2012-10-12 16:03:04

Sot, mbushen 15 vjet, nga vdekja e don Luigji Di Liegros, protagonist i themelimit të Karitasit të Tiranës


Kush ka pasur të bëjë me Karitasin e Tiranës, menjëherë pas rënies së komunizmit, nuk mund të mos kujtojë një meshtar: i guximshëm, tepër punëtor, i thatë e relativisht i gjatë, me disa syze, përmes të cilave, dy sy shigjetues peshonin në çast çfarëdo t’u dilte përpara: njeri, gjendje, apo problem. Quhej don Luigji Di Liegro, meshtar dioqezan, drejtor i Karitasit të Romës, i pari, që vuri këmbën në Shqipëri, për të sjellë ndihma, ushqime e veshmbathje për një popull, kthyer në leckaman nga komunizmi. Ai vuri bazat e Karitasit në Shqipëri, ai krijoi grupin e parë të Karitasit të Tiranës, me të cilin Roma u binjakëzua për vite me radhë, ai u mësoi të rinjve, që mblidheshin rreth shtëpisë-zyrë të Karitasit, në një rrugicë pranë Selvisë, ç’do të thotë të bësh mirë e ta harrosh, se shpërblimi më i madh nuk është falenderimi i njerëzve, që merrnin pakon me ushqime, por akti i dhurimit të asaj pakoje.
Sot, mbushen 15 vjet nga vdekja e don Luigji Di Liegros. Në Romë, në Bazilikën e Shenjtorëve Apostuj, në orën 18.30, u kremtua një meshë për shpirtin e tij. Më 26 tetor, në orën 17.00, në Sallën e Madhe të Rektoratit të Universitetit Roma Tre do të paraqitet libri “Bamirësia e drejtësia, don Luigji Di Liegro”, biografia e parë historiko-shkencore e tij, përgatitur nga Maurilio Guasko.








All the contents on this site are copyrighted ©.