2012-10-17 16:57:42

Audienca e përgjithshme: Papa nis ciklin kushtuar Vitit të Fesë: entuziazëm i ri për kapërcimin e shkëputjes fe-jetë.


Benedikti XVI filloi, sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, ciklin e ri të katekizmit, kushtuar Vitit të Fesë, duke e ndërprerë përkohësisht atë të lutjes, që e vijonte prej kohe. Në një reflektim të thellë, Papa shpjegoi se dëshiron t’i ndihmojë të krishterët për ta kapërcyer shkëputjen ndërmjet fesë e jetës e për të rigjetur entuziazmin dhe guximin e kumtimit, edhe në mjedise shoqërore, që të duket se janë larguar nga çdo vlerë e thellë dhe e vërtetë.

Ishte një herë gëzimi, që buronte nga të qenit i krishterë, freskia e zjarri i kumtimit të parë: Jezusi i Nazaretit, Biri i Hyjit, zbriti mbi tokë e dha jetën nga dashuria për njerëzimin, duke e shpëtuar. Tani, pasi kanë kaluar dymijë vjet, vërejti me realizëm, e jo pa keqardhje, Papa, shumë të krishterë as që e kujtojnë më këtë, që ishte bërthama e kumtimit të parë.
E ja edhe reagimi i Benediktit XVI: të japë ndihmesën e tij personale me një cikël katekizmi, me qëllim që Viti i Fesë ta përtërijë entuziazmin e besimit në Jezusin.
“Nuk është fjala për takimin me një ide a me një plan jete, por me një Vetje të gjallë, që na shndërron thellësisht, duke na zbuluar identitetin tonë të vërtetë, si Bij të Zotit. Takimi me Jezusin i përtërin lidhjet tona njerëzore, duke i orientuar, ditë për ditë, drejt solidaritetit e vëllazërisë më të madhe, në logjikën e dashurisë. Është një shndërrim, që përshkon gjithë jetën tonë, gjithë qenien tonë: ndjenja, zemër, mendje, vullnet, korp, emocione, marrëdhënie njerëzore”.
Feja, pra, ndikon mbi gjithë qenien njerëzore. Por, a e kanë të qartë këtë besimtarët? Apo, pyet Benedikti XVI, është faktor i jashtëm, që ka të bëjë pak e aspak me jetën e përditshme?
Sot ka rëndësi ta ripohojmë këtë qartë, ndërsa shndërrimet kulturore në vijim tregojnë shpesh shumë forma barbarie, duke i paraqitur si fitore të qytetërimit. Ku ka etje për pushtet, për pasuri, ku ka shfrytëzim e shndërrim të tjetrit në mall tregu, për të kënaqur egoizmin vetjak, ku ka arrogancë e egoizëm, njeriu varfërohet, përçudnohet, shpërfytyrohet. Feja e krishterë, vepruese në dashuri, e fuqishme në shpresë, nuk e kufizon jetën, por e bën më njerëzore, madje e bën plotësisht njerëzore”.
Disa nga sjelljet e njeriut modern, të ndikuara fuqimisht nga relativizmi, vërejti Papa, janë fryt i proceseve të shekullarizimit dhe të mendësisë nihiliste, që vijon të përhapet gjithnjë më shumë:
Kështu jeta shpesh jetohet pa e vrarë fare mendjen, pa ideale të qarta, pa shpresa të qëndrueshme, në gjirin e marrëdhënieve shoqërore e familjare të lëvizshme, të përkohshme. Posaçërisht breznitë e reja nuk edukohen me etjen për të kërkuar të vërtetën, kuptimin e thellë të jetës, qëndrueshmërinë e ndjenjave, të besimit. Përkundrazi, relativizmi i çon në një rrugë pa pikëmbështetje; dyshimi e paqendrueshmëria shkaktojnë këputjen e lidhjeve njerëzore, ndërsa jeta jetohet si të ishte eksperiment, që zgjat pak, pa kurrfarë përgjegjësie”.
Kështu e përshkruan Benedikti XVI gjendjen e shumë besimtarëve, përshkrim që nuk është shumë qetësues. Një studim, realizuar në prag të Sinodit për ungjillëzimin e ri, tregon, nënvizoi Papa, se feja jetohet në mënyrë pasive e private, se ka besimtarë që nuk e pranojnë edukimin fetar e, si përfundim, mund të themi se ndjehet një farë shkëputjeje ndërmjet fesë e vetë jetës:
“I krishteri sot nuk e njeh as vetë bërthamën e fesë së vet katolike, Besojmën, duke i lënë hapur udhën një farë sinkretizmi e relativizmi fetar, sepse nuk i ka të qarta të vërtetat, që duhen besuar e veçantinë shëlbuese të krishterimit. Prej këndej buron rreziku i afërt i krijimit të një feje ‘sipas dëshirës’. Ndërsa duhet të rikthehemi tek Zoti, tek Hyji i Jezu Krishtit, duhet ta rizbulojmë mesazhin e Ungjillit, të impenjohemi që të hyjë gjithnjë më thellë në ndërgjegjet tona e në jetën tonë të përditshme”.
E në se duam ta rizbulojmë Jezusin dhe Ungjillin e tij, mënyrën e kemi. Papa e quan këtë mënyrë “formula ekzistenciale e fesë”, në të cilën të vërtetat e transmetuara të fesë janë të pranishme një për një:
“Edhe sot kemi nevojë që Besojma të njihet më mirë, e edhe të përsëritet në lutje. Është e rëndësishme, sidomos, që Besojma të pranohet. Ta njohësh, mund të jetë një veprim thjesht intelektual, ndërsa ta pranosh do të thotë të ndjesh nevojën për të zbuluar lidhjen e thellë ndërmjet së vërtetës, që shpallim në Besojmë dhe jetës sonë të përditshme”.
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, pasi përshëndeti në gjuhë të ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe arabishtja, grupet e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI kujtoi Ditën e sotme Botërore të mospranimit të mjerimit, themeluar nga OKB-ja, duke i nxitur besimtarët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të mbrojnë dinjitetin dhe të drejtat e njerëzve, që detyrohen të durojnë shuplakën e mjerimit, kundër të cilit, theksoi Papa, njerëzimi duhet ta vijojë luftën, deri në fitore.







All the contents on this site are copyrighted ©.