2012-10-16 12:01:52

Në Sinod: sfida e familjes dhe e dialogut ekumenik, për të favorizuar ungjillëzimin e ri.


Në qendër të vëmendjes, në Sinodin e ipeshkvijve, vijojnë të jenë familja dhe dialogu ekumenik, me vlera të dorës së parë për suksesin e ungjillëzimit të ri.
Familja, Kishë shtëpiake, nuk mund të mos jetë subjekt i ungjillëzimit: e tronditur nga ndikimi i historisë perëndimore, bazuar mbi çlirimin nga çdo lloj laku, sot çështja familjare duket si problem numër një i shoqërisë, theksoi Asambleja sinodale, aq sa besohet më shumë në besnikërinë ndaj tifos së ndeshjeve të futbollit, sesa në besnikërinë ndaj kurorës së martesës. E Kisha nuk mund të heshtë; jo sepse është konservatore, pse kërkon të mbrojë një institut të vjetëruar, të papërfillshëm, tashmë jashtë përdorimi, por pse stabiliteti i familjes vë në lojë stabilitetin e vetë shoqërisë. Prej këndej, ftesa për ta vënë familjen në qendër të vëmendjes së politikës, ekonomisë, kulturës, por edhe urimi që Kisha të bëhet ‘familje e familjeve”, edhe, e sidomos, kur është fjala për t’ia mjekuar plagët e shumta, që i janë hapur. Në fund, e këtu pyetja e prelatëve tingëlloi edhe si autokritikë: “Kisha sot është më shumë institucion, apo familje?”.

Jo më pak se familja, në qendër të diskutimeve në Sinod ishte e vijon të jetë edhe çështja e dialogut, rrugë tjetër që duhet përshkuar me sukses për ungjillëzimin e ri. Nga këndvështrimi fetar, paraqet vështirësi serioze, sidomos në ballafaqimin me Islamin, siç është rasti i Pakistanit, ku është në fuqi ligji mbi blasfeminë, ose në Lindjen e Mesme, ku të krishterët vijojnë të pakësohen çdo ditë. Ç’duhet bërë, atëhere? Sinodi vlerëson posaçërisht rolin e të rinjve myslimanë, që po tërhiqen gjithnjë më shumë nga Ungjilli, në të cilin gjejnë gëzim, liri, dashuri. Duke kumtuar përsëri me forcë Lajmin e Mirë, shpjegojnë ipeshkvijtë, mund të shmanget edhe konfuzioni ndërmjet shekullarizimit e krishterimit, tejet i përhapur në botën myslimane.
Me këtë sy shikohet edhe roli i një shkolle katekizmi për të rritur, që shqetësohet seriozisht për të rinjtë. Katekistët e rritur mund të bëhen dëshmitarë e kumtues të fesë, mendojnë Etërit sinodalë, e mund t’ua kalojnë, kështu, edhe vetë meshtarëve.

Në frontin ekumenik, sfida nuk është më e lehtë: përçarja ndërmjet të krishterëve nënvizohet në Sinod, duhet konsideruar, pa asnjë dyshim, si pengesa më e madhe në veprimtarinë për ungjillëzimin e ri. E nuk është ashtu krejt pa faj, kur flitet për çkristianizimin e Evropës si dhe për ligështinë e saj të sotme politike e kulturore. Bashkëpunimi më i ngushtë dhe strategjia baritore e bashkërenditur ndërmjet katolikëve me ortodoksëve, do të ishte mburojë e vërtetë përballë sulmit të shekullarizimit, por edhe sinjal i fuqishën për Islamin.

Ndërmjet propozimeve të tjera, që po bëhen për të favorizuar ungjillëzimin e ri, është edhe nxitja e shtegtimeve, si çaste të rëndësishme për freskimin e fesë dhe përkimin e Kishës me pyetjet e përhershme të zemrës njerëzore, në shtegtim të vazhdueshëm kah caku i mbramë.Së fundi, si sinjal i sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, imzot Eteroviç, mbrëmë Etërit sinodalë ndoqën filmin “Këmbanat e Evropës”, prodhuar nga Qendra Televizive e Vatikanit, së bashku me institucione të tjera. Filmi është një shtegtim feje nëpër udhët e Evropës, edhe përmes disa intervistave të reja, ndërmjet të cilave, një intervistë e Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.