2012-10-15 14:20:13

Kardinali Uërl: bota ka etje për Zotin, por duhen gjetur dëshmi të reja e gjuhë e re.


Përballë ‘tsunamit të ndikimit shekullar” i cili që nga vitet ’70 e’80 ia ndryshoi dramatikisht fytyrën shoqërive tona, të krishterët duhet ta kapërcejnë sindromën e turpit, kur është fjala për ta kumtuar Jezusin. Kështu u shpreh relatori i përgjithshëm i Sinodit për ungjillëzimin e ri, kardinali Donald Uërl, Kryeipeshkëv i Uashingtonit, duke hapur, të hënën e kaluar, punimet e takimit të madh, që vijon, 50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit. Ta dëgjojmë Hirësinë e Tij Eërl, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Koncili nisi me kërkesën e të Lumit Gjoni XXIII për ta marrë fenë e lashtë e të vërtetë e për ta shpallur në mënyrë që të mund të dëgjohet edhe sot, nga kultura moderne, në të cilën jetojmë. Të përtërihet kumtimi i fesë, të paraqitet në gjithë vërtetësinë e saj, por me një gjuhë, që të mund të kupohet sot. Ungjillëzimi i ri është ky: ta marrim misterin e mrekullueshëm të fesë sonë, zbulesën e Jezu Krishtit e t’ia shpallim një bote, që ka nevojë ta dëgjojë Ungjillin, por me një ton, me një gjuhë që t’i prekë zemrat e njerëzve të kohës sonë.

Pyetje: - E pra sot të krijohet përshtypja se koha jonë ka prirjen ta harrojë Zotin, ta mbyllë në sferën private. Si mund t’i përgjigjemi një situate të tillë? Ndërkaq, na duket edhe se katolikët druhen, kur është fjala për ta shpallur me zë të lartë Ungjillin në gjirin e kësaj shoqërie...

Përgjigje: - Mendoj se ajo, që duhet të bëjmë sot, mund të shpjegohet në tri faza: e para, duhet përtërirë feja jonë individualisht. Secili nga ne duhet ta përtërijë bindjen e vet, fenë e vet e pastaj të jetë i sigurt në të Vërtetat e Fesë, të ngulë këmbë në të Vërtetën, ta pranojë plotësisht e pa asnjë lëkundje se Ungjilli i Krishtit është e Vërteta.
E dyta, duhet të jemi tolerantë ndaj të tjerëve, por pa pranuar kurrë kompromise e pa u turpëruar kurrë, kur shpallim se Lajmi i mirë është i vërteti.
Pjesa e tretë e ungjillëzimit të ri është ta ndash dhuratën e fesë me të afërmin: t’i thuash se Zoti na do, se Krishti erdhi për të na shpëtuar, se Shpirti Shenjt na mbështet në rrugën e jetës, për të ngritur një shoqëri më të vërtetë, më të drejtë. Ajo që duhet të bëjmë, është ta kumtojmë fenë e të hyjmë në misterin e saj.

Pyetje: - Duhet, pra, siç kujtuat edhe Ju në relacionin para diskutimeve, të kapërcehet sindroma e një farë bezdie, një farë turpi, kur bëhet fjalë për kumtimin e fesë....

Përgjigje: - Është shumë e rëndësishme të heqim dorë nga mendimi se nuk mund të flitet për fenë jashta mureve të kishës, jashta shtëpive tona. Mesazhi i mrekullueshëm është se Jezusi erdhi të na mësojë dashurinë për të afërmin, përkushtimin për të tjerët, pa harruar se ky përkushtim na lind si bij të Hyjit, me hirin e Shpirtit Shenjt. Feja duhet shpallur pa turp e pa ky droje. Sindroma e turpit duhet shikuar si diçka, që i përket së kaluarës.

Pyetje: - Ju përdorët një figurë shumë të bukur, atë të tsunamit të ndikimit shekullar mbi jetën e Kishës, që në vitet ’70 e ’80 mori me vete disa nga treguesit më të rëndësishëm të vlerave, si martesa, familja... Si mund të përballohet sot kjo sfidë, e si mund të propozohet mendimi i Kishës?

Përgjigje: - Ajo, që duhet të jemi në gjendje të bëjmë, duke parë këtë tsunam, i cili mori vërtet me vete nga bota jonë perëndimore treguesit e bazës të asaj, që jemi, vlerat tona, martesën, familjen, të mirën e të keqen, ajo, pra që duhet të bëjmë, është të nisim e të kujtojmë kudo se ekziston një e vërtetë mbi natyrën njerëzore, se u krijuam vërtet sipas shembëlltyrës së Hyjit e se pikërisht nga kjo varen edhe lidhjet me të tjerët, koncepti i familjes dhe i martesës, themelet e vetë shoqërisë. Ne e dimë se kjo është e vërtetë, e kemi ditur gjithnjë, është pjesë e kulturës sonë perëndimore, e kulturës botërore.

Pyetje: - Po si mund të vijojmë ta shpallim të vërtetën mbi njeriun, mbi familjen, mbi dashurinë njerëzore, pavarësisht nga akuzat që na bëhen si njerëz të prapambetur, që nuk janë më në gjendje të ecin me hapin e kohës?

Përgjigje: - Sot bëhet gjithnjë më e qartë se tradita e madhe, e gjallë, e Kishës është udha e drejtë për ta bërë njeriun më njerëzor. U krijuam sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Zotin, prej këndej, besojmë në martesën e një burri me një grua, si bazë për të krijuar familjen. Besoj se njerëzit sot do të fillojnë ta kuptojnë se kjo është e vërteta e se shekullarizmi nuk ofron baza, pa të cilat nuk mund të flitet për ndërtimin e jetës e të ardhmërisë.

Pyetje: - A nuk keni frikë se nganjëherë mund të rrezikohemi të flasim me një gjuhë të përmbajtur, të drojtur, plot vëmendje, për të mos fyer opinionet e të tjerëve, në vend që ta shpallim me zë të lartë të vërtetën?

Përgjigje: - Duhet të jemi të vetëdijshëm për dy gjëra. E para, se ne shpallim të Vërtetën e zbuluar nga Jezu Krishti. E dyta, se duhet ta themi këtë të vërtetë me dashuri. Mund të jemi tolerantë ndaj të tjerëve, por kjo nuk do të thotë se duhet të kërkojmë ndjesë a të turpërohemi për atë, në të cilën besojmë. Zëri i Krishtit, zëri i Ungjillit, zëri i Kishës, duhet të kumbojë fort në sheshet publike. Ne e themi të Vërtetën me dashuri e duhet të impenjohemi për këtë në çdo fushë të jetës politike e publike. Bijtë e nipat tanë rriten në këtë shoqëri. Duhet, prandaj, të marrim pjesë në ndërtimin e kësaj shoqërie, që të ngrihet mbi vlerat e krishtera. E duhet ta ngremë fort zërin, që ta dëgjojë mbarë bota!







All the contents on this site are copyrighted ©.