2012-10-10 17:36:50

Sinodi vlerëson rolin e grave në Kishë, thelbësor për ungjillëzimin e ri


Pasditja e sotme në Sinod u karakterizua nga fjalimi i kryeipeshkvit të Kanterburit, Rouan Uiliams, primat i Bashkimit Anglikan, i cili foli për mënyrën e konceptimit të ungjillëzimit të ri nga anglikanët. Më vonë, ai u takua privatisht me Papën Benedikti XVI, në studion e sallës së Sinodit. Paradite, punimet vazhduan me dyer të mbyllura.
Ka pasur jehonë të veçantë, sesioni i djeshëm, gjatë të cilit, prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Mark Uilet, paraqiti rezultatet e zbatimit të Nxitjes apostolike “Verbum Domini”, fryt i Sinodit të vitit 2008 mbi Fjalën e Zotit. Mëse 200 mijë kopje, në gjuhë të ndryshme, janë shpërndarë në të gjithë botën, por elementi kryesor, që tregon përhapjen e këtij dokumenti, është në të vërtetë, rritja e entuziazmit të besimtarëve për “Lectio Divina”, për leximin e e Fjalës së Hyjit e interpretimin e saj, siç dëshmojnë praktika të konsoliduara në shumë famulli. Të shumta janë javët, ose edhe vitet biblike, organizuar nga Kishat e vendeve të ndryshme, si edhe çastet e leximit të pandërprerë të Fjalës së Zotit, si të ishte një lumë, që rrjedh për ditë me radhë.
E veçantë, nisma e ipeshkvijve amerikanë, të cilët kanë vënë në dispozicion të meshtarëve e të diakonëve, një udhërrëfyes për homelitë e madje, kanë organizuar edhe një Festival predikimi. Është mendim i përgjithshëm, që Nxitja Apostolike “Verbum Domini” ka sjellë rritjen e bashkëpunimit ndërmjet meshtarëve, teologëve dhe ekzegjetëve dhe ka kontribuar në kuptimin e librit të Papës për Jezusin e Nazaretit. Qendror, reflektimi kristologjik dhe antropologjik, që pohon se njeriu u krijua nga Fjala e Zotit dhe është Bir i Hyjit, në Krishtin.
Dje pasdite, asambleja e ipeshkvijve preku shumë tematika, njëra prej të cilave, mjaft interesante, ka të bëjë me rolin e grave në Kishë. Ato përfaqësojnë dy të tretat e anëtarëve të Kishës, por shumë prej tyre ndjehen të diskriminuara. Sinodi shpjegoi se gratë nuk mund të shugurohen meshtare, jo sepse janë më pak të afta se burrat e më pak të denja, përkundrazi kontributi i tyre në ungjillëzim është shumë i rëndësishëm. Grave duhet t’u njihet puna, duhet të jenë krenare që janë pjesë e Kishës, e cila duhet të kujdeset për lumturinë e tyre, pasi pa gratë nuk mund të ketë ungjillëzim të ri.
Në sinod u fol edhe për ekologjinë, për dialogun ndërmjet fesë e kulturës, për dëshminë e fesë, si atë individuale, ashtu edhe atë kolektive, për kulturën e vdekjes e të jetës… Në mbrëmje, etërit sinodalë panë një variant të shkurtuar të dokumentarit mbi Koncilin II të Vatikanit, që do të transmetohet nesër në të gjithë botën. Ai është realizuar nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore dhe nga firma italiane “Micromegas Comunicazione”, me imazhe të patransmetuara ndonjëherë, marrë nga Filmoteka e Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.