Benedikti XVI: në rrjetën e Pjetrit ka edhe peshq të këqij, por mirësia e Zotit është
më e fortë se brishtësia njerëzore.
Mirësia e Zotit është më e fortë se mëkati i njeriut: kështu u shpreh Papa mbrëmë,
duke përshëndetur nga dritarja e studios së tij një mori besimtarësh, mbledhur në
Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të manifestimit me qirinj ndezur, organizuar
nga Veprimi Katolik. Ishte përkujtim i hapave të para të aventurës së Koncilit II
të Vatikanit, që nisi 50 vjet më parë, me të famshmin “Fjalim për hënën” të Gjonit
XXIII. Por, të dëgjojmë fjalët e Benediktit XVI: “Kemi parë
se në arën e Zotit ka gjithmonë edhe egjër. Kemi parë se në rrjetën e Shën Pjetrit
gjinden edhe peshq të këqij. E kemi parë se brishtësia njerëzore është e pranishme
edhe në Kishë, se barka e Kishës lundron edhe kundër erës, përballë stuhive, që e
kërcënojnë”. Shprehje vërtet të forta, këto të Benediktit XVI, që vijoi,
i rrethuar nga turma e emocionuar thellësisht, rrëfimin: “Edhe unë isha në Shesh më
11 tetor 1962, atë natë, 50 vjet më parë, kur i Lumi Gjoni XXIII tha fjalët e paharrueshme,
që i dolën nga zemra. Qemë të lumtur atë natë, plot me entuziazëm”. Ishte një kujtim
personal i Papës ky, që e preku zemrën e turmës, duke e nxitur të kujtojë rrugën 50
vjeçare, në të cilën eci Kisha e Koncilit, e sigurt se për të po niste një stinë e
blertë. Po niste...: “Pranvera e re e Kishës. Rrëshajët e reja, me praninë
e re të fuqishme të hirit çlirues të Ungjillit”. 50 vjet pas kësaj stine,
Benedikti XVI foli me fjalë, që shprehnin një gëzim më të përmbajtur, më të përvuajtur,
nga që në këto 50 vjet, theksoi “pamë se mëkati i zanafillës ekziston e vijon të shprehet
në mëkatet personale, që mund të bëhen edhe struktura të mëkatit”. Me përvujtëri të
thellë, Benedikti XVI u rrëfeu besimtarëve ligështinë e dyshimit: “E ndonjë
herë na shkoi mendja edhe se Zoti fle, se na harroi”. Po dyshimi davaritet
menjëherë nga forca e fesë, që e mbush zemrën njerëzore me besimin e pranisë së Zotit,
pavarësisht nga brishtësia e njeriut: “Kjo është një pjesë e përvojës së
këtyre 50 vjetëve, por patëm edhe një përvojë të re të pranisë së Zotit, të mirësisë
së Tij, të forcës së Tij. Zjarri i Shpirtit Shenjt, zjarri i Krishtit,
nuk është zjarr që shkrumbon, që rrënon: është zjarr i heshtur, flakëz e vogël e
mirësisë, e mirësisë dhe e vërtetësisë, që shndërron, që jep dritë e ngrohtësi”. Prej
këndej, thirrja për ta lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit: “Kemi
parë se Zoti nuk na harron edhe sot, me mënyrën e Tij të përvuajtur. Zoti është i
pranishëm e i ngroh zemrat, jep jetë, krijon karizma mirësie e dashurie, që ndriçojnë
botën e janë për ne garanci e mirësisë së Tij. Po, Krishti jeton, është me ne, është
me ne edhe sot, e edhe sot mund të jemi të lum, sepse mirësia e Tij nuk shuhet, është
e fuqishme edhe sot e kësaj dite”. Më pas Benedikti XVI kujtoi fjalët e
të Lumit Gjoni XXIII, shkëputur nga ai, që mbeti në histori si “Fjalimi për hënën”,
fjalë të paharrueshme, plot poezi e mirësi, fjalë zemre që, tha Papa Ratcinger, po
i bëj të miat: “Shkoni në shtëpi, jepuni një puthje fëmijëve e thojuni se
po i puth Papa!”.Puthja, që u dha Benedikti XVI fëmijëve mbrëmë u bë simbolikisht
një me puthjen e largët, që 50 vjet më parë nisej nga e njëjta dritare, i njëjti
Shesh, për të hyrë në mbarë shtëpitë e botës, ku rriten fëmijë, ardhmëri e njerëzimit,
ashtu si edhe bekimi përfundimtar, që 50 vjet pas Koncilit, shënon vijimin e udhës
konciliare të Kishës.