2012-10-16 14:53:48

Benedikti XVI: kemi një “pranverë të re të krishterimit”. Intervistë e Papës për filmin “Bells of Europe”


Mbrëmë, pas sesionit sinodal, një numri etërish të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Ungjillëzimin e Ri iu paraqit filmi “Bells of Europe – Këmbanat e Evropës”. Në qendër të tij janë marrëdhëniet ndërmjet krishterimit, kulturës evropiane dhe së ardhmes së kontinentit. Filmi përmban pjesë nga një sërë intervistash ekskluzive me personalitetet më të mëdha fetare të krishtera si Papa Benedikti XVI, Patriku ekumenik Bartolomeu I, Patriku i Moskës Kirill, kryeipeshkvi i Kanterburit Rouan Uiliams, ish-presidenti i Federatës së Kishave Ungjillore në Gjermani Huber dhe personalitete të tjera të politikës e të kulturës. Filli, që përshkon e lidh krejt filmin, është tingulli i këmbanave anekënd kontinentit dhe procesi i ndërtimit të një këmbane në fonderinë e lashtë të Anjonit. Muzika është realizuar me pjesë nga kompozitori i famshëm eston Arvo Pert, i cili, në intervistën e vet për filmin, shpjegon si është frymëzuar nga tingulli i këmbanave. Realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit, sipas idesë së atë Xhermano Maranit, me mbështetjen e institucioneve të ndryshme, ndër të cilat Fondacioni Gregoriana, filmi është tani në dispozicion të RAI Cinema, kanalit kinematografik të Radiotelevizionit Italian, i cili ka të drejtat e autorit për transmetimin e tij televiziv dhe për prodhimin e kasetave video për përdorim shtëpiak. Pjesëmarrësve të Sinodit iu shpërnda një dosje me tekstet e plota të intervistave, në italisht e në anglisht. Natyrisht, ju sinjalizojmë intervistën e gjatë të Atit të Shenjtë, Benediktit XVI, të cilën po jua propozojmë sot:
Pyetje: Shenjtëri, në Enciklikat tuaj, Ju propozoni një antropologji të fuqishme: njeriun, në të cilin banon dashuria e Zotit; njeriun, që i zgjeron horizontet e arsyes me përvojën e fesë; njeriun, me përgjegjësi shoqërore falë dinamikës së bamirësisë, marrë e dhuruar sipas parimeve të së vërtetës. Shenjtëri, pikërisht në këtë horizont antropologjik, në të cilin mesazhi ungjillor larton të gjitha elementet e denja për njeriun, duke pastruar mbeturinat, që e mjegullojnë fytyrën e njeriut, të krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Zotin, Ju keni theksuar disa herë se ky rizbulim i fytyrës njerëzore, i vlerave ungjillore, i rrënjëve të thella të Evropës na jep arsyet e shpresës së madhe për kontinentin evropian e jo vetëm. A mund të na i shpjegoni këto arsye të shpresës suaj?
Përgjigje: Arsyeja e parë e shpresës sime qëndron në faktin se dëshira për Zotin, kërkimi i Hyjit është thellësisht i shkruar në çdo shpirt njerëzor e nuk mund të zhduket. Sigurisht, për një farë kohe, mund të harrohet Zoti, mund të mënjanohet, mund të merremi me gjëra të tjera, por Zoti nuk zhduket kurrë. Është e vërtetë ajo, që thotë shën Augustini: ne njerëzit nuk jemi të qetë derisa të mos e kemi gjetur Hyjin. Ky shqetësim ekziston edhe sot. Është shpresa që njeriu, sërish, edhe sot, të vihet për udhë drejt këtij Zoti. Arsyeja e dytë e shpresës sime qëndron në faktin se Ungjilli i Jezu Krishtit, feja në Krishtin është thjesht e vërtetë. Dhe e vërteta nuk plaket. Edhe ajo mund të harrohet për një farë kohe, mund të gjejmë gjëra të tjera, mund të mënjanohet, por e vërteta si e tillë nuk zhduket. Ideologjitë e kanë kohën të kufizuar. Duken të forta, të papërmbajtshme, por pas një farë periudhe konsumohen, nuk kanë më forcë në vetvete, sepse u mungon e vërteta e thellë. Janë grimca të së vërtetës, por në fund të fundit, konsumohen. Ndërsa Ungjilli është i vërtetë, prandaj nuk konsumohet kurrë. Në të gjitha periudhat e historisë shfaqen përmasa të reja të tij, duket krejt risia e tij në përgjigjen ndaj kërkesave të zemrës e të arsyes njerëzore, e cila mund të ecë brenda kësaj së vërtete dhe të gjejë vetveten. Prandaj, pikërisht për këtë, jam i bindur se kemi një pranverë të re të krishterimit. Një arsye tjetër, empirike, e shohim në mënyrën si punon ky shqetësim mbi rininë. Të rinjtë kanë parë shumë gjëra – ofruar nga ideologjitë e nga komunizmi – por e kuptojnë sa bosh janë ato, sa të pamjaftueshme janë. Njeriu është krijuar për amshim. Gjithçka që mbaron është tepër pak. Prandaj, shohim si, në brezat e rinj, ky shqetësim zgjohet sërish e ata vihen për udhë, duke zbuluar kështu përsëri bukurinë e krishterimit. Një krishterim jo me çmime të ulta e as me zbritje, por radikal dhe i thellë. Mua më duket se vetë antropologjia na thotë se krishterimi do të rizgjohet sërish e gjithmonë e faktet e konfirmojnë këtë me një fjalë të vetme: baza të thella. Ky është krishterimi. E vërteta ka gjithnjë të ardhme.
