2012-10-22 15:56:11

Përkujtimi i të Lumit Karol Vojtila, Papës së Ungjillëzimit të Ri


Sot, ditë e përkujtimit liturgjik të të Lumit Karol Vojtila, Kisha është në festë. Kujton papninë e jashtëzakonshme të Gjon Palit II, karakterizuar, ndërmjet tjerash, nga zelli i zjarrtë në veprimtaritë e gjithanshme, kushtuar Ungjillëzimit të Ri.
Madje ishte vetë Papa polak ai, që e përdori për herë të parë termin “ungjillëzimi i ri”, qysh në vitin e largët 1979, gjatë shtegtimit të tij të parë apostolik në Poloni.
Po kujtojmë disa nga mendimet e Karol Vojtilës, kushtuar sfidës së madhe, që përballon sot Kisha në viset e traditës së vjetër kristiane.
“E ndjej se ka ardhur çasti të impenjohen të gjitha forcat kishtare për ungjillëzimin e ri”: është viti 1990, kur Gjon Pali II ua lëshon këtë kushtrim mbarë besimtarëve. E bën me autoritetin më të lartë, me botimin e Enciklikës “Redemptoris Missio”. Në këtë dokument, Karol Vojtila pohon se "Kishat e krishterimit të lashtë, në sa merren me detyrën dramatike të ungjillëzimit të ri, nuk mund të jenë misionare në gjirin e jo të krishterëve në vende e kontinente të tjera, në se nuk shqetësohen seriozisht për jo të krishterët, në shtëpinë e tyre”.
Jemi në qershorin e vitit 1979: i Lumi Vojtila ndodhet në Poloni, në shtegtimin e tij të parë apostolik. Atje, në sa regjimi komunist kërkon ta zbehë me të gjitha mjetet e mundshme vlerën historike të kësaj ngjarjeje, Papa, në Shenjtëroren e Shenjtes Krygjë të Mogilës, shqipton fjalët profetike: “Nisi ungjillëzimi i ri, që të krijon përshtypjen e një kumtimi të ri, ndonëse, në të vërtetë, është i njëjti. Kryqi qëndron lart, mbi botën, që rrotullohet”.
Gjon Pali II e mbështeti menjëherë impenjimin e ri, ungjillëzimin e mijëvjeçarit të ri, mbi themelin e doktrinës së Koncilit II të Vatikanit. Duke theksuar se të gjithë duhet të merren me këtë veprimtari: ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, laikë. Në mënyrë të posaçme, u bëri thirrje laikëve, rolin e të cilëve e theksoi në Christifideles laici:
“Christifideles laici’ pohon se ungjillëzimi i ri, që u drejtohet jo vetëm njerëzve të veçantë, por edhe të gjitha shtresave të popullsisë, në gjendjet, mjediset, kulturat e tyre të ndryshme, ka për qëllim formimin e bashkësive kishtare të pjekura, në të cilat feja të shpërthejë me vrull e ta realizojë në jetë gjithë kuptimin e zanafillës, bashkimin me Jezu Krishtin e me Ungjillin e tij, takimin e shkrirjen sakramentore me Të, jetën e jetuar me dashuri të krishterë e shërbim”(Fjalim drejtuar ipeshkvijve italianë, më 18 maj 1989).
Në vitet e fundit të papnisë, Gjon Pali II e lidhi ngushtë temën e ungjillëzimit të ri me atë të rrënjëve të krishtera të Evropës. Binom, në të cilin vërejmë përkimin e përkryer ndërmjet Papës së sotëm e Paraardhësit të tij të nderuar:
“Kultura evropiane të krijon përshtypjen e një apostazie të heshtur nga ana e njeriut të ngopur, që jeton sikur Zoti të mos ekzistonte. Atëherë Evropa, nga Lindja në Perëndim, ka urgjencë të madhe për shpresë, që t’i japë përsëri kuptim jetës dhe historisë së saj e të ecë e bashkuar”( Lutja e Engjëllit të Tënzot, 13 qershor 2003).
Në vitet e fundit, Papa, i lodhur e i sëmurë, e kuptoi më mirë se kurrë sa rast i përshtatshëm për dëshmi ungjillore është dinjiteti i njeriut të sëmurë. E kështu, i Lumi Gjon Pali II ia kushtoi Ditën Botërore të të Sëmurit të vitit dymijë, pikërisht temës së ‘ungjillëzimit të ri’. Spitalet, ashtu si çdo shtëpi, në të cilën strehohen njerëz që vuajnë, shkruan Karol Vojtila, janë fusha të privilegjuara për ungjillëzimin e ri, përmes të cilit duhen bërë përpjekje që, pikërisht atje, të jehojë me forcë mesazhi i Ungjillit, burim shprese”.
Fjalët: “E ndjej se ka ardhur çasti të impenjohen të gjitha forcat kishtare për ungjillëzimin e ri”, të Gjon Palit II vijojnë të tingëllojnë aktuale edhe sot, në Sallën e Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar transmetimit të Ungjillit, sidomos në këtë Vit të Fesë!







All the contents on this site are copyrighted ©.