2012-10-19 18:27:30

Thirrje nga Sinodi: të krishterët të ngjallin shpresa të reja, në botën e tronditur nga kriza


T’i rikthehet shpresa botës në krizë: ky është një nga objektivat e ungjillëzimit të ri, që u kujtua sot në Sinodin e ipeshkvijve, në Vatikan. Në qendër të vëmendjes, në Kongregacionin e 17–të të përgjithshëm, ishin relacionet e Grupeve të vogla, me disa propozime konkrete për dokumentet përfundimtare të takimit të madh.

Ndoqën metoda të ndryshme, Grupet e vogla, duke nisur nga paraqitja skematike e problemeve, tek ajo e hollësishme, por të gjithë me një synim të vetëm: të rikthejnë shpresat, në një botë në krizë, në një shoqëri moderne të paqëndrueshme që, megjithatë, e ndjen fort mallin për Zotin. Cili duhet të jetë synimi kryesor i Kishës në këtë mozaik shqetësimesh, por edhe shpresash? Kryesisht, rrëmimi i ndërgjegjes: në se flitet për Ungjillëzimin e ri, pohojnë ipeshkvijtë, kjo ndoshta bëhet sepse të krishterët kanë humbur diçka; diçka, që Kisha nuk ka ditur t’ua japë. Pastaj, për të ungjillëzuar, duhet së pari të jesh i ungjillëzuar! Prej këndej, theksimi i fortë i vënies në plan të parë të Sakramentit të Rrëfimit.
Pikë tjetër me rëndësi të dorës së parë, dialogu: si ai ekumenik, ashtu edhe ai ndërfetar: i pari e bën të besueshëm kumtimin e Ungjillit; i dyti, posaçërisht në se bazohet mbi vetëdijen e thellë të Biblës dhe mbi dëshmitë e jetës, krijon të gjitha mundësitë për përhapjen e Fjalës së Hyjit edhe në vendet me shumicë myslimane.
Nuk mund të mos kujtohet edhe kriza e rëndë që kalon sot familja, vënë në dukje ipeshkvijtë: bërthama e ungjillëzimit duhet mbështetur, duke u dhënë zemër prindërve, që janë katekistët e parë të fëmijëve të tyre e edhe duke ripohuar rëndësinë e Sakramentit të martesës. Në këtë optikë, kanë shumë vend edhe gjyshët e gjyshet, për të cilët këshillohet lektorati biblik. Akoma i hapur, propozimi për shërbimin e katekistëve që, ashtu si të gjithë laikët, duhet të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e ungjillëzimit të ri.
Një vëmendje e veçantë, edhe për politikanët e krishterë: në se janë të patundur në fe, mendojnë ipeshkvijtë, nuk duhet të pranojnë kompromise, por të udhëhiqen nga ndërgjegjja e drejtë e nga vlerat, që nuk mund të shiten e as të blihen në tregjet politike. Në këtë kontekst, edhe ftesa për të rifilluar veprat e drejtësisë e të mëshirës shoqërore, në gjurmët e Doktrinës shoqërore të Kishës, edhe sepse kujdesi për të varfërit e bën të besueshëm kumtimin e Ungjillit, duke krijuar oaza të vërteta të takimit me Zotin.
Propozime më të veçanta, kërkojnë rishikimin e praktikave katekistike e të sakramenteve të para të krishtera si dhe një mision botëror të ugjillëzimit, që mund të nxitet nga vetë Papa, në Vitin e Fesë
Edhe mjetet e komunikimit thirren në shesh të mejdanit nga Sinodi: humbja e kuptimit të shenjtërisë, që ndjehet në veprimtarinë e tyre, çon në krijimin e figurës së shtrembëruar të jetës së krishterë. Përkundrazi, në se përdoren mirë e nga njerëz të përgatitur, mjetet e komunikimit bëhen aleatë të ungjillëzimit, edhe në sajë të përhapjes së figurave, të kuptueshme për të gjithë.
Disa nga grupet e vogla kërkojnë që Sinodi të reflektojë më shumë edhe për globalizimin dhe shekullarizimin, diçka që ndoshta e kërkon një farë mediokriteti i jetës së krishterë; që të sqarohet mirë roli i karizmave dhe i mundësive që i ofrojnë Kishës; që të dëgjohen më shumë të rinjtë e t’i kushtohet më shumë rëndësi mësuesve në qendrat edukative, sepse mund të japin një ndimesë të ndjeshme për ungjillëzimin.
Vihet theksi edhe mbi famullitë, bashkësi të vogla që duhet të krijojnë një rrjet të vërtetë ungjillëzimi, pa harruar se famullitari është shpesh katekisti i parë. Me rëndësi të jashtëzakonshme edhe shembulli i shenjtorëve e i martirëve, si dëshmitarë të besueshëm të kumtimit të Ungjillit si dhe problemi i emigrantëve, që duhet përfshirë në procesin e inkulturimit të Fjalës së Zotit. Duke pasur mirë parasysh se, në fund të fundit, ajo që duhet çuar në botë, është takimi i gëzueshëm me Jezu Krishtin.
Pak para përfundimit të Kongregacionit, Etërit sinodalë ia dhanë fjalën edhe disa dëgjuesve. Në një Sinod, që flet shumë për shekullarët, u tha gjatë diskutimeve, shekullarët u bëjnë thirrje meshtarëve e u thonë: kini guximin të jeni vetvetja, mos shkoni pas mendimit sundues, propozojini pa frikë të vërtetat e fesë. E ne do të ecim pas jush, sepse kemi uri e etje të pashuar për vërtetësi e amshim.
Së fundi, sekretari i përgjithëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, njoftoi se sot u hap një llogari bankare, pranë Institutit për Veprat Fetare (Ior), në të cilën Etërit koncilarë mund të derdhin ofertat e tyre të solidaritetit për Sirinë. Këto kontribute, së bashku me ato të Selisë së Shenjtë, do të dorëzohen nga delegacioni që do të shkojë në Damask, sipas dëshirës së Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.