2012-10-12 16:00:26

Në Sinod: kemi nevojë për një hov të ri misionar; më tepër kujdes për çiftet e ndara e të rimartuara


Sesioni i shtatë i Sinodit të Ipeshkvijve mbi ungjillëzimin e Ri në Vatikan. Sot, Papa Benedikti XVI shkoi për drekë me etërit konciliarë dhe me pjesëmarrësit në Asamblenë e Ipeshkvijve të gjithë botës. Pasdite, diskutimi vazhdoi me ndërhyrjen e kryetarit të Akademisë Papnore të Shkencave, Verner Arber, Çmim Nobel për mjekësinë në vitin 1978. Ndërkaq, dje, pjesëmarrësit e sinodit reflektuan për rolin e famullive, që u quajtën “vende të privilegjuara” për ungjillëzimin e ri. Argumenti tjetër i rëndësishëm ishte roli i mjeteve të komunikimit shoqëror.
Sinodi u kërkoi barinjve të Kishës, mësuesve dhe katekistëve ta kuptojnë më mirë sfidën e ungjillëzimit në një botë, në të cilën mass-mediat kanë pushtet mbi sferën fetare e morale të njeriut. Nuk mjafton që Kisha të ketë gazeta, radio e televizione të vetat, apo të nxisë prodhimin e filmave fetarë. Është e nevojshme, theksuan ipeshkvijtë, të afrohen besimtarët me natyrën e misterit të fesë, si ilaç kundër spektakolarizimit të realitetit. Praktikisht, Kisha duhet të jetë komunikuese e gazetarët, për ta ndezur shpresën e njeriut përmes së vërtetës, duhet ta ndjejnë veten si kapiten anije, nisur për të shpëtuar njerëzimin nga deti i trazuar i shekullarizmit bashkohor.
Asambleja nuk harroi edhe të sëmurët e të vuajturit, duke kërkuar që të konsiderohet ungillëzim, sidomos kujdesi për të sëmurët rëndë dhe lehtësimi i dhimbjeve të tyre, pasi Kisha është bashkësi e shëruar nga Zoti, që pikërisht për këtë, mund të shërojë të tjerët. Duke folur për të rinjtë, të cilët kanë etje për Zotin, por janë larg praktikës së krishterë, Sinodi vuri theksin mbi vëmendjen, që u duhet kushtuar sidomos fëmijëve të çifteve të ndara e të martuara sërish me të tjerë. Shpesh, ata mbeten jashtë jetës sakramentore, për shkak se prindërit nuk marrin pjesë në të. Ipeshkvijtë kërkuan edhe rishikimin e mënyrave e të kohëve për njohjen e anullimit të martesës.







All the contents on this site are copyrighted ©.