2012-10-18 14:34:28

Sinodi inkurajon lëvizjet kishtare. Papa thërret, në qershor, të gjithë nuncët e botës.


Kisha duhet t’i mirëpresë hiret dhe lëvizjet kishtare, duke i parë si pranverë për ungjillëzimin e ri: kjo nxitje kryesore përshkoi diskutimet e djeshme në Sinodin e ipeshkvijve, që vijon në Vatikan. Prelatët rikujtuan edhe domosdoshmërinë e gjetjes së rrugëdaljes nga kriza ekonomike globale. Gjatë zhvillimit të punimeve, kardinali Bertone njoftoi se, qershorin e ardhshëm, Papa do të mbledhë në Vatikan të gjithë nuncët e botës, për një takim reflektimi, siç pati bërë në Jubileun e vitit 2000. Dje pasdite punimet vijuan me ‘Raportin pas diskutimit”, paraqitur nga kardinali Donald Uërl, kryeipeshkëv i Uashingtonit dhe relator i përgjithshëm i Sinodit.

Pranverë të re për ungjillëzimin e ri: këtë stinë të blertë i sjellin Kishës karizmat apo hiret, lëvizjet kishtare dhe bashkësitë. Po kjo pranverë duhet pritur me krahë hapur, në se duam të gëzojmë, pastaj, edhe frytet e saj, duke i vlerësuar nën shenjën e bashkimit. Sinodi i ipeshkvijve reflektoi mbi këtë temë, duke bërë edhe autokritikë: nganjëherë meshtarët nuk janë të përgatitur në masën e duhur për këtë argument e nuk duan të kujdesen për të, duke vijuar të punojnë në një atmosferë amullie shpirtërore. Prej këndej, karizmat shuhen, ata mbeten vetëm e nganjëherë edhe me tundimin për ta kundërshtuar magjisterin e Kishës. Ungjillëzimi i ri, pra, nuk duhet t’i harrojë hiret e reja. Përkundrazi: duhet t’i shfrytëzojë mirë aftësitë e tyre.

Pastaj në Sinod u prek edhe problemi i mprehtë i krizës ekonomike globale, parë si pengesë edhe për ungjillëzimin e ri, sepse e detyron njeriun të kujdeset vetëm për nevojat e tij jetike, siç është nevoja për të siguruar bukën e përditshme. E në se vijon një situatë e tillë, mendojnë prelatët, kriza shoqërore e kriza e fesë do të ndikojnë fuqimisht njëra mbi tjetrën e kumtimi i Ungjillit do të cënohet nën barrën e rëndë të shqetësimeve ekonomike. Prej këndej, propozimi për krjimin e një strukture financiare, bazuar mbi përvojat kishtare, që vënë në jetë ekonominë e bashkimit dhe kreditin shoqëror. Vetëm kështu, u pohua në Sinod, mund të krijohet një sistem financiar i mbrojtur nga borxhet e në shërbim të njeriut. Kisha duhet të fitojë aftësinë për të zbuluar si mund të përballohet problemi ekonomik në një mënyrë, që e respekton plotësisht ekologjinë e, sidomos, njeriun.
Në të njëjtën vijë, edhe ftesa e Sinodit për të përmirësuar cilësinë e jetës së grave e të fëmijëve, sepse ungjillëzimi i ri do të jetë kuptimplotë vetëm kur t’ia arrijë edhe këtij qëllimi.

Kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në diskutimin e tij, foli për përfaqësuesit papnorë, duke kujtuar rolin e tyre si mbikqyrës të lirisë së misionit të Kishës, që nganjëherë, në vende të ndryshme të botës, kufizohet ndjeshëm. Kjo mbikqyrje, pohoi, nuk ka të bëjë me kërkimin e privilegjeve të vjetëruara, por me garantimin e misionit të Kishës, nga i cili përfitojnë si fetë e tjera, ashtu edhe mbarë shoqëria, falë shërbimit në dobi të paqes e të të drejtave themelore të njeriut. Pastaj Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij njoftoi se, qershorin e ardhshëm, do të mbahet në Romë një takim reflektimi, në të cilin do të marrin pjesë të gjithë nuncët, delegatët apostolikë dhe vëzhguesit e përhershëm, me qëllim që misioni i tyre të përtërihet e të përsoset më tej, për të qenë në lartësinë e kërkesave të kohës.

Sinodi, u kthye, pastaj, tek çështja e ungjillëzimit në vendet me shumicë islamike: në këto vende shpesh herë të krishterët trajtohen si nënshtetas të dorës së dytë, ligjet e kufizojnë lirinë e kultit, dhuna e shpërfytyron dialogun ndërfetar. Por nuk duhet harruar, u shpreh Asambleja, se ungjillëzimi i ri është i mundur edhe në këto vende, posaçërisht falë veprave edukative e atyre të bamirësisë, që e paraqesin Kishën edhe përtej përmasave të saj reale.

Një mjet tjetër kryesor për kumtimin e ri të Ungjillit është famullia: posaçërisht në qytetet e mëdha shumetnike e shumëfetare, ajo duhet ta kapërcejë analfabetizmin e sotëm fetar, ta propozojë Meshën e së dielës si përvojë e thellë e një feje, që besohet, praktikohet, kumtohet. E, mbi të gjitha, famullia duhet ta rindezë zjarrin misionar. Thoshte Gjon Pali II: “Famullia e gjen vetveten, jashtë vetvetes”.

Pasdite, pastaj, Sinodi ndoqi me vëmendje fjalët e delegatëve vëllezër, ndërmjet të cilëve, Metropoliti Hilarion, përfaqësues i Patriarkanës së Moskës, që bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet të krishterëve, për të përballuar sfidat e mprehta e kërcënuese të kohëve tona, ndërmjet të cilave, shekullarizmi e ateizmi, e për t’u bërë ballë së bashku edhe persekutimeve, që vijon të pësojë edhe sot e kësaj dite krishterimi.
Fjalët e tij u mbështetën fort nga delegatët e tjerë vëllezër, të pranishëm në Takimin e madh kishtar: baptistë, metodistë, anglikanë, të gjithë vunë theksin mbi domosdoshmërinë e dialogut ekumenik, parë si mjeti kryesor i ungjillëzimit, duke nënvizuar urgjencën për mbrojtjen e lirisë fetare, që vijon të cënohet në njëmijë mënyra. Ungjillëzimi, theksuan delegatët vëllezër, është arsyeja e ekzistencës së vetë Kishës e suksesi i kumtimit të Ungjillit e bën të besueshëm atë, që ia kumton botës. Prej këndej edhe thirrja për vijimin e veprimtarisë bamirëse dhe të formimit të bashkësive kishtare, për t’ia kumtuar fenë njerëzve, që nuk i përkasin asnjë Kishe.

Etërit sinodalë dëgjuan, në përfundim, dëshminë e vëllait Alois, epror i Bashkësisë së Tezesë, i ftuar i posaçëm në asamble. Në qendër të vëmendjes, ai vuri ekumenizmin e lutjes, që nuk inkurajon tolerancën artificiale, por i hap rrugën dëgjimit të thellë reciprok dhe dialogut të mirëfilltë. Përçarja e të krishterëve është pengesë serioze për transmetimin e fesë, vijoi vëllai Alois, edhe pse të rinjtë kanë gjithnjë prirjen të kërkojnë unitetin. Prej këndej, nxitja që Kishat vendase, famullitë, bashkësitë e grupet të jenë sidomos vende bashkimi, në të cilat besohet në aftësitë e të rinjve, duke mos përjashtuar as më të ligështit e as ata, që nuk janë njëmendjeje me ne.
Shumë rrugë është bërë, pra, por edhe shumë mbetet për t’u bërë, në përpjekjen e përbashkët të të gjitha forcave të krishterimit për ungjillëzimin e ri të kësaj bote, së cilës nuk është e lehtë t’i prish kah Kryqi i Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.