Pak pas njohjes së laureatit të Çmimit Nobel për Letërsinë 2012, kinezit Mo Yan, autor
i veprave “Melekuqja”. “Rrënjë e kuqe kristaline” dhe “Gji i madh, ije të ngushta”
etj., vlerësuar me motivacionin “Me realizmin e tij magjepsës harmonizon rrëfimet
popullore, historike e bashkëkohore”, po kujtojmë disa kuriozitete për këtë Çmim të
rëndësishëm, që deri më sot e kanë marrë, për të mos thënë merituar, njëqind e tetë
shkrimtarë, nga të cilët, vetëm 11 gra. Çmimi nuk u caktua për shtatë herë (1914,
1918, 1935) si dhe nga vitet 1940 deri më 1943. Datat flasin vetë. Ndërsa u refuzua
dy herë (më 1958 nga Boris Pasternak, i detyruar prej qeverisë së Bashkimit Sovjetik)
dhe në vitin 1964 (nga Jean-Paul Sartre, që nuk e pranoi, pa qenë i detyruar nga ndokush,
sepse jetonte në botën e lirë, e cila të jep krenarinë edhe të mos e pranosh një çmim,
që një pjesë e mirë e shkrimtarëve bëjnë çmos ta marrin, sa për famë, aq për fitim.
E natyrisht edhe për të jetuar “nën shenjën e përjetësisë”, sepse emrat e Nobelistëve
hyjnë në fondin e artë të letërsisë botërore. Në disa vite ( 1904, 1917, 1966,
1977) pati dy fitues. Në vitin 1931 çmimi Nobel iu dha, pas vdekjes, Erik Axel
Karlfeltd, poet sudez. Në të vërtetë i qe dhënë në vitin 1918, por ai nuk e pranoi
për korrektësi, sepse ishte anëtar i Akademisë suedeze. Ishte rast i pashoq. Nëse
shikojmë vendet e nobelistëve të letërsisë, vërejmë se vendin e parë për numër e
zë Franca, me 14 shkrimtarë, pasuar nga SHBA-të e Gjermania me 11, Mbretëria e Bashkuar
e Suedia me 8. Italia është në këmbën e katërt të shkallës së podiumit, së bashku
me Spanjën e Poloninë. Pasojnë Rusia e Danimarka (5), Irlanda(4), Norvegjia (3),
e pastaj India, Zvicra, Kili, Greqia, Japonia, Turqia e Jugu Afrikan (2). Në se ndalohemi
tek gjuhët, vendin e parë e zë anglishtja, me 26 nobelistë. Pasohet nga frëngjishtja
me 14 fitues dhe hispanishtja e gjermanishtja me 13.