2012-10-10 16:24:29

Në Sinod. Imzot Laham: bota të ndihmojë për pajtimin në Siri.


Mendimi i etërve sinodalë shkon tek viktimat e konfliktit në Siri. I pranishëm në punime, në Vatikan, Patriku greko-katolik melkit i Damaskut, Gregori III Laham. E intervistuam:RealAudioMP3

Përgjigje: - Falënderojmë imzotin Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, që kujtoi me forcë gjendjen në Siri. Dëshiroj të përfitoj nga kjo situatë, në të cilën më jepet mundësia të takoj një numër kaq të madh njerëzish, ardhur nga mbarë kontinentet, për t’i kushtuar vëmendje të veçantë asaj që po ndodh në këtë kohë tragjike në Siri. Kriza siriane nuk ka të bëjë vetëm me Sirinë, por me gjithë Lindjen e Mesme e, në veçanti, me pesë vende, ngjarjet e të cilave lidhen ngushtë njëra me tjetrën: Siria, Libani, Jordania, Palestina e Izraeli. Në këto pesë vende mund të jetohet lirisht feja e problemet e këtyre vendeve, fqinje me Izraelin, e prej këndej, më në kontakt me konfliktin izraelito-palestinez, kanë rëndësi të dorës së parë për drejtpeshimin në mbarë Lindjen e Mesme. Në jetën e këtyre vendeve del në plan të parë bashkëjetesa paqësore ndërmjet Islamit e Krishterimit në Lindjen e Mesme si dhe vetë prania e Islamit në Evropë. Të gjitha këto probleme kanë lidhje të pazgjidhshme njëri me tjetrin.

Pyetje: - Cili është roli i Kishës në përpjekjen për t’i dhënë fund konfliktit?

Përgjigje: - Ne, si Kishë, përpiqemi të paraqesim një rrugë të mirëmenduar: si mund të ndihmojmë për ta kapërcyer këtë krizë në mënyrë të ekuilibruar. Nuk duam të radhitemi kundër ose përkrah qeverisë. Duam të shpëtojmë vlerën e Sirisë si realitet historik, unik. Nuk duhet të harrojmë se Jezusi lindi në Palestinë e se krishterimi lindi në Siri: prandaj dëshiroj të përfitoj nga Sinodi, për të ngritur zërin e për t’u folur sa më shumë që është e mundur ipeshkvijve e kardinajve, ardhur nga mbarë kontinentet, për ta bërë të pranishëm misionin e Kishës në Siri, rolin e Kishës në Siri. Kam paraqitur një dokument me titull: “Pajtimi, rruga e vërtetë për të ardhmen e për t’i dhënë fund krizës në Siri dhe në Lindjen e Mesme”. Nëse japim ndihmesën tonë për pajtimin në Siri, ndihmojmë edhe Perëndimin për të dialoguar me Islamin.

Pyetje: - Pra mund të themi me plot gojën se dëshmia e krishterë është ndihmesë për të ecur në rrugën e pajtimit?

Përgjigje: - Për mua, kjo është shumë e rëndësishme. Besoj se për ardhmërinë e Kishës, pavarësisht nga qeveria, që do të vijë e nga drejtimi, që do të marrë, misioni i besimtarit është të pajtojë e të bashkojë: për këtë shpëtim punon Kisha e ky është roli i misionit të saj në Lindjen e Mesme.

Pyetje: - Nga Siria arrijnë çdo ditë lajme, që flasin për gjak, për luftë, për rrënime: po kujtojmë vetëm atentatin e fundit kamikaze në një seli të intelligence në Damask...

Përgjigje: - Përsëri i kërkojmë Evropës të takohet me vendet arabe, për të kuptuar si mund të dilet nga kjo situatë. Problemi më i mprehtë është se asnjë vend nuk gjen një përgjigje të arsyeshme për të dalë nga kjo situatë. Prandaj mendoj se ndjehet nevoja për solidaritetin e botës arabe e të botës evropiane, për të gjetur një shteg, që çon në përfundimin e krizës. Pastaj kërkojmë lutje për Sirinë: besoj shumë në forcën e lutjes!







All the contents on this site are copyrighted ©.