2012-10-19 18:28:49

Leksionet e Nënë Terezës: “Leksioni i Lumnimit”.


Leksioni më i madh, që na dha Nënë Tereza, ishte ai i 19 tetorit 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit, në sa Kisha kremtonte të dielën XXIX gjatë vitit kishtar, ditë misionare botërore. Leksioni i lumnimit, në të cilin Motra e përvujtë e Lume, shqiptare, i foli botës me gojën e Gjon Palit II.
Bashkëkremtuan, me Atin e Shenjtë 43 kardinaj dhe një numër i madh ipeshkvijsh e meshtarësh.
Nga Shqipëria, Shkelqesia e Tij, Imzot Angelo Massafra, asokohe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore dhe Kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, si dhe Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës.
Në delegacionin ekumenik merrnin pjesë përfaqësuesit e Fortlumturisë së Tij, Anastas, Kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë: Shkëlqesia e Tij, Joan Pelushi; i nderuari Atë Luke Alexander Veronis; i nderuari Atë Arben Koroveshi
Në delegacionin ndërfetar të Shqipërisë bënin pjesë përfaqësuesit e Bashkësisë Myslimane Sunnite të Shqipërisë: Shkëlqesia e Tij Haxhi Sabri Koçi, Myftia i Madh, i shoqëruar nga i biri, Qeramet Koçi, Haxhi Zylyftar Dervishi; Haxhi Bujar Mullahi.
Përfaqësues të bashkësisë Myslimane Bektashiane të Shqipërisë: Shk,lqesia e Tij Reshat Sinan Bardhi, Kryetar i bashkësisë; Zoti Kujtim Kadri Ahmataj, Zoti Subi Dedej, Zoti Pëllumb Beqir Kartoshi.
Kishën katolike të Shqipërisë në kremtim e përfaqësonte edhe Monsinjor Dodë Gjergji, asokohe Administrator Apostolik i Sapës, sot Ipeshkëv i Kosovës.
Ndërmjet besimtarëve që i paraqitën dhuratat Atit të Shenjtë, ishte Age Bojaxhiu, mbesa e Nënë Terezës, e bija e të vëllait, Lazrit.

Po e kujtojmë sot, pas nëntë vjetësh, ngjarjen e asaj dite të madhe për të gjithë botën, posaçërisht për shqiptarët, që niste me leximin e një jetëshkrimi, në krye të të cilit theksohej:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit.
Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t'u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për "amshim".
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu "frymëzimin" e ri, "thirrjen brenda thirrjes"... Krishti i zbulonte dëshirën e zemrës së Tij: "Eja, të jesh drita ime"- iu lut - "nuk mund të shkoj vetëm". E i tregoi sa vuante duke parë mospërfilljen ndaj të varfërve, sa i dhimbte, kur mendonte se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë kishte për ta. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t'i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve...
Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza më 1963 themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata ka më se 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja, të jesh drita ime!", u bë Misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e lumnimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.
Kjo ishte jeta e së Lumes, që u kujtua ditën e paharrueshme të 19 tetorit 2003. Ajo, njëzëri me Gjon Palin II, i kujtonte Kishës se duhet të bëhet:
"Më kundruese",
"më e shenjtë",
"më misionare";
duke mësuar në shkollën e Virgjërës Mari, "Yll i Ungjillëzimit".

Gjatë Meshës u lexua lutja e Nënë Terezës, drejtuar Zojës së Bekuar:
“O Shën Mari, ma jep zemrën tënde kaq të mrekullueshme,
kaq të pastër, kaq të papërlyer,
zemrën tënde kaq të mbushur me dashuri e përvuajtëri,
që të më bëjë të denjë ta marr në zemër Jezusin
me anë të Bukës së Jetës dhe ta dua atë ashtu si e do ti
dhe t’i shërbej atij në fytyrat e çpërfytyruara të të varfërve.
O Shën Mari, Nënë e Jezusit, bëhu Nëna ime.
O Shën Mari, Nëna e Jezusit,
më ndihmo që të jem e pastër dhe e përvuajtur si Ti,
sepse dua të jem plot me hir
për Trininë Shenjte, ashtu siç ishe, siç je Ti”.

Pastaj, një porosi e Nënë Terezës:
"Dëshiroj me gjithë zemër ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer.
Ne nuk duhet të kemi frikë ta shpallim dashurinë e Jezusit dhe të duam ashtu si na deshi Ai. Puna që duhet të bëjmë, pavarësisht se e vogël dhe e përvuajtur, duhet bërë në shenjën e dashurisë së Krishtit në veprim. Gëzohuni që Krishti ecën përsëri në botë përmes jush e, nëpërmjet jush, vijon të bëjë mirë.

Po, kush është Jezusi për Nënë Terezën?

