Më 15 tetor kalendari kujton shën Terezën e Avilës
Sot më 15 tetor Kisha kremton përkujtimin e Shën Terezën e Jezusit, mistikën e madhe
spanjolle Tereza de Cepeda y de Ahumada,që lindi në Avilë të Spanjës në vitin 1515.
Pati fatin të njihej së afërmi me Shën Gjonin e Kryqit, i cili u bë këshilltari e
bashkëpunëtori i saj më i ngushtë. Nën drejtimin e Terezës filloi një mision që
dukej krejt i pazakontë për një grua. Themeloi Urdhrin e Karmelitaneve të zbathura,
i cili u përhap me shpejtësi në të gjithë Spanjën e përtej. E kaloi gjithë jetën ndërmjet
vegimeve mistike, ekstazave e veprimtarisë më të zellshme praktike. Pati letërkëmbim
me njerëzit më të shquar të kohës, duke nisur nga mbreti i Spanjës, Filipi II. Në
një nga letrat e saj, shkruan: “Tereza, pa hirin e Zotit, është një grua pa kurrfarë
vlere; me hirin e Zotit, është forcë; me hirin e Zotit e me para, bëhet fuqi”. “Historia
e një jete”, shkruar nga Shën Tereza me këshillin e rrëfyesit të saj, vlerësohet si
një nga librat më të sinqertë e më prekës që është shkruar ndonjëherë. Është historia
një shpirti, që lufton me të gjitha forcat për t’u lartuar drejt Zotit, ndonëse i
duhet të kalojë vështirësi jo të pakta. Prandaj figura e saj bëhet shumë e afërt për
ne, sepse duke qenë si ne, njeri me mish e gjak, arrin përsosurinë ungjillore, të
cilën e dëshiron çdo besimtar. “O Zot i shpirtit tim – lexojmë në “Historinë
e një jete” – Ti, kur shtegtoje këtu në tokë, nuk i përbuze kurrë gratë, përkundrazi,
i ndihmove me mirësi e vërejte se kishin më shumë dashuri e fe sesa burrat. Ti i nderove
para botës, sepse nuk je si gjykatësit e kësaj toke… O Mbreti im, besoj se do të vijë
dita kur të gjithë do të vlerësohen për aq sa vlejnë! Nuk flas për vete. Bota e njeh
mjerimin tim. Flas për kohët që do të vijnë në të cilat besoj plotësisht se nuk do
të ketë më asnjë arsye për t’i nënvleftësuar shpirtrat e forta, plot virtyte, vetëm
e vetëm pse janë gra”. Shën Tereza vdiq në Alba de Tormes natën e 14 tetorit,
pikërisht ndërmjet natës e ditës kur hynte në fuqi Kalendari Gregorian, prandaj të
nesërmen ishte data 15 tetor e vitit 1582. Shenjte u shpall në vitin 1622 e, në vitin
1970, nën papninë e Palit VI, iu dha titulli Dijetare e Kishës.