2012-10-13 14:52:04

"Jezusi nuk është mit”. Dy fragmente nga libri i ri i Papës.


Tashmë Shtëpia Botuese italiane “Rizzoli” e ka paraqitur veprën e re të Benediktit XVI, kushtuar fëmijërisë së Jezusit, sipas Ungjijve, në Panairin e librit, në Frankfurt të Gjermanisë. Flitet për përkthimin në 20 gjuhë, për daljen, në kohën e Krishtlindjes, në libraritë e 32 vendeve të botës. Vepra e re, nga e cila sot po shkëpusim vetëm dy fragmente, plotëson trilogjinë me titull “Jezusi i Nazaretit”.

Koha dhe vendi i lindjes së Jezusit nuk janë mitike!
Krishti lindi në një epokë, që mund të përcaktohet saktësisht. Në fillim të veprimtarisë publike të Jezusit, Luka na e daton edhe një herë me hollësi e kujdes këtë çast historik: është viti i pesëmbëdhjetë i perandorisë së Tiberit Çesar; kujtohen edhe guvernatori romak si dhe tetrarkët e Galilesë, të Ituresë e të Trakonitides, ashtu si dhe të Abilenes, e pastaj, edhe krerët e priftërinjve (cfr Lk 3,1).
Jezusi nuk lindi, as u duk në publik në ‘një herë e një kohën” e papërcaktuar të mitit. Ai i përket një kohe, që mund të datohet me saktësinë më të madhe dhe një mjedisi gjeografik, të përshkruar saktësisht. Në Të Logos (Fjala), Arsyeja krijuese e të gjitha sendeve, hyri në botë. Fjala e mishëruar u bë njeri, e kësaj ngjarjeje i përkasin edhe rrethanat e vendit e të kohës. Feja lidhet me këtë realitet konkret, edhe pse pastaj, për virtyt të Ngjalljes, hapësira kohore e gjeografike kapërcehen e ‘Zoti, që shkon para Apostujve në Galile’ (Mt 28,7), na prin në pafundësinë e hapur të mbarë njerëzimit.

Simbolet e lindjes së Krishtit.
(...) Maria e mbështolli ferishten në fasha. Pa kurrfarë sentimentalizmi mund ta përfytyrojmë dashurinë e pafundme, me të cilën Maria e priti orën e saj, dëshirën me të cilën e përgatiti lindjen e të Birit. Tradita e ikonave, mbi bazën e teologjisë së Etërve të Kishës, i shpjegon edhe teologjikisht grazhdin e fashat. Foshnja, e lidhur fort me fasha, duket si një, që shkon para kohe drejt orës së vdekjes. Ai që në zanafillë është ‘i Flijuari’, siç do ta shikojmë më hollësisht, përmes reflektimit të fjalës, që thuhet për këtë Bir të Vetëm. Kështu Grazhdi përfytyrohet si një lloj elteri.Agostini e shpjegoi simbolikën e grazhdit me një mendim që, në çastin e parë, duket i pavend, por si ta kesh shqyrtuar më me vëmendje, shikon se përmban një të vërtetë të thellë. Grazhdi është vendi në të cilin kafshët gjejnë ushqim. Por tani mbi grazhd prehet Ai, që e paraqiti vetveten si bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, si ushqim i vërtetë, për të cilin njeriu ka nevojë, për të qenë njëmend njeri. Është shujta, që i jep njeriut jetën e vërtetë, atë të amshuarën. Në këtë mënyrë grazhdi bëhet simbol i sofrës së Hyjit, ku njeriu grishet për të marrë bukën e Zotit. Në varfërinë e lindjes së Jezusit skicohet realiteti i madh, në të cilin vihet në jetë misteriozisht, shëlbimi i njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.