Jezusi është Fjala e mishëruar.
Jezusi është Buka e Jetës.
Jezusi është Fjala e gozhduar në Kryq për mëkatet tona.
Jezusi është Flija e flijuar në Meshën Shenjtë
për mëkatet e botës dhe të miat.
Jezusi është Fjala për t’u thënë.
Jezusi është e vërteta për t’u treguar.
Jezusi është Rruga ku duhet ecur.
Jezusi është Drita për t’u ndezur.
Jezusi është Jeta për t’u jetuar.
Jezusi është Dashuria për t’u dashur.
Jezusi është Gëzimi për t’u ndarë me të tjerët.
Jezusi është Paqja për t’u dhënë.
Jezusi është Buka e Jetës për t’u ngrënë.
Jezusi është i Urituri për t’u ushqyer.
Jezusi është i Eturi për një pikë ujë.
Jezusi është i Zhveshuri për t’u veshur.
Jezusi është i Pastrehu për t’u strehuar.
Jezusi është i Sëmuri për t’u mjekuar.
Jezusi është i Braktisuri për t’u dashur.

Mesha arriti njërin nga kulmet me ritin e Lumnimit:

Imzot Lucas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, iu afrua katedrës së Atit të Shenjtë së bashku me Postulatorin dhe i kërkoi që kremtimi të vazhdojë me Lumnimin e Shërbëtores të Zotit, Terezës së Kalkutës:
“Shenjti Atë Papë, kryeipeshkvi i Kalkutës i kërkon (lyp) përvujtërisht Shenjtërisë Suaj të ketë mirësinë ta shkruajë në numrin e të Lumëve Shërbëtoren e Nderuar të Hyjit, Terezën e Kalkutës!”.
E, pasi u rikujtuan disa të dhëna biografike të Shërbëtores së Hyjit, të gjithë u ngritën në këmbë. Vetëm Ati i Shenjtë, i ulur, shqiptoi solemnisht
FORMULËN E LUMNIMIT
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.
Pranë elterit u vendosen reliket e së Lumes së re, ndërsa Kryeipeshkvi i Kalkutës falënderonte Atin e Shenjtë, me fjalët: “Atë i Shenjtë, Kryeipeshkvi i Kalkutës falënderon Shenjtërinë Tuaj, që e shpallët sot të Lume, Shërbëtoren e nderuar të Hyjit, Terezën e Kalkutës” e Bazilika vigane tundej nga tingujt e Këngës së Lumnisë (Gloria).

Po kujtojmë fjalët më domethënëse të Gjon Palit II në homelinë e kësaj Meshe që do të mbetet në kujtesën e kombit shqiptar ndërmjet meshëve solemne, që lidhen ngushtë me historinë e tij:

...“Kush dëshiron të jetë i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj" (Mk. 10. 43). Me emocion të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhembje”. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill i gjallë. Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjn. 19: 28), që shpreh dëshirën e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës së Nënë Terezës; u bë forcë e brëndshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër.

“Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezërve të mi, ma keni bërë mua” (Mt. 25, 40). Kjo pjesë e Ungjillit, kaq e rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve, ishte baza e bindjes së saj, e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve, prekte Korpin e Krishtit. Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes së mjerë të të varfërve më të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajtë, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet për vetë Jezusin....
6. “Na e jep o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!" Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe Nënë Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore i përsëriti Zotit të vet. "Në Ty, në Ty shpresoj, Zoti im!"
Pak para përfundimit të këtij emisioni përkujtimor, kushtuar nëntë vjetorit të Lumnimit të Nënë Terezës, po kujtojmë lutjen e Bengalit dhe të Shqipërisë në kremtim:
Lutja në gjuhën indiane:
O Jezu Krishti, që u bëre i ngjashëm me ne, dëgjoje britmën e njerëzimit që vuan e shtypet. Duke të ndjekur Ty, Nënë Tereza e Kalkutës u përkul pranë të gjithë vëllezërve e motrave, të plagosur në korp e në shpirt.
Bëj, o Zot, që ta shikojmë në çdo fytyrë njerëzore fytyrën tënde, të shpërfytyruar nga vuajtja, nga keqtrajtimet e nga dhuna, të torturuar nga shtypja, të fyer nga braktisja; kështuqë me mikpritjen e buzëqeshjen tonë, t'u përçojmë të gjithëve rrezet e dashurisë sate.
Lutja shqip:
Jezusi ka ardhur për të shërbyer, jo për të qenë i shërbyer. Zoti i frymëzoftë udhëhqësit e kombeve, të cilët me mirënjohje u përkulën para Nënë Terezës, për shërbimin e saj ndaj të varfèrve, ta kenë për zemër të mirën e njerëzimit, të mos mbrojnë interesa të partijake e vetjake, por të përpiqen për mirëqenien e të gjithëve, për paqen botërore, në drejtësi e respektim të çdo personi e të çdo populli.


Në përfundim të këtij emisni përkujtimor, ftesa, me të cilën Gjon Pali II mbyllte homelinë e Meshës, me Ritin e Lumnimit:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.