Imzot Fizikela paraqiti Vitin e Fesë: të rigjejmë freskinë dhe hovin ungjillor
Nesër, Kisha Katolike fillon Vitin e Fesë, sipas dëshirës së Papës Benedikti XVI për
t’i dhënë një hov të ri ungjillëzimit, përhapjes e rrënjosjes së Lajmit të Mirë të
Krishtit. Vetë Ati i Shenjtë do të kremtojë paradite, në orën 10.00, meshën e përurimit,
pikërisht në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Sipas kryetarit të
Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela, ky kremtim do të jetë
plot me shenja e simbole, që të kujtojnë Koncilin. Kështu e paraqiti ai fillimin solemn
të Vitit të Fesë, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Për shembull, do të lexohen pjesë
nga katër Kushtetutat konciliare dhe do të përsëritet procesioni i gjatë i 12 tetorit
1962: “Do të marrin
pjesë të gjithë etërit sinodalë, që këtyre ditëve, janë të pranishëm në punimet e
Sinodit për Ungjillëzimin e Ri; të gjithë kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të
botës dhe 14 etër konciliarë, që, pavarësisht nga mosha, arritën të vijnë në Romë.
U ftuan 70 etër konciliarë, që janë akoma gjallë, por mosha e shtyrë dhe problemet
e shëndetit i penguan të jenë mes nesh”. Elemente të tjera, që do të kujtojnë
Koncilin II të Vatikanit, do të jenë legjia, apo pupitri, dhe Bibla e përdorur 50
vjet më parë. Së fundi, ashtu siç pati bërë Papa Pali VI, i cili në fund të Koncilit
i dha disa mesazhe Popullit të Zotit, edhe Benedekti XVI do të bëjë të njëjtën gjë,
në fund të kremtimit eukaristik. Mesazhet e tij do t’u drejtohen qeveritarëve, njerëzve
të shkencës e të mendimit, artistëve, grave, punëtorëve, të varfërve, të sëmurëve
e të vuajturve, familjarëve të viktimave të rrugës, të rinjve dhe katekistëve. Secila
prej këtyre kategorive do të përfaqësohet nga një personalitet i njohur ose jo i grupit,
që do të marrë në dorëzim mesazhin. Kjo është Kisha, tha imzot Fizikela: “Kalojnë
vitet, por forca e Koncilit II të Vatikanit mbetet, me dëshirën që Ungjilli i Krishtit
të arrijë në gjithë botën. Synimi ynë është t’u japim të krishterëve një arsye më
shumë për t’u ndjerë pjesë e një Kishe, që nuk njeh kufij e që çdo ditë, e përtërin
fenë e saj në Zotin me një impenjim jete paradoksal, për shkak të stilit