2012-10-19 18:44:28

Shqipëria feston të Lumen Nënë Terezë


Sot, Shqipëria dhe të gjitha trevat shqiptare janë në festë. Përkujtohet lumnimi i Nënë Terezës, themelueses së Motrave të Bamirësisë, sari i bardhë i të cilave vazhdon të duket në çdo kënd të botës, ku ndjehet nevoja për t’u kujdesur për më të varfërit e të varfërve, për më të fundmit e kësaj shoqërie. Jeta e Nënë Terezës i flet njerëzimit, e mëson atë të ecë në rrugët, që ajo i shkeli për të shuar etjen për Zotin, për të sjellë dashurinë e Krishtit.
Një zemër e pastër është një zemër që shërben.
Një zemër e pastër është e lirë të dhurojë, është e lirë të dashurojë aq sa të dhembë.
Një zemër e pastër sheh Jezusin tek i urituri
Tek i paveshuri, pa shtëpi;
tek njeriu i vetmuar, i padëshiruar, i padashur, lebroz, i alkoolizuar,
i braktisur në rrugë; tek ai që vdes për bukë.
Por nuk është uri veç për bukë; mund të kesh uri për dashuri.
Të jesh lakuriq nuk do të thotë të jesh veç i paveshur, do të thotë të jesh i zhveshur nga dinjiteti.
Të jesh pa çati mbi krye nuk do të thotë veç të mos kesh një shtëpi për të jetuar, do të thotë edhe të jesh i braktisur nga të gjithë, i padëshiruar, i padashur, i lënë mënjanë; e të harrosh kështu se ç’është gëzimi, ç’është nxehtësia e një dore që të përkëdhel.








All the contents on this site are copyrighted ©.