Me 23 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin nga Kapestrani.
Gjon Kapestrani ishte 70 vjeç kur, më 1456, u ndodh para portave të Beogradit të kërcënuar
nga ushtria turke. Ishte aty për t'u dhënë zemër trupave të krishtera, i armatosur
vetëm me rruzaren shenjte e me zërin e tij bubullues: "Si duke ecur përpara, ashtu
edhe duke u tërhequr, si duke sulmuar ashtu edhe kur t'ju sulmojnë - bërtiste - thirreni
gjithnjë emrin e Jezusit!". Ky ishte frymëzimi fetar i këtij luftëtari të fesë, sot
Pajtor i kapelanëve ushtarakë, i cili gjithnjë dha mësime me shembull, më parë sesa
me fjalë, edhe atëherë kur iu desh të vinte jetën në rrezik. Sypatrembur, ai luftoi
me të njëjtin guxim kundër padrejtësive, herezive e kundër plagës së tmerrshme të
fajdesë. I lindur në Kapestran, ndërmjet maleve të Gurit të Madh në Itali, më 1386,
djalë i një baroni gjerman e i një gruaje fisnike abruceze, Gjoni, bir i vërtetë i
Evropës, do ta përshkonte kryq e tërthor Kontinentin për t'i shërbyer papës e për
të çuar kudo mesazhin e tij të fesë: nga Italia, në Francë; nga Gjermania në Hungari,
nga Polonia në Ballkan. E sot, në përkujtim të përvjetorit vjetorit të vdekjes
së Shenjtit, në Kapestran të Italisë e në Hungari u përkujtua solemnisht fitorja e
ushtrive të krishtera, të udhëhequra nga Gjon Huniadi e të frymëzuara nga Shën Gjon
Kapestrani në betejën e Beogradit, ku u ndal hovi i hordhive osmane drejt Evropës.