2012-10-17 13:48:56

Dom Gjergj Meta: Viti i Fesë, rizbulim i bukurisë së Zotit në jetën e njeriut.


Këto ditë, pikërisht me 11 tetor, Benedikti XVI ka shpallur një vit kushtuar besimit me qëllim që të krishterët katolikë të rizbulojnë besimin e tyre dhe ta shpallin atë. A thua Kisha Katolike e ka humbur besimin? A thua të krishterët katolikë dhe jo katolikë nuk kanë më besim? Theksimi i diçkaje do të thotë se ajo diçka është problematike, pra ka nevojë të vihet në dukje.
Çështja e besimit ka pasur dhe ka një vend të posaçëm në jetën e njerëzve të të gjitha kohërave, qoftë kur pohohet e qoftë kur mohohet, qoftë në jetën e individëve e qoftë në jetën e shoqërive. Por në kohët që po kalojmë, ky besim rezulton problematik në dy nivele, në marrëdhënien e njeriut me të përtejmen dhe shpirtëroren dhe në marrëdhënien me besueshmërisë ndaj institucioneve të besimit. Prej më se 150 vjetësh njeriu modern nuk e merr më si të mirëqenë besimin në Zotin, madje e ka vënë fort në diskutim atë. Aq shumë, saqë duke dashur ta ndajë atë nga jeta publike, për të realizuar ndarjen e sferës laike nga ajo fetare, e ka degdisur edhe nga vetë jeta e tij individuale. Por kjo ka krijuar brenda njeriut edhe një zbrazëti, një shkretëtirë d.m.th. uri dhe etje për një kuptim ekzistencial. Çfarë ka ndodhur në komunitetet e besimit të krishterë që Papa dëshiron të theksojë rikthimin te besimi? Koha moderne e ka goditur edhe kishën shumë, nga brenda dhe nga jashtë. Jo gjithmonë ajo ka qenë në lartësinë e ndryshimeve që kanë ndodhur në shoqërinë njerëzore. Evoluimi që ka ndodhur e ka gjetur kishën shpesh të papërgatitur për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, duke mbajtur të pandryshuar natyrën e besimit të saj dhe esencën e këtij besimi. Pikërisht këtë dëshiron të realizojë një vit i fesë: të jetohet i njëjti besim i përhershëm me një entuziazëm të ripërtërirë në një komunitet, që duke jetuar këtë besim bëhet ai vetë i besueshëm në jetën e shoqërive dhe të njerëzve.
Edhe vendi ynë ka një histori besimi, e në kuadër të kësaj historie, çfarë kuptimi ka për katolikët shqiptarë shpallja e një viti besimi? Historia e shqiptarëve është ngushtë e lidhur me besimin dhe pse kjo lidhje është sui generis, e veçantë në llojin e saj. Zoti në jetën e shqiptarëve ka qenë i pranishëm dhe ata e kanë perceptuar si të tillë, pasi, sikurse të gjithë njerëzit, edhe midis shqiptarëve ndjenja e të përtejmes është shumë e zhvilluar. Ateizmi militant komunist e ndaloi praktikimin e besimit, madje mëtoi me anë të ligjeve dhe propagandës të tregonte e të vërtetonte se besimi është një mbistrukturë e njeriut e, si i tillë, mund të mos ekzistonte e duhej të përmbysej. E kundërta ndodhi në fakt. Zoti u rikthye në jetën e shqiptarëve.
Njëzet vitet e fundit, nëse nga njëra anë janë vitet e një ringjalljeje të besimit, nga ana tjetër janë edhe vitet e një besimi që gjithnjë e më shumë reduktohet në përmasat e jetës private duke e shtyrë Zotin gjithnjë e më shumë jashtë jetës publike. Aq sa, të përmendësh Zotin apo përkatësinë fetare në institucione apo në arsim, krijon menjëherë idenë e prozelitizmit dhe shihet si një vërshim i fetares në kufijtë e laikes. Vite më parë një ambasador i një vendi perëndimor më thoshte se në ambasadën e tij sapo kishte filluar si shef u kishte thënë vartësve se ai ishte katolik dhe se si i tillë do të sillej në ambasadë, pasi nuk mund të jetonte një skizofreni duke qenë katolik në shtëpi e kishë, e laik në punë. Frika e një uzurpimi të besimit ndaj laicitetit ka të bëjë gjerësisht me konceptimin e gabuar të asaj çka është fetare e të asaj çka është laike. Nuk është vendi dhe hapësira për një trajtim të tillë, por sigurisht rikthimi i besimit te njerëzit do të thotë pashmangshmërisht edhe rikthim i këtij besimi në jetën e shoqërisë e ndikimi i tij në zgjedhjet që përcaktojnë fatet e individëve dhe të popujve. Zoti ka të bëjë me botën, e bota me të. E ndoshta për katolikët shqiptarë një vit i fesë do të thotë që ata të jenë të aftë e të vendosur ta risjellin Zotin aty ku janë, punojnë e jetojnë pa frikë se mund të përjashtohen apo paragjykohen qoftë edhe nëse kjo u kushton.
I rikthehem ende diçkaje që përmenda më sipër: krijimi i shkretëtirave ekzistenciale si pasojë e largimit nga Zoti. Sot më shumë se kurrë njeriu ndjen se ka shumë pak siguri rreth vetes, shumë pak gjëra ku të kapet e kjo mungesë mund të krahasohet me shkretëtirën. Njeriu i sotshëm nuk është i qetë, por përjeton një ankth ekzistencial e kjo vërehet qartas në humbjen e disa vlerave që për një kohë të gjatë kanë shoqëruar historinë njerëzore, sidomos atë europiane, sikurse janë konceptimi i jetës, i vdekjes, i besimit në Zotin, familja, martesa etj. Kërkimi i diçkaje të sigurt në këtë shkretëtirë është pikërisht kërkimi i Hyjit. Dua ta mbyll me disa fjali të Benediktit XVI, shqiptuar para pak ditësh: “Në këto dekada ka përparuar gjithnjë e më shumë një ‘shkretim’ shpirtëror. Se çfarë do të thoshte një jetë, një botë pa Hyjin, në kohën e Koncilit (para 50 vjetësh sh.a.) mund të dihej prej disa faqeve tragjike të historisë, por tash, për fat të keq e shohim çdo ditë rreth nesh. Është zbrazëtia e përhapur. Por duke u nisur pikërisht nga përvoja e kësaj shkretëtire, nga kjo zbrazëti, mund zbulojmë rishtas gëzimin e besimit, rëndësinë e tij jetësore për ne burrat dhe gratë. Në shkretëtirë zbulohet vlera e asaj çka është thelbësore për të jetuar; kështu pra në botën bashkëkohore janë të panumërta shenjat, shpesh të shprehura në mënyra të tërthorta apo mohuese, të etjes për Hyjin, për kuptimin e fundëm të jetës. E në këtë shkretëtirë ka nevojë mbi të gjitha për njerëz besimi që me vetë jetën e tyre tregojnë rrugën drejt Tokës së premtuar, e kështu e mbajnë të zgjuar shpresën”.
Dom Gjergj Meta







All the contents on this site are copyrighted ©.