2012-10-15 15:46:33

Sinodi në Vatikan: laikët, protagonistë të ungjillëzimit të ri


Të formohen në mënyrë të përshtatshme laikët, të mbështetet familja, të përparojë dialogu ekumenik e ndërfetar: këto janë mjetet e ungjillëzimit, vënë në dukje në Sinodin e ipeshkvijve, që vijon në Vatikan. Në qendër të vëmendjes, në Kongregacionin e sotëm, i njëmbëdhjeti, që u mbajt në praninë e Papës, edhe thirrja për paqe e dialog në Mali.
Është një kohë e trazuar, kjo që po jeton Mali: Sinodi përshkroi vështirësitë shoqërore, politike e edhe kishtare, lidhur me pengesat e ungjillëzimit, në rrethanat e ndeshjeve ndërmjet rebelëve e qeverisë së përkohshme, parë si rrezik serioz edhe për fenë. Prej këndej, prelatët kërkuan paqen dhe ripohuan me forcë rëndësinë e dialogut.
Por, përveç faqeve afrikane, të errëta janë edhe faqet evropiane, në të cilat globalizimi krijon forma të reja martirizimi, pa gjak, por jo pa vuajtje, po të kemi parasysh se vuajtjet shpirtërore janë shpesh më të thekshme se ato fizike. Vuajnë të krishterët në Evropë nga intoleranca, djallëzore, e vazhdueshme. Zoti jo vetëm që mohohet, por nuk njihet fare. Përballë këtij realiteti, ungjillëzimi i ri mund të mbështet mbi tre mjete kryesore, thuhet në Sinod: laikët, familja, dialogu ekumenik e ndërfetar. Laikët duhen formuar në mënyrë të përshtatshme, të qëndrueshme, të fortë, ndoshta edhe përmes sinodeve vendase, në të cilat marrin pjesë drejtpërdrejt e mund të përgatiten në mënyrë që të jenë të aftë të mos i nënshtrohen joshjeve të botës e t’i dëshmojnë vlerat e vërteta, të bazuara mbi fenë, që nuk njeh kompromise. Nuk mund të jesh ose anëtar i Kishës, ose qytetar i botës: të dyja këto përmasa ecin me të njëjtin hap. Prej këndej, anëtarë të Kishës e qytetarë të botës njëheri, duke formuar një rrjet të vërtetë në gjirin e shoqërisë, për t’u lidhur ngushtë me të, sepse pa këtë lidhje, ungjillëzimi nuk mund të sjellë frytet, që priten!







All the contents on this site are copyrighted ©.