2012-10-17 17:01:53

Imzot Berçea tregon në Sinod për martirizmin e Kishës në Rumani, nën komunizmin


Prekëse dëshmitë, që dëgjohen në Sallën e Sinodit të Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, i cili vazhdon në Vatikan. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Rumani, të krishterët derdhën gjakun në regjimin komunist, vetëm e vetëm për të mos mohuar fenë në Jezu Krishtin. Dëshminë e martirizimit të tyre e solli në Romë, ipeshkvi i Oradea Mare, imzot Virgjil Berçea. Ta dëgjojmë edhe në mikrofonin tonë:
Duhet të kthehemi tek dëshmia e martirëve tanë në Rumani. Nga viti 1948 e deri në vitin 1964, burgjet e Rumanisë ishin plot: kishte aty katolikë, ortodoksë… Komunistët deshën ta shkatërronin Kishën dhe intelektualët për të kontrolluar pastaj gjithçka. Këta njerëz dhanë jetën për Krishtin: komunistët u munduan të gjenin shumë akuza, por më kot. Këta njerëz u shpallën fajtorë, thjesht, sepse ishin katolikë. A mbërrijmë ta kuptojmë këtë dëshmi të fuqishme sot? Në të vërtetë, nuk janë kaq larg prej nesh, janë akoma gjallë njerëzit, që i kanë njohur.
Po kujtojmë se martiri i krishterë nuk është fanatik, nuk kërkon të vdesë, por pranon vdekjen për të mos ndryshuar bindjet e veta, për të mos mohuar fenë e vet…
Ishin njerëz të mëdhenj; tregonin gatishmëri, mirësi e dashuri të jashtëzakonshme. Kudo ku kanë qenë, janë kthyer në model: madje, arritën ta zbusnin sjelljen e terrorizuesve të tyre… Humbën jetën për dashurinë e Krishtit, jo me arrogancë, por me përvuajtëri e me paqen në zemër, të qetë e të bindur se sjellja e tyre do të sillte jetë e shpresë. Po, sepse në ato çaste, kur gjithçka ishte e zymtë dhe e errët, kur komunistët e kishin shndërruar vendin në një burg të madh, nga i cili nuk mund të dilte askush, kishte nevojë për shpresë. Tani, duke folur për Radio Vatikanin, unë kujtoj kur prindërit e mi, në fshatin e vogël ku jetonim, morën radion e parë. Arritëm të dëgjonim meshën në Radion e Vatikanit. Nëna ime vuri një kryq mbi radio dhe në shtëpinë tonë erdhën shumë vetë. Kështu, para radios ishim si përpara elterit. Në fillim të liturgjisë ngriheshim të gjithë në këmbë; kur lexohej Ungjilli, gjunjëzoheshim. Natyrisht, nuk mund të merrnim Kungimin, nuk kishim meshtar, por vishnim të gjithë rrobat e së dielës: merrnim pjesë vërtet në meshë. Hera e parë, që dëgjova liturgjinë, ka qenë përmes Radio Vatikanit. E ndërsa ne merrnim pjesë në meshën e radios, martirët tanë vuanin pas hekurave të burgut. Ishim të bashkuar në lutje: lutjet e tyre nga burgu e tonat, nën udhëheqjen e Radio Vatikanit. Një ungji im, i cili më pas u bë kardinal, ka qenë 16 vjet në burg; kur u kthye, me flokët e qethura zero, me sytë e dalë, më bëri kaq shumë përshtypje personaliteti i tij! Ishte 1,85 metra i gjatë dhe e patën mbajtur për tre vjet në izolim, në një dhomë një metër për një metër e gjysëm, prandaj duhej të rrinte në këmbë gjithë ditën. Këta martirë liheshin në të ftohtë, në -30°C… Këto gjëra flasin akoma, edhe sot, kalojnë nga goja në gojë: gjaku i martirëve është vërtet fara për lindjen e të krishterëve të rinj.
Ajo që tregoni, na kujton edhe martirët e Shqipërisë e familjet, që dëgjonin fshehtazi Radio Vatikanin, por shtron sfida të rëndësishme përpara mjeteve të komunikimit në përgjithësi…
Janë të rëndësishme: si Radio Vatikan, ju keni bërë mirë e vazhdoni ta bëni. Mendoni, vite më parë, nëna ime na bëri ta njihnim meshën përmes Radio Vatikanit. Tani, ajo është në shtrat, e sëmurë, e Radio Vatikani vazhdon t’i bëjë shoqëri! Dikush e ka quajtur “Kisha e eterit”. Vërtet, e mira që bëni është e jashtëzakonshme: të moshuarit, por edhe të rinjtë, në rrugë apo në makinë, e dëgjojnë radion, kudo në botë… Vazhdojeni punën tuaj e bëjeni me bindje! Edhe ju, përmes Radio Vatikanit, realizoni një vepër të madhe ungjillëzimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.