Pyetje: Shenjtëri, Ju keni theksuar disa herë se Evropa ka e vazhdon të ketë një ndikim kulturor mbi njeriun e nuk mund të mos e ndjejë veten veçanërisht përgjegjëse, jo vetëm për të ardhmen e vet, por edhe për atë të mbarë njerëzimit. Duke parë drejt horizontit, a është e mundur të përvijohen konturet e dëshmisë së dukshme të katolikëve e të të krishterëve, që u përkasin Kishave ortodokse e protestante në Evropë, nga Atlantiku tek Uralet? Ato, duke jetuar vlerat ungjillore në të cilat besojnë, a mund të kontribuojnë kështu në ndërtimin e një Evrope më besnike ndaj Krishtit, më mikpritëse, më solidare, jo vetëm duke ruajtur trashëgiminë kulturore e shpirtërore që i dallon, por edhe duke u impenjuar në gjetjen e rrugëve të reja për të përballuar sfidat e mëdha të përbashkëta, karakteristike të epokës post-moderne e shumëkulturore?
Përgjigje: Kemi të bëjmë me një çështje të madhe. Është e qartë se Evropa, edhe sot, ka në botë një peshë të madhe, si ekonomike, ashtu edhe kulturore e intelektuale. E, së bashku me këtë peshë, ka edhe përgjegjësi të mëdha. Por, siç e thatë edhe ju, Evropa duhet të gjejë akoma identitetin e vet të plotë për të folur e vepruar sipas përgjegjësisë, që ka. Sipas meje, problemi sot nuk qëndron në ndryshimet ndërmjet kombeve. Janë ndryshime, që falë Zotit, nuk përbëjnë më ndarje. Kombet mbeten e, në ndryshueshmërinë e tyre kulturore, njerëzore, karakteriale, përbëjnë pasuri që plotësojnë njëra-tjetrën dhe bëjnë të lindë një simfoni madhështore kulturash. Në thelb, është një kulturë e përbashkët. Problemi evropian i gjetjes së identitetit më duket ka të bëjë me faktin se në Evropë, sot, kemi dy frymë: njëra prej tyre është arsyeja abstrakte, anti-historike, që synon të dominojë gjithçka, sepse ndihet përmbi të gjitha kulturat. Një arsye, që më në fund, i referohet vetëm vetvetes e që ka si qëllim të emancipohet, pra të largohet, nga të gjitha traditat e vlerat kulturore, në favor të një racionaliteti abstrakt. Vendimi i parë i Strasburgut për Kryqin e Krishtit qe shembull i kësaj arsyeje abstrakte, që dëshiron të emancipohet nga të gjitha traditat, nga vetë historia. Por, nuk mund të jetohet kështu. Për më tepër, edhe “arsyeja e pastër” kushtëzohet nga një situatë e caktuar historike e, mund të ekzistojë vetëm brenda saj. Fryma tjetër është ajo, që mund ta quajmë “e krishterë”, e që ia hap portat të gjitha gjërave të arsyeshme, sepse ajo vetë i ka dhënë guximin arsyes dhe lirinë arsyes kritike, por mbetet e ankoruar në rrënjët, të cilat ndodhen në zanafillën e kësaj Evrope, që i kanë dhënë vlerat e saj, institucionet, këndvështrimin e fesë së krishterë. Siç përmendët edhe ju, kjo frymë duhet ta gjejë shprehjen e përbashkët sidomos në dialogun ekumenik ndërmjet Kishës Katolike, Ortodokse e Protestante e pastaj, duhet të takohet me arsyen abstrakte, pra ta pranojë dhe ta mbrojë lirinë kritike të arsyes në gjithçka mund të bëjë e ka bërë, por ta praktikojë e t’i japë asaj themele, në përkim me vlerat e mëdha të krishterimit. Vetëm me këtë sintezë, Evropa mund të ketë peshë në dialogun ndërkulturor të njerëzimit të sotëm e të nesërm, sepse arsyeja, që largohet nga të gjitha kulturat, nuk mund të hyjë në dialog ndërkulturor. Vetëm një arsye me identitet historik e moral mund të flasë edhe me të tjerët, mund të kërkojë një dialog ndërkulturor, në të cilin mund të hyjnë të gjithë e aty, të gjejnë unitetin themelor të vlerave, që mund t’i hapin rrugën së ardhmes, humanizmit të ri. Ky duhet të jetë qëllimi ynë. E për ne, ky humanizëm lind pikërisht nga ideja madhështore e njeriut si përngjasim e shembëlltyrë e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.