tema të lidhura shumë ngushtë. Nëse kujtojmë të famshmin
“Fjalim për Hënën”, shqiptuar në mbrëmjen e 11 tetorit 1962, në të ndihet emocioni
i Papës para një ngjarjeje, e cila i dukej aq e madhe, për shkak të ndikimit të saj
botëror, sa të krijonte risi edhe në planin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, pra,
edhe në planin e paqes”. Përvoja dramatike e krizës së Kubës e bindi edhe
më shumë Gjonin XXIII për urgjencën e impenjimit të të gjithë njerëzve vullnetmirë
për paqen. Nga kjo vetëdije, në prill të vitit 1963, lindi Enciklika “Pacem in Terris”,
gati një testament shpirtëror i të Lumit Anxhelo Ronkali, i cili do të ndërronte jetë
vetëm pas dy muajsh: “’Pacem in Terris’ është një dokument i jashtëzakonshëm,
fryt i një pune mjaft të ndërlikuar. Vetë Papa ndërhyri personalisht në redaktimin
e tij, pikërisht sepse ishte diçka e re, e vështirë për t’u shprehur, por Papa dëshironte
të ishte e qartë për të gjithë”.