2012-10-22 10:39:45

Lurda dhe lutja për misionarët, në Engjëllin e Tënzot


Dje, pas kremtimit të Meshës, gjatë së cilës shpalli shtatë Shenjtorë të rinj, mendimi i Papës shkoi në Lurdë, ku lumi Gave ka vërshuar, duke hyrë edhe në Shpellën e Dukjeve të Zojës: RealAudioMP3
“Para se ta përfundojmë këtë kremtim, t’i lutemi Asaj që është Mbretëresha e të gjithë Shenjtorëve, Virgjërës Mari, duke menduar edhe për Lurdën, dëmtuar nga vërshimi i lumit Gave, që ka përmbytur edhe Shpellën e Dukjeve të Zojës”.
E pastaj, lutja për misionarët dhe për ipeshkvijtë e mbledhur në Asamblenë sinodale:
“Dëshirojmë sot t’ia besojmë mbrojtjes amtare të Virgjërës Mari misionarët e misionaret, priftërinj, rregulltarë e laikë, që në të katër anët e botës përhapin farën e mirë të Ungjillit. Lutemi edhe për Sinodin e Ipeshkvijve që, në këto javë, po përballon sfidën e ungjillëzimit të ri për transmetimin e fesë së krishterë”.

Mund të jetë interesante të shënojmë se Benedikti XVI kishte veshur sot fanonen, petk i vogël liturgjik i cili, që nga shekulli X, i përket vetëm Papës. Para ditës së sotme, papa i fundit që e pati përdorur, ishte i Lumi Gjon Pali II, në Shën Çeçilia. Para tij, Pali VI e pati veshur në disa raste, gjatë Koncilit.
Kujtojmë edhe se pas kremtimit, e para Engjëllit të Tënzot, në Kapelën e Zojës së Dhimbshme, Papa përshëndeti delegacionet e ardhura nga vende të ndryshme, të kryesuara, në shumicën e rasteve, nga ministra; në rastin e Filipineve, nga zëvendës-Presidenti, Jejomar C. Biany; në rastin e Kanadasë, nga Kryetari i Dhomës së Komuneve, Andrew Scheer; në rastin e Gjermanisë, nga Presidentja e Kuvendit Rajonal të Bavarisë, zonja Barabara Stamm; në rastin e SHBA, nga Ambasadori pranë Selisë së Shenjtë, Miguel H. Diaz. E, së fundi, kujtojmë se në fillim të Meshës u mbartën, me procesion, e u vendosën në elter, reliket e 6 Shenjtorëve e rinj. Munguan vetëm reliket e Pedro Calungsod, trupi i të cilit humbi në ujërat e detit, ku e flakën ata, që e martirizuan.







All the contents on this site are copyrighted ©.