2012-10-15 15:46:16

Primati anglikan Uiliams në Sinod: krishterimi është humanizëm i vërtetë


“Krishterimi është humanizëm i vërtetë”: kështu tha Primati i Bashkimit Anglikan, Rouan Uiliams, kur foli në Sinodin për Ungjillëzimin e Ri, që po vazhdon në Vatikan. Në praninë e Papës, kryeipeshkvi i Kanterburit theksoi rëndësinë e ekumenizmit, duke nënvizuar se ndarjet i bëjnë të krishterët më pak të besueshëm. Ungjillëzimi i vërtetë, pohoi ai, përfshin gjithnjë gëzimin e bashkimit ndërmjet të krishterëve, që e bën Fjalën e Zotit më tërheqëse për njeriun e sotëm. Primati anglikan foli shumë pozitivisht për Koncilin II të Vatikanit, çast, në të cilin Kisha Katolike ndjehej aq e fortë, sa të diskutonte pa frikë për përshtatjen e strukturave të saj me kohët moderne. Pikërisht për rëndësinë e Koncilit, në 50-vjetorin e hapjes së tij, flet në mikrofonin tonë vetë kryeipeshkvi Rouan Uiliams:
Ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë isha adoleshent, kur filloi Koncili: isha anglikan praktikant dhe mendoj se kjo ngjarje pati një ndikim jo të zakonshëm mbi mua e të tjerët. Qe tërheqëse dhe e çuditshme, por sigurisht, hapi një rrugë të re për të gjithë. Mund të shihnim ç’po ndodhte. Në vend të një institucioni të mbyllur në vetvete, shihnim se Kisha Katolike e Romës ishte e tejdukshme e kjo transparencë, thellësisht e lidhur me Papën Gjoni XXIII, qe dhuratë për të gjithë të krishterët, u bë diçka, që duhej ruajtur e mbrojtur fort. Mendoj se pikërisht për shkak të Koncilit II të Vatikanit, edhe Kishat e tjera filluan t’i rishikonin mënyrat e veprimit, sidomos pas reformave liturgjike. Pra, qe jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë.
Koncili II i Vatikanit i dha shumë rëndësi ekumenizmit, por me kalimin e kohës, disa vështirësi dolën sërish në pah. Ç’mendoni për to, ju vjen keq, që ndodh kështu?
Nganjëherë po, më vjen keq. Por, nga ana tjetër, nëse e hedh vështrimin pas, në vitet ’60, më kujtohet se atëherë, ne besonim se gjithçka ishte e mundur, në kuadrin e Kishës, të politikës, të marrëdhënieve ndërkombëtare… kishte një farë nxitimi e edhe mendjelehtësi. Por duhet thënë se në vitet ’50, kur isha fëmijë, për ne ishte e pamundur edhe të mendohej se mund të luteshim së bashku me katolikët e Romës, siç bëjmë sot, prandaj, duhet të jemi krenarë për zhvillimin, që morën punët. Tani e kemi kuptuar se në një farë mënyre, i përkasim njëri-tjetrit, e s’mund të kthehemi mbrapa. Do të ishte mrekulli të bënim hapa më të mëdha përpara, më konkrete.
Ekumenizmi është një nga përparësitë e Kishës së Anglisë, pavarësisht se brenda saj ka probleme, madje të rënda…
A jemi të interesuar për bashkimin në Kishë? Natyrisht që po, duhet të jemi. Çështja e vërtetë është ç’do të thotë të jemi Kishë e Zotit. Kjo është pyetja që bëjmë brenda familjes anglikane e kjo është pyetja, që duhet t’i bëjnë vetes edhe të krishterët e tjerë.
Një nga çështjet në qendër të debatit anglikan ka të bëjë me gratë ipeshkëv. Si parashikoni se do të zgjidhet ky problem?
Do të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë Kishën e Anglisë. Gjatë muajve të fundit, ipeshkvijtë po punojnë për të gjetur një ekuilibër, i cili të jetë mjaft bujar me pakicën dhe mjaft i qartë në parimet për t’u ndjekur, në mënyrë që askush të mos largohet nga bashkësia.







All the contents on this site are copyrighted ©.