2012-10-15 13:25:28

Nga Sinodi, urimi për një pranverë të vërtetë të krishterë në vendet arabe


Dje, punimet e Sinodit të Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri u ndalën për të festuar ditën e dielë, ditën kushtuar Zotit. Sot, vazhduan diskutimet e përgjithshme të etërve sinodalë. Nga java e kaluar, veçojmë temën e pranisë së të krishterëve në vendet arabe, për të cilën u fol të shtunën pasdite. Pjesëmarrësit uruan që të fillojë një “pranverë e krishterë”, e cila t’i ndihmojë këto vende për të shkuar drejt demokracisë, drejtësisë, lirisë e paqes së vërtetë.
Në Sinod u përmendën sulmet e pajustifikuara kundër të krishterëve në Irak, në Egjipt e në Siri, të cilat e paraqesin në një këndvështrim negativ edhe Islamin e moderuar. Pikërisht për këtë, duhet nxitur dialogu ndërfetar, sidomos përmes dëshmisë në jetën e përditshme. Edhe sepse – u vu në dukje në Sinod – mjafton një ditë për t’u bërë mysliman e nuk është e lehtë të heqësh dorë nga kjo fe, ndërsa kursi i katekizmit zgjat mesatarisht tri vjet, por të pagëzuarit e harrojnë shpejt Kishën Katolike. Kjo do të thotë se feja e tyre është emotive dhe e sipërfaqshme.
Etërit sinodalë shikojnë me shpresë të rinjtë. Ata janë ungjillëzuesit e rinj, sidomos ndërmjet bashkëmoshatarëve. Por, duhen mbështetur nga familja, e cila është një kishë e vërtetë shtëpiake: kush ka fëmijë, ka shpresë, thanë ipeshkvijtë, duke kritikuar numrin e ulët të lindjeve në Evropë, ku ka hyrë virusi i frikës për të ardhmen.
Ungjillëzimi i ri, u tha më pas në Sinod, duhet të ketë parasysh bashkësitë kishtare të bazës dhe katekistët, mbi të cilët duhet të mbështetet, sidomos aty ku mungojnë meshtarët. Për ta, ipeshkvijtë kërkuan kushte më të mira pune, vlerësimin më të madh të impenjimit të tyre, por sidomos, njohjen e punës së tyre si shërbim i përhershëm në Kishë. Një rëndësi të veçantë, në dritën e mësimeve të Papës, marrin edhe seminaret, të cilat duhet të jenë më autonome nga pikpamja ekonomike. Ipeshkvijtë kërkuan kujdes të veçantë për çiftet e ndara, që shpesh e ndjejnë veten të pakuptuara nga Kisha e të mënjanuara. U duhet kujtuar atyre se janë gjithnjë në zemër të Kishës.
Së fundi, Asambleja sinodale vuri theksin në lidhjen ndërmjet fesë e bamirësisë. Vetëm nëse ecin së bashku, feja nuk do të mbetet abstrakte dhe bamirësia nuk do të jetë thjesht filantropi.







All the contents on this site are copyrighted ©.