E Lumja Nënë Terezë: Fjalimi mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel
Me 10 dhjetor 1979 në Oslo kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim
Çmimin Nobel, te Lumes Nënë Terezë iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme.
E Nënë Tereza tregon: "Me që jemi mbledhur të gjithë bashkë, mendoj se,
për të falënderuar Zotin e Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte vërtet e bukur të luteshim
me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, që më mahnit gjithnjë shumë – ne e themi këtë
lutje çdo ditë pas Kungimit, sepse tepër e përshtatshme për secilën nga ne. Më bën
të mendoj se katër-pesëqind vjet më parë, kur Shën Françesku e krijoi këtë lutje,
njerëzit duhet të kalonin po ato vështirësi, që kemi sot, me që na përshtatet kaq
shumë. Mendoj se disa nga ju e kanë me vete, prandaj, të lutemi së bashku. Ta falënderojmë
Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që
na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi u bë njeri, për t’ia
sjellë pikërisht këtë lajm të mirë të varfërve. Ai, edhe pse Zot, u bë njeri në gjithçka,
veç mëkatit, dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta sjellë këtë lajm të mirë.
Lajmi ishte paqja për të mbarë njerëzit vullnetmirë, ishte paqja e zemrës, që e dëshirojmë
të gjithë. Zoti e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vetëm për t’ua bërë njerëzve
këtë dhuratë. E si mund të themi se bëri keq, pse e deshi botën aq, sa të jepte Birin
e vet? E ia dha Virgjërës Mari. E ajo, ç’bëri pastaj? Sapo e ndjeu gjallë, shpejtoi
ta jepte lajmin e, si hyri në shtëpinë e së kushërirës, foshnja - ende e palindur,
në kraharorin e Elizabetës, u drodh nga gëzimi. Ferishtja e palindur qe lajmëtari
i parë i paqes! Njohu Princin e Paqes, njohu Krishtin, ardhur për të sjellë lajmin
e mirë, për mua, për ty. E sikur të mos i mjaftonte që u bë njeri, deshi edhe të vdiste
mbi kryq, për të treguar sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për
ty, për të gërbulurin e për të uriturin, që sillet lakuriq rrugëve jo vetëm të Kalkutës,
por edhe të Afrikës, të Nju Jorkut, të Londrës, të Oslos, e nguli këmbë ta donim njëri-tjetrin,
ashtu si na kishte dashur Ai vetë. Lexohet qartë në Ungjill: “Duajeni njëri-tjetrin,
ashtu si ju desha unë, si ju dua. Ju dua, si më deshi Ati”. E Ati e deshi aq fort,
sa ta dhuronte dhe më fort. E edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin, deri në dhembje.
Nuk mjafton të themi: “Zotin e dua, por jo të afërmin!”. Shën Gjoni të kujton se gënjen
kur thua: “Zotin e dua, por jo të afërmin”. E si mund ta dashke Zotin, që nuk e sheh,
kur nuk e do të afërmin, që e sheh, e prek, që jeton me të e pranë tij? Kështu ka
shumë rëndësi të kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e tillë
deri në dhembje! I dhembi Jezusit, kur na deshi. I dhembi fort. E për të qenë i
sigurtë se do ta kujtonim dashurinë e tij të madhe, u bë Buka e jetës, që të shuante
urinë tonë për dashuri. Urinë tonë për Zotin, sepse u krijuam për këtë dashuri. U
krijuam sipas shembëlltyrës së tij. U krijuam për të dashur e për t’u dashur, e Ai
u bë njeri, që ne të mund të donim, siç na deshi Ai vetë. Është Ai i urituri, i zhveshuri,
i pastrehu, i sëmuri, i burgosuri, i vetmuari, i padashuri, e vijon të na kujtojë:
“Ma keni bërë mua!”. Ka uri për dashurinë tonë, e kjo është uri për të varfërit tanë.
Është ajo uri, që ju e unë duhet ta gjejmë, sepse mund ta kemi edhe në strehën tonë!
