2012-10-15 16:10:09

Thirrje për Malin në Sinod: në veri integralistët duan të imponojnë Sharinë.


Ndërsa Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin e tij dhe mendon për një mision ushtarak në Mali, kriza e rëndë, në vijim, në vendin e Afrikës perëndimore ishte në qendër të lutjeve të Etërve sinodalë. Në mikrofonin tonë, imzot Jean-Baptiste Tiama, ipeshkëv i Sikasso-s, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Malit:

Përgjigje: - Në vendin tonë situata është vërtet dramatike. Nga viti 1992 e deri më sot kemi jetuar në paqe e qetësi, por duke filluar nga janari i vitit 2012, jemi në kushtet e sulmeve islamiste në Veri. E sot fanatikët islamikë kanë shtënë në dorë dy të tretat e vendit e duan të imponojnë ligjin islamik. Kjo i dëmton rëndë fetë e tjera e jo më pak, edhe laicitetin e shtetit. Ushtria, për fat të keq, nuk ka fuqi materiale për t’i bërë ballë situatës. Prandaj kemi nevojë për ndihmë nga mbarë bota, për ta përballuar këtë tension. E përsëris: kemi nevojë për ndihma nga mbarë bota, e sidomos, nga OKB-ja.

Pyetje: - Si po e jeton Kisha gjithë këtë dramë, përkrah popullatës, në një situatë kaq të vështirë?

Përgjigje: - Deri më sot Kisha ka qenë gjithnjë përkrah njerëzve. Veprojmë përmes strukturave shoqërore: shkollave, sidomos Karitasit, që bën shumë për zhvillimin e vendit. Kështu e ungjillëzojmë atë 2,5% të të krishterëve, të pranishëm në vend, duke u përpjekur sidomos, të formojmë laikë e meshtarë. Kemi një Seminar të madh, ku i formojmë meshtarët tanë, për t’i dërguar, pastaj, si misionarë në të gjithë vendin tonë. Veriu i Malit banohet nga një popullsi 100% myslimane. Të krishterët janë të pranishëm vetëm në Jug, ku numri i tyre vjen gjithnjë duke u bërë më i madh. Jemi të kënaqur për këtë që bëjmë, duke pasur parasysh se pagëzojmë vit për vit në kremtimin e Pashkëve. E kjo do të thotë se njerëzit e pranojnë mesazhin e krishterë e kthehen në rrugën e Zotit.

Pyetje: - Ky është ungjillëzimi në Mali, apo jo?
Përgjigje: - Po, mund ta quajmë kështu ungjillëzimin e ri në Mali. Më parë ishin misionarët, që vinin nga jashtë, por tani ia dorëzuan Malin vetë banorëve. Këta po kërkojnë e po gjejnë mjete shpirtërore e njerëzore për të vijuar ecjen në hullinë e ungjillëzimit, duke hapur brazdën e re!







All the contents on this site are copyrighted ©.