2012-10-18 14:36:11

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa e parë


Jo më larg se dje, Papa Benedikti XVI filloi një cikël katekizmi për Vitin e Fesë, duke u përqendruar tek “Besojma” e krishterë. Çdo katolik e mëson këtë lutje nga prindërit, apo në Kishë. Por, siç e theksoi edhe Papa, a e dimë mirë se ç’do të thotë? A e kuptojmë “Besojmën”, apo e recitojmë atë, si të ishte ndonjë poezi e mësuar përmendësh dhe aq? Sot, do të fillojmë të flasim pikërisht për “Besojmën”, duke e shpjeguar fjalë për fjalë.
“Besojma” e krishterë mund të thuhet në formën nikeno-kostandinopojane, që shqiptojmë gjatë meshës, ose në formën e Apostujve. Kjo e fundit është përmbledhja e fesë së Apostujve, ashtu siç përshkruhet në Ungjill. E para është fryt i dy Koncileve Ekumenike, atij të Nikesë, në vitin 325 dhe atij të Kostandinopojës, në vitin 381. “Besojma”, quhet kështu nga fjala e parë “Unë besoj” dhe përmbledh dëshminë e fesë së të gjithë të krishterëve. Pikërisht për këtë, quhet edhe simbol i fesë.
Në Katekizmin e Kishës Katolike shkruhet: “Simboli i fesë(besojma) nuk u hartua sipas opinioneve njerëzore, por përbëhet nga mbledhja e pikave kryesore, të zgjedhura nga Shkrimi i Shenjtë, në atë mënyrë sa të jenë doktrinë e plotë e fesë. E, ashtu si fara e sinapit përmban në një kokërr të vogël shumë degë, ashtu edhe kjo përmbledhje e fesë ka brenda të gjithë dijen për dashurinë e vërtetë, që e gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër e të Re”. Por le ta shohim “Besojmën”, fjalë për fjalë:

Fillohet me një folje, e cila presupozon kryefjalën “unë”. Kjo tregon se “Besojma” nuk është thjesht tekst, por një gjest feje e jam “unë”, që e bëj, askush tjetër; jam unë, ai që merr përsipër përgjegjësinë për fjalët e mëpasme. Gjatë meshës, jam “unë, ai që u them të pranishmëve se “besoj”…

Kujt i besojmë pra? Sa herë kemi thënë se besojmë, pa menduar se kujt i besojmë. Por, hapi i parë i të qënit të krishterë, është të jesh “besimtar”. Nuk është pak, shumë njerëz e deklarojnë veten ateistë, pra, nuk besojnë në asgjë. Tani, me këtë frazë, themi se besojmë në Zotin. Por edhe këtu lind pyetja: në cilin Zot? Sidomos në kohët e sotme, dëgjojmë shpesh: “Sipas meje Hyji është….”, ose “Për mua, Zot do të thotë…”. Pastaj, ka njerëz, që besojnë në shumë Zota. Të krishterët besojnë në një Zot të vetëm, pra, janë monoteistë. Ndokush na akuzon për të kundërtën, pasi ne besojmë në Trininë Shenjte, por nuk duhet harruar se ne besojmë në një Zot të vetëm, në tri Vetje të barabarta, që dallohen ndërmjet tyre: Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë.

Ne të krishterëve na duket e natyrshme ta quajmë Hyjin, Atë, por pak e dinë se asnjë fe tjetër nuk merr guximin ta quajë Zotin në këtë mënyrë. Shpesh Hyji shihet si diçka fort e largët, madhështore, hyjnore, madje i tmerrshëm… gjithsesi, një Vetje, që jeton diku lart. E ne, pse e kemi marrë këtë guxim? Nuk do të kishim guxuar as ne, nëse Jezu Krishti nuk do të na e kishte zbuluar. Ungjilli i Shën Gjonit është poezi prekëse për marrëdhëniet e Atit Qiellor me Jezusin. “Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka”, thuhet në kapitullin III(35). E ky Atë është i gjithpushtetshëm, pra mund të bëjë gjithçka. A mund të bëjë edhe keq, do të pyeste ndokush? Nganjëherë, i krishteri harron se e keqja është mungesa e së mirës: vdekja është mungesë e jetës, sëmundja është mungesë e shëndetit, lufta është mungesë e paqes e kështu me radhë. A mund të bëjë Zoti i gjithpushtetshëm diçka të mangët? Jo, përndryshe nuk do të ishte i gjithpushtetshëm.

Emër i bukur, ky, për Zotin! Ai ka krijuar çdo gjë, Ai është i amshuar, gjithçka tjetër vjen prej Tij. As natyra, në të cilën pothuaj të gjithë shohim Zotin, nuk është hyjnore në vetvete, është krijuar prej Hyjit, siç përshkruhet në faqet e bukura të Librit të Zanafillës, në një formë letrare, që duhet kuptuar e interpretuar si botëkuptim i një epoke e jo fjalë për fjalë. Natyra është pasqyra e Zotit. Nëse ajo është kaq e bukur, sa të mbetemi gojëhapur para saj, po Krijuesi i saj si do të jetë?

Asnjë nga sendet nuk përjashtohet, madje edhe ato, që nuk shihen, shpirtrat e, edhe format e tjera të jetës, që mund të gjenden kudo në hapësirën kozmike… edhe ato janë krijuar nga Zoti, në të cilin besojmë.
Kjo, të dashur dëgjues, është pjesa e parë e “Besojmës”. Hapi tjetër është kalimi nga Hyji Atë tek Hyji-Bir, por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.