2012-10-22 12:22:21

Sinodi punon për rezultatet përfundimtare. Bilanci i dy javëve, në intervistën me kardinal Betorin


Të krishterët duhet ta dëshmojnë Ungjillin në botë me guxim, duke e kapërcyer frikën me fe e duke qenë të vetëdijshëm se çdo zemër njeriu ka mall për Zotin: ky është thelbi i mesazhit të Sinodit për Ungjillëzimin e Ri, i cili po përgatit rezultatet përfundimtare. Boca e mesazhit hapet me një imazh, që të kujton pikërisht etjen e njeriut për Hyjin: një amforë bosh, e cila pret të mbushet me ujë të pastër jete.RealAudioMP3
Toni i përdorur nga etërit sinodalë është i drejtpërdrejtë, i qartë, i karakterizuar nga bindja se përballimi i sifdave të ungjillëzimit të ri do të jetë një detyrë mjaft e vështirë. Megjithatë, pa pesimizëm, të gjithë, të shuguruar e laikë duhen përfshirë në kumtimin e Ungjillit. Nuk është e nevojshme të shpiken strategji të reja, theksojnë ipeshkvijtë, sepse Lajmi i Mirë i Krishtit nuk është ndonjë prodhim për t’u hedhur në treg. Por, duhen rizbuluar mënyrat e metodat për t’i afruar njerëzit e sotëm me Jezu Krishtin.
Në dokumentin e përkohshëm, i cili do të votohet më pas nga ipeshkvijtë, përmenden disa fusha të rëndësishme, për të cilat tërheq vëmendjen Sinodi: dialogu ndërfetar, veprat e bamirësisë, edukimi dhe ungjillëzimi, që fillon nga vetë anëtarët e Kishës. Për çdo kontinent bëhen sugjerime të veçanta. Vërehet se Kisha gjendet sot përballë problemeve të mëdha, por është e gjallë e jo duke vdekur. Për një bilanc të këtyre dy javëve të Sinodit në Vatikan, të dëgjojmë kryetarin e Komisionit për mesazhin përfundimtar, kardinalin Xhuzepe Betori:
Pavarësisht nga ndryshimi ndërmjet kulturave dhe gjendjeve shoqërore, nuk ka asnjë Kishë kontinentale, që nuk vuri në plan të parë përmasën familjare të përvojës së fesë, si duke e konsideruar familjen vatër, në të cilën feja transmetohet nga brezi në brez, ashtu edhe duke e parë si mjedis, në të cilin, sot, ky transmetim i fesë është në krizë, për shkak të sulmeve të shumëfishta të kulturës, shoqërisë e politikës, kundër familjes.
Sot, familja po e humbet identitetin e vet. Ka familje me prindër të ndarë e të rimartuar… fëmijët vijnë nga martesa të ndryshme. A ka ndërmend Kisha të flasë me këto realitete?
Do të thosha se nuk ekziston e as ka ekzistuar kurrë ndonjë mur ndërmjet Kishës e personave. Për rastet, që përmendët, duhen krijuar hapësira, në mënyrë që, edhe kur nuk është e mundur pjesëmarrja në Kungimin e Shenjtë, këta njerëz ta ndjejnë veten anëtarë të Kishës, të marrin pjesë në jetën e saj, në shërbimin e bamirësisë, apo në veprimtari të tjera. Askush “nuk flaket jashtë” nga bashkësia, për shkak të parregullsisë në gjendjen e tij familjare. Edhe pse, pjesa më e madhe ka nevojë që dikush t’i dëgjojë e t’i përkrahë. E duhet menduar sidomos për fëmijët, që ndoshta, vuajnë më shumë nga këto gjendje.
Cili është mendimi juaj personal për këto dy javë të Sinodit? Na bëni një bilanc të shkurtër…
Para së gjithash, vëllazërimi ndërmjet ipeshkvijve. Ne vijmë nga zonat më të largëta të botës, por takohemi këtu dhe ndjejmë se jemi pjesë e një familjeje të vetme. Edhe pjesëmarrja në ëndrrat, në problemet, në vuajtjet, por edhe në gëzimet e të tjerëve, më duket një përvojë e bukur bashkimi. Pastaj, më ka bërë shumë përshtypje sjellja e Atit të Shenjtë, i cili dëgjon me përvuajtëri, mban shënime me laps, ashtu si çdo ipeshkëv i botës, sepse edhe ai është ipeshkëv i Romës, qendra e bashkimit tonë. Prandaj, kur e shohim aty, bashkë me ne, gati të dëgjojë të tjerët, na bën përshtypje. Ai, që është mësuesi ynë, bëhet, në një farë mënyre, dishepulli ynë, dishepulli i të gjithë neve, që jemi dishepuj të Zotit, për të dëgjuar ç’thotë Shpirti i Shenjtë përmes zërit të secilit prej ipeshkvijve të pranishëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.