Nuk e harroj kurrë mundësinë që pata për të vizituar një shtëpi, ku strehoheshin një
mori pleqsh, të gjithë prindër me bij e me bija, të gjithë të flakur në atë institut
dhe... të harruar! Shkova atje e pashë se kishin gjithçka, gjëra të bukura,
por të gjithë i kishin sytë të mbërthyer tek porta. E nuk pashë asnjë fytyrë të qeshur.
Iu drejtova një motre e i thashë: - Si kështu? Si është e mundur që njerëz, të cilët
i kanë gjitha të mirat, s’bëjnë tjetër, veçse shikojnë portën? E nuk shoh asnjë fytyrë
të qeshur! Jam mësuar t’i shikoj njerëzit tanë të qeshur; madje edhe ata që janë duke
dhënë shpirt, buzëqeshin lehtas. Vdesin me buzë në gaz. E ajo ma ktheu: - Kështu
i ke ditë për ditë, presin e shpresojnë se do të vijë për t’i parë ndonjë prej bijve
a bijave. E ndjejnë veten të plagosur, sepse të harruar, e, shikoni, pikërisht këtu
duhet të trokasë dashuria. Ashtu si troket në shtëpitë tona varfëria, kur harrojmë
të duhemi. Ndoshta në familjen tonë kemi ndokënd që ndjehet i vetmuar, i sëmurë,
i shqetësuar, e këto janë ditë të vështira për të gjithë. A jemi aty? A jemi për t’i
ndihmuar? A është aty nëna, për të dëgjuar fjalën e pathënë të të birit? Çuditem kur
shoh, në perëndim, shumë djem e vajza të droguara dhe e vras mendjen për të gjetur
psenë, pse ndodh kjo? E përgjigjja është: sepse nuk kanë asnjeri në familje që t’i
dëgjojë. Babai e nëna janë gjithnjë të zënë, aq sa të mos kenë kohë deri për fëmijët
e vet. Prindërit e rinj janë në ndonjë zyrë, kur fëmija u bredh rrugëve, gati për
të rënë në ndonjë grackë. E ne jemi duke folur për paqen! Pikërisht këto janë gjërat,
që e rrënojnë paqen, por unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm
i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje
e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës. E lexojmë në Shkrimin Shenjt. Zoti e thotë tepër
qartë: “Edhe sikur nëna ta harronte foshnjën, unë nuk do të të harroj! Të kam skalitur
në pëllëmbë të dorës!”. Jemi të skalitur në pëllëmbën e dorës së Tij, jemi pranë Tij!
E edhe foshnja e palindur është e skalitur në pëllëmbën e dorës së Zotit. E ajo që
më trondit më shumë, është fillimi i kësaj fraze, janë fjalët: “Edhe sikur nëna të
harronte...”. Më duket gjë e pamundur, por megjithatë, edhe nëna mund të harrojë,
na kujton Zoti, në sa unë nuk do të harroj kurrë. Sot për sot, arma më e rrezikshme
kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit tanë na deshën.
Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumkush interesohet për fëmijët
e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të
tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën
e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?! Prandaj
bëj thirrje, në Indi e kudo: “Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë vit,
që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam thënë, kudo
që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i palindur, të duhet.
E sot, që përfundon viti, pyes: “A e kemi dashur çdo fëmijë të lindur a të palindur?”.
Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar
kështu mijëra jetë. U kemi bërë thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve
të policisë: ju lutemi, mos i mbysni fëmijët, i marrim ne. Në çdo orë të ditës e të
natës, është dikush, që ka nevojë për ndihmë. Kemi shumë vajza-nëna: thojuni të vijnë
tek ne, ne do të kujdesemi për fëmijën e tyre, do t’i gjejmë strehë. Kemi kërkesa
të panumërta nga ana e familjeve pa fëmijë, e për ne ky është hir i Zotit. Po bëjmë
edhe një gjë tjetër, shumë të bukur, po u mësojmë lypësve tanë, të gërbulurve tanë,
banorëve të barakave, njerëzve tanë të sokaqeve, metodat e planifikimit familjar. E
vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur 61273 fëmijë
më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u mësuan të praktikojnë
këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me dashuri reciproke. U mësojmë
atyre metodën e temperaturës, që është shumë e bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit
tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di ç’më kanë thënë? Familja jonë është e
shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz
rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që
mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në
ne. Të varfërit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një
ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e pastrisë,
jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”. Sepse nuk është
tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se kemi thënë një frazë
shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta
nuk kanë as strehë, ku të struken. Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj! Një
mbrëmje dolëm e mblodhëm katër vetë, të flakur në rrugë të madhe. Ndërmjet tyre, një
grua në kushte të tmerrshme. U thashë motrave: “Kujdesuni ju për tre të parët, për
këtë, që duket më keq, po kujdesem vetë. U kujdesa me gjithë dashurinë, që kisha në
shpirt. E shtriva butë në krevat e i pashë në fytyrë një buzëqeshje të mrekullueshme.
Ma mori dorën në dorën e saj, që akullohej, e më tha një fjalë të vetme: Faleminderit!
E vdiq! Nuk mund të mos zbrisja në fundin e ndërgjegjes sime atë ças, përball së
vdekurës, e të mos e pyesja veten: “Ç’do të kisha bërë, po të isha në vend të saj?”.
Përgjigjja ishte e thjeshtë. Do të isha munduar të tërheq vëmendjen, do të kisha thënë
se kam uri, kam ftohtë, dhimbje, se po vdes, a ku ta di unë ç’fjalë të tjera. Ndërsa
ajo më dha shumë më tepër, sesa i dhashë: më dha të fundmen dashuri. E vdiq me buzë
në gaz. Ashtu si burri, që e gjetëm në kanal, gjysëm të brerë nga krimbat e e sollëm
në shtëpi. Ai e mbylli jetën me fjalët: “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por
po vdes si engjëll, në krahët e dashurisë e të kujdesit”. Ishte mahnitëse të shikoje
madhështinë e këtij njeriu, që mund të fliste kështu, mund të vdiste kështu, pa akuzuar
kënd, pa mallkuar, pa bërë krahasime. Si engjëll! E kjo është madhështia e njerëzve
tanë. E për këtë ne besojmë se Jezusi ka thënë: “Isha i uritur, isha lakuriq, isha
pa strehë, isha i braktisur, i pa dashur, i pa kujdesur, e ju bëtë gjithçka mund të
bënit për mua!”. Besoj se ne nuk jemi veprimtarë të vërtetë shoqëror. Ndoshta, për
sytë e botës, puna jonë mund të duket si shoqërore, po në të vërtetë ne jemi kundruese,
në zemër të botës. Sepse prekim Korpin e Krishtit njëzet e katër orë në ditë. E kemi
njëzet e katër orë këtë prani, e kështu edhe ju e unë. Edhe ju mund të bëni provë
e ta çoni Zotin në familjet tuaja, sepse familja, që lutet së bashku, është e bashkuar.
E besoj se në familje ne nuk kemi nevojë për bomba e armë atomike, që shkatërrojnë.
Për të sjellë paqen, mjafton të jemi bashkë, të duhemi. Ta çojmë, pra, këtë paqe,
këtë gëzim, këtë forcë të pranisë së Zotit në shtëpitë tona. E kështu do të mund të
fitojmë mbi çdo të keqe, në një botë ku ka shumë vuajtje, shumë urrejtje, shumë mjerim.
Prandaj ne, me lutjen tonë, me flijimin tonë, ta nisim betejën e dashurisë pikërisht
nga shtëpia! Dashuria nis në shtëpi, e nuk ka rëndësi ajo që bëjmë. Rëndësi
ka dashuria, në çdo gjë që bëjmë. I përket Zotit, që është i gjithëpushtetshëm, ta
gjykojë dashurinë me të cilën shërbejmë. Me të cilën i shërbejmë Atij vetë, në njeriun
që vuan. Jo shumë kohë më parë, në Kalkutë, na mungoi sheqeri e nuk e di sesi, po
fëmijët e morën vesh. E një fëmijë nja katër vjeç, fëmijë induistësh, duke shkuar
në shtëpi, u tha prindërve: “Nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap sheqerin
tim Nënë Terezës, për fëmijët e saj”. Pas tri ditësh nëna e babai i fëmijës e sollën
sheqerin në shtëpinë tonë. Nuk i kisha takuar kurrë e fëmija e tyre mezi e shqiptonte
emrin tim, por e dinte mirë ç’kish ardhur të bëjë. Kishte ardhur të dhurojë dashuri.
Edhe ju po më dhuroni dashuri. Që kur erdha këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria
e madhe, që përpiqet të kuptojë gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të
veçantë të gjithë njerëzit e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë
time. Plotësisht në shtëpinë time, këtu, mes jush! Prandaj erdha t’ju flas. Dëshiroj
ta shikoni të varfërin këtu, pikërisht në shtëpinë tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht
këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”.
Kam jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë fëmijë.
Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje me tetë fëmijë,
që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”. Pa e zgjatur, mora ca oriz e
u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet e urisë. Nuk e di nëse keni
parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër shpesh. Pashë edhe të ëmën që e
ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe
ata kanë uri. Po kush ishin ata? Mësova se e kishte fjalën për një familje myslimane.
Me të e kishte ndarë kafshatën e gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar
me fund gëzimin, që buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në
sytë e fëmijëve të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë
dashuri për të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj
që edhe ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam
shumë mirënjohëse. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete
në Indi, ku do të shkoj javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë
tuaj. Me bindjen se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj
Zotin që na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë
jo vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës. E me këtë çmim,
që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë
shtëpi. Sepse besoj që dashuria nis nga shtëpia e se, po të mund të ndërtojmë një
shtëpi për të varfërit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm dashuri. E prej dashurisë,
do të përhapet paqja, lajmi i mirë për të varfërit. Për të varfërit e familjes sonë,
së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës. Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet
të enden me lutje! E ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo,
e ne i ndajmë me Të këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet
e varfëra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e
botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga,
të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar
urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i padëshiruar,
i pa dashur, i trembur, i flakur nga radhët e shoqërisë - si mund ta kënaq? Më duket
tepër e vështirë. Motrat tona po punojnë për këtë tip njeriu, që mund ta quajmë i
varfëri i perëndimit. Njeri, që ka etje e uri për pakëz dashuri! Atëherë ju ftoj të
luteni për ne, që të jemi të afta për t’u bërë ne vetë lajmi i mirë, me bindjen se
nuk mund të realizojmë asgjë pa ju, sepse pikërisht ju duhet t’ju kemi përkrah në
vendin tuaj. Duhet t’i njihni të varfërit. Vërtet këtu njerëzia ka të mira materiale,
ka gjithçka, por mendoj se po të kërkojë nëpër shtëpi, vështirë se do të gjejë një
buzëqeshje të dalë nga zemra. E duhet ta kemi mirë parasysh se buzëqeshja është fillesa
e dashurisë. Të takohemi gjithnjë, prandaj, me buzë në gaz, sepse kur takohemi kështu,
nuk është e mundur të mos bëjmë diçka të mirë. Lutuni, pra, për motrat tona, për vëllezërit
tanë, për bashkëpunëtorët e përhapur në mbarë botën: “Lutuni t’i qëndrojnë përherë
besnikë dhuratës së Zotit, ta duan e t’i shërbejnë në të varfërit, së bashku me ju.
Atë që kemi bërë, nuk do të mund ta bënim, nëse ju nuk do të na kishit ndihmuar me
lutjet tuaja, me dhuratat tuaja, duke dhënë vazhdimisht. Veç nuk dua të më jepni atë
që ju tepron. Nuk dua teprica. Dua dashuri, deri në dhembje. Një ditë më parë mora
15 dollarë nga një burrë, që nuk lëviz fare nga krevati prej njëzet vjetësh. E vetmja
pjesë e trupit, që mund ta lëvizë, është dora e djathtë. Dhe e vetmja gjë, që e kënaq,
është duhani. E pra shi ky burrë më tha: nuk kam tymitur prej një jave, për t’i kursyer
këto para, që po t’i dërgoj. Duhet të ketë qenë një flijim i tmerrshëm për të,
por edhe tepër i bukur. Me paratë e tymit të tij të pashijuar, bleva bukë për të uriturit,
për gëzimin e të dyja palëve: ai dha, të varfërit morën. E kjo është dhuratë e Zotit
për mua e për ju, ta ndajmë dashurinë me të tjerët. E ta bëjmë, si t’ia kishim bërë
Jezusit. Ta duam njëri-tjetrin, si na deshi Ai. Ta duam Atë vetë me dashuri të pandarë.
Ta duam njëheresh Atë e njëri-tjetrin, sidomos tani, që Krishtlindja është kaq afër.
Ta ruajmë gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit në zemrat tona. E ta ndajmë këtë
gëzim me të gjtihë ata që takojmë. E ky gëzim vezullues është i vërteti. Nuk kemi
arsye të mos jemi të lumtur, sepse Krishti është me ne. Është në zemrat tona. Krishti
është në të varfërin, që takojmë; në buzëqeshjen që dhurojmë e që na dhurohet. Të
zotohemi, prandaj që asnjë fëmijë të mos jetë i padëshiruar, e që do ta pranojmë me
buzë në gaz, posaçërisht atëherë kur është tepër vështirë të buzëqeshësh. Pak kohë
më parë jetova një ngjarje, që nuk do ta harroj kurrë. Na erdhën për vizitë rreth
40 profesorë, nga universitete të ndryshme të SHBA-ve. Erdhën në Kalkutë në shtëpinë
tonë. Po flisnin njëri me tjetrin e po thoshin se kishin qenë në shtëpinë tonë ku
strehojmë njerëzit në prag të vdekjes. E kemi një shtëpi të tillë në Kalkutë, ku kemi
mbledhur më se 360.000 njerëz vetëm nga rrugët e qytetit e, nga ky numër i madh, më
se 18.000 vdiqën në paqe me njeriun e me Perëndinë. U nisën për në shtëpinë e Zotit,
pasi erdhën në shtëpinë tonë, ku u folëm për dashurinë, për mëshirën. Si u fola
për këtë shtëpi e për këta njerëz, njëri prej profesorëve m’u lut: - Nënë, ju lutem,
na thoni diçka, që të mund ta kujtojmë. E u thashë atyre: - Buzëqeshini njëri-tjetrit,
kushtojini ca kohë familjeve. Buzëqeshni! E njëri prej tyre, çuditërisht, më pyeti:
“Jeni e martuar?”. Po, ia drodha, dhe shpesh e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit,
sepse nganjëherë kërkon edhe tepër nga unë. Kjo është e vërtetë e prej këndej vjen
dashuria, kur Krishti është kërkues, e ne, megjithatë, mund t’i japim Atij me gëzim.
Po e them këtu se, po s’ shkova në qiell për ndonjë meritë tjetër, sigurisht që do
të shkoj për shkak të publicitetit, sepse më pastroi, më sakrifikoi e më bëri vërtet
të gatshme për të shkuar në Qiell. Mendoj se duhet ta jetojmë bukur jetën tonë, sepse
Jezusi është me ne, Krishti na do. Nëse do të mendonim vetëm se Jezusi na do e se
kemi mundësi t’i duam edhe të tjerët, si na do Ai, jo në gjërat e mëdha, por në të
voglat, të bëra me shumë dashuri, atëherë Norvegjia do të bëhej fole dashurie. E sa
gjë e bukur do të ishte, që pikërisht këtu të na dhurohej një qendër për paqen! Që
prej këtu të delte gëzimi për jetën e fëmijëve të palindur. Nëse ju bëheni dritë,
që digjet në botë për paqen, atëherë vërtet Nobeli për Paqen është dhuratë për popullin
norvegjez. Zoti ju bekoftë!".