Më 18 tetor kalendari përkujton shën Lukën Ungjilltar.
Luka Ungjilltar, që është edhe autor i “Veprave të Apostujve”, i vetmi nga të katër
ungjilltarët që nuk ishte hebre, njihet si shkrimtar i butësisë së Krishtit. Ndoshta
vinte nga Antiokia e Sirisë, ku kishte marrë kulturë klasike e kishte studiuar për
mjekësi. Ish-pagan, u kthye në fenë e krishterë nën udhëheqjen e Shën Palit, i cili
e quan “Mjek i dashur, shok i shtegtimeve misionare, ngushëllues i burgimeve, kur
të gjithë e kishin braktisur”. Luka Ungjilltar nuk e njohu Jezusin. U bazua kryesisht
në rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, ndërmjet të cilëve ka shumë mundësi
të kenë qenë disa nga gratë që iu përgjigjen të parat Lajmit të mirë, e në radhë të
parë, Maria, Nëna e Krishtit. Luka ndjek me vëmendje fjalët, gjestet, heshtjen e saj.
Ungjillin e shkroi për paganët e kthyer në fenë e krishterë, duke theksuar universalitetin
e shëlbimit dhe dashurinë e posaçme të Jezusit për të varfrit e duke dhënë edhe dëshmi
origjinale për fëmijërinë e Krishtit. Në Ungjillin e Shën Lukës spikasin shëmbëlltyrat
që tregojnë ndjeshmërinë e Zotit për të sëmurët e njerëzit që vuajnë, ndërsa në “Veprat
e Apostujve” përshkruan figurën ideale të Kishës, që nuk heq kurrë dorë nga mësimet
e apostujve. Apostulli-mjek e quan Krishtin ‘mjek universal’, që shëron të gjitha
vuajtjet e njerëzimit, Zot të gjithëpushtetshëm, plot butësi e mëshirë. Sipas gojëdhënave,
Luka duhet të ketë qenë edhe piktor e posaçërisht, autor i shumë portreteve të Zojës
së Bekuar. Gjithnjë sipas gojëdhënave, thuhet se pas vdekjes së Palit, predikoi
në vende ndryshme, jashtë Romës. Në të vërtetë nuk dihet asgjë e saktë për të, pas
fjalëve ‘Vetëm Luka është me mua’ që Shën Pali ia shkroi Timoteut nga burgu. Por Ungjilli
i tij vijon të kumtohet, së bashku me atë të Mateut, të Markut e të Gjonit në mbarë
botën. E me të edhe ‘Veprat e Apostujve’. Në liturgjinë e Fjalës, gjatë Meshës shenjte
që kremtohet thuajse në të gjitha gjuhët e botës, Luka vijon të predikojë edhe në
ditët tona.... Shën Luka, Ungjilltar. Ungjilltar e autor i Veprave të Apostujve,
ungjilli i Lukës vë në dritë universalitetin e shpëtimit e parapëlqimin e Krishtit
ndaj të varfërve. Në Veprat e Apostujve parqet figurën ideale të Kishës, të qëndrueshme
në mësimet e Apostujve.