10 shkrimtarë, që e meritonin Çmimin Nobel për letërsinë, por nuk e morën.
A mund të flitet për shkrimtarë e shkrimtare, që e meritonin Çmimin Nobel e nuk e
morën kurrë? Natyrisht nuk flasim këtu për ata që shkruan para 7 gushtit 1896, kur
vdiste në Östergötland RobertHjalmarNobel, themelues i këtij
çmimi bujar. Sipas sondazheve, ka disa shkrimtarë të mëdhenj, që e meritonin,
por nuk e morën kurrë. Po kujtojmë disa: Jorge Luis Borges (Buenos Ajres,
24 agosto 1899 – Gjenevë, 14 qershor 1986): nuk shkroi romane, por disa nga tregimet
e tij mbeten në qendër të vëmendjes së kritikës e të lexuesve edhe sot e kësaj dite.
Konsiderohet si një nga shkrimtarët argjentinas, që vlerësohen më shumë në mbarë botën.
Ka shumë mundësi ta kishte marrë Çmimin Nobel, në se nuk do të kishte përkrahur diktatorin
Pinochet. E ky është gjithnjë fati i muzave të diktatorëve. Vladimir Nabokov
(Shën Pietroburg, 23 prill 1899 – Montreux, 2 korrik 1977): sipas disa kritikëve e
dashuronjësve të letrave të bukura, Nabokovi, autor, ndërmjet tjerash, i “Lolitës”së famshme, ishte i pari në listën e Çmimit Nobel më 1974. Por në fund nuk e fitoi.
Graham Greene (Berkhampsted, 2 tetor 1904 – Corsier-sur-Vevey, 3 prill
1991): edhe ai, si Nabokovi, ishte ndërmjet kandidatëve të Nobel-it më 1974 e as ai
nuk e fitoi, sepse veprat e tij përshkohen fuqimisht nga fryma e katolicizmit, për
të cilën u përfol nga kritika e Evropës së ftohur nga feja. Gjithsesi çmimin, që nuk
e mori nga Akademia Mbretërore e Suedisë, e mori nga lexuesit në të katër anët e botës,
për të cilët rrëfimet e tij mbeten në radhët e para të kryeveprave, krijuar nga njerëzimi
në rrjedhë shekujsh. Mjafton të kujtojmë “Një amerikan i qetë” dhe “Njeriu
i tretë”. Franz Kafka (Pragë, 3 korrik 1883 – Kierling, 3 qershor 1924)
konsiderohet një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të të gjitha kohëve. Shkroi vetëm
tre romane: “Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika” ose “I
humburi”. Kujtojmë edhe, e sidomos, tregimet e tij krejtësisht origjinale, ndërmjet
të cilave, “Metamorfozat”. Leon Tolstoj (Jàsnaja Poljana, 9 shtator 1828
– Astàpovo, 20 nëntor 1910): Është autor i dy romaneve më të mëdhenj,
që u shkruan ndonjëherë:“Ana Karenina” dhe “Lufta
e paqja”.Tolstojt ka shumë mundësi që nuk iu dha kurrë Nobeli
per shkaqe ideologjike. Julio Cortázar (Bruksel, 26 gusht 1914 – Paris,
12 shkurt 1984): shkrimtar argjentinas, me shtetësi franceze, shkroi vepra si “Rayuela”
(Loja e botës) dhe “Pjesë përbërëse 62” që, sipas kritikës dhe lexuesve, e
meritonin plotësisht Nobelin për letërsinë. James Joyce (Dublin, 2 shkurt
1882 – Zurig, 13 janar 1941) është, pa dyshim, shkrimtari irlandez më i famshëm, me
ndikim më të fuqishëm. Admiruesit e tij ndahen në dy grupe: grupi i parë vlerëson
më shumë “Uliksin”, i dyti “Finnegans Wake”. Me a pa
çmimin Nobel, ai mbetet vigan i letrave botërore. Mark Twain (Florida, 30
nëntor 1835 – Redding, 21 prill 1910): për amerikanët, e jo vetëm, mbetet një nga
shkrimtarët më të rëndësishëm të historisë. Konsiderohet shkrimtari i parë vërtet
i rëndësishëm amerikan. “Aventurat e Tom Sojerit” dhe “Aventurat e Hekleber
Finit” mbeten suksese planetare. Arthur Miller (New York, 17 tetor
1915 – Roxbury, 10 shkurt 2005), që vijon të jetë tejet popullor, ishte gjithashtu
kandidat për Çmimin Nobel. Ndërmjet veprave të burrit të Marilin Monroe kujtojmë “Pamje
nga ura”. Marcel Proust (Paris, 10 korrik 1871 – 18 nëntor 1922): autor
i “Në kërkim të kohës së humbur”, mbahet nga shumëkush si gjeni e si një nga
shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX. E pra u radhit vetëm një herë në listën
e Nobelit e nuk e fitoi. Listë e thjeshtë, së cilës mund t’u shtohen edhe emra
të tjerë, sipas shijeve të lexuesit. Ju, lexues të faqes sonë të internetit, ç’mendoni?
Natyrisht duhet të kujtoni vetëm emrat e njerëzve, që janë akoma gjallë, sepse siç
na e kujton fjala e urtë popullore, ‘Sa ka jetë, ka edhe shpresë’ apo, një fjalë turke
bân lazem, siç thotë Atë Gjergj Fishta, që gjithashtu nuk e fitoi Nobelin: ‘I gjalli
e ka dermanin”!Edhe autori i “Lahutës së Malcís” dhe i “Anzave të Parnasit”... mund
të radhitet në këtë listë, sepse vërtet nuk e fitoi çmimin e madh, por mbeti në historinë
e letërsisë botërore si ‘Homeri i fundmë”. Tani rrallë kush i njeh të gjithë ata,
që e fituan Çmimin Nobel. Po Homeri i parë e i fundmë nuk harrohen lehtë!