2012-10-17 19:00:00

Njëqind vjet më parë lindte Albino Luçiani, “Papa i buzëqeshjes”


U përkujtua sot 100-vjetori i lindjes së Albino Luçianit, që u ul në fronin e Shën Pjetrit më 26 gusht të vitit 1978, me emrin Gjon Pali I. Po e skicojmë figurën e Tij, Papë vetëm 33 ditë, për të cilin vijon procesi i Lumnimit, duke u nisur nga fjalët që na la trashëgim.
Motoja e tij ipeshkvnore ishte “Humilitas”, e përvujtëria qe tipari themelor i jetës së Papës buzagaz.
Ndërsa në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, pati theksuar:
“Dje shkova në Sikstinë për të votuar qetësisht. As që do ta kisha përfytyruar atë që po ndodhte... Unë nuk e kam as dijen e zemrës të Papës Gjoni, as përgatitjen dhe kulturën e Papës Pali, e megjithatë, u ula në vendin e tyre e duhet të përpiqem t’i shërbej Kishës. Shpresoj se do të më ndihmoni me lutjet tuaja”.
Përveç përvujtërisë, virtytet të tjera, që duhen vënë në dukje, janë drejtësia dhe dashuria e krishterë. Dashuria e krishterë, nënvizonte Papa Luçiani në audiencën e parë të përgjithshme të 6 shtatorit 1978, është shpirti i drejtësisë:
“Duhet ta duam të afërmin, ashtu si na porosit vetë Zoti. E unë ju këshilloj të kryeni jo vetëm vepra të mëdha dashurie, por edhe të vogla”.
Mëshira e Zotit ishte në qendër të vëmendjes në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 10 shtatorit 1978. Zoti e do çdo njeri, edhe atë, pohonte Papa Luçiani, që ka sëmundjen e shpirtligësisë:
“Zoti na do ne të gjithëve, me një dashuri që nuk njeh perëndim. E dimë: i ka gjithnjë sytë e hapur mbi ne, edhe atëherë kur duket se mbi jetën tonë ka zbritur nata. Është Atë; e edhe më shumë Nënë. Nuk e do të keqen tonë, do vetëm të mirën, për të gjithë”.
Fjalët e shqiptuara gjatë audiencës së përgjithshme të 13 shtatorit 1978 mbeten edhe sot, në këtë Vit kushtuar Fesë, thirrje e fuqishme për çdo njeri:
“Jezusi ka thënë: askush nuk vjen tek unë, në se nuk e tërheq Ati im... Ja, pra, ç’është feja: t’i dorëzohesh Zotit, por duke e shndërruar jetën tënde. Gjë që nuk është aspak e lehtë”.
Në lutjen e fundme të Engjëllit të Tënzot, më 24 shtator 1978, Papa Gjon Pali I la testamentin e tij shpirtëror, sot thellësisht aktual, përshkuar nga thirrja për të qenë zemërbutë e të përvujtë:
”Njerëzia nganjëherë thotë: ‘Jetojmë në një shoqëri krejtësisht të zbrazët, krejtësisht të pandershme’. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk janë shuar akoma të mirët, ka akoma njerëz të ndershëm. Ajo që duhet të mendojmë, është si ta përmirësojmë shoqërinë. Unë them: secili nga ne të përpiqet të jetë i mirë e t’ua ngjitë edhe të tjerëve mirësinë, përplot me butësinë e me dashurinë, që na e mëson vetë Krishti”.Nga Gjon Pali I, “Papa i buzagazit”, mbeten fjalët, gjestet, mësimet. E mbetet e pashlyeshme buzëqeshja e tij, në të cilën pasqyrohen përvujtëria, lutja e mëshira e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.