2012-10-11 13:13:23

Sinodi 2012. Flet Primati anglikan, Rouan Uiliams


Në Meshën e paradites, që hapi Vitin e Fesë, bashkëkremtuan me Papën edhe pjesëmarrësit e Sinodit të Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, që po zhvillohet në Vatikan. Ndër diskutimet më interesante të tij, shkëpusim fjalën e djeshme të kryeipeshkvit të Kanterburit, Rouan Uiliams, Primat i Bashkimit Anglikan.
Fiks në orën 18.00, edhe Papa Benedikti XVI hyri në Sallën e Sinodit për të dëgjuar kreun e anglikanëve, i cili preku tema të rëndësishme të Koncilit II të Vatikanit, që sipas tij, ishte “shenjë se Kisha e ndjente veten aq të fortë sa të shtronte pyetje impenjative mbi kulturën e strukturat e saj” para botës moderne. Veçanërisht i rëndësishëm qe risimi i antropologjisë së krishterë, me pohimin se të shpallësh Ungjillin do të thotë të kumtosh se është vërtet e mundur të jemi njerëz, të krijuar në ngjashmëri me Krishtin, me humanitetin e Tij. “Në këtë kuptim, theksoi kryeipeshkvi i Kanterburit, feja katolike dhe ajo e krishterë, në përgjithësi, përfaqësojnë “një humanizëm të vërtetë””.
Kundrimi, apo dalja nga vetvetja për të hedhur vështrimin mbi Zotin e të afërmin, përfaqëson të vetmen përgjigje për botën “irreale dhe të çmendur”, që kanë krijuar sistemet financiare. Të jetosh kështu, duke pasur parasysh gjithnjë Hyjin, është revolucion i vërtetë, sepse vetëm kjo lloj jete na mëson ç’është besnikëria, ndershmëria e dashuria. E Rouan Uiliams dha disa shembuj bashkësish katolike, që jetojnë me këtë frymë, si ajo e Tezesë, apo e Shën Egjidit, fokolarët, Bashkim e Çlirim, etj..
Primati anglikan foli më pas për ekumenizmin shpirtëror, duke theksuar se sa më shumë të krishterët të largohen nga njëri-tjetri, aq më pak të besueshëm do të duken para botës. Ungjillëzimi i ri, propozoi kryeipeshkvi, duhet t’u drejtohet së pari vetë të krishterëve, që ta kuptojnë ç’do të thotë ta ndjekin së bashku Krishtin e ta bëjnë më “tërheqëse” Fjalën e Zotit për botën e sotme.
Edhe para diskutimit të kryeipeshkvit të Kanterburit, Rouan Uiliams, etërit sinodalë folën për ekumenizmin e dialogun ndërfetar. Para ndjekësve të feve të tjera, me një identitet të fortë, u theksua në Sinod, duhen të krishterë të motivuar e të përgatitur nga pikpamja doktrinore, të aftë për ta dëshmuar fenë me thjeshtësi e pa frikë. Edhe duke denoncuar gjithnjë diskriminimet e persekutimet kundër të krishterëve, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Ç’duhet bërë për ta përmirësuar dëshminë e Kishës, pyetën etërit sinodalë. E, edhe një herë, siç ka bërë shpesh kohët e fundit Benedikti XVI, iu dha përparësi formimit të meshtarëve, të katekistëve, ndjekjes së shembullit të misionarëve, që e gjejnë Zotin kudo, ungjillëzimit të familjeve, bazë për shoqërinë. Sot nuk mjafton shkenca, dokumentet e strukturat kishtare. Duhet prekur zemra e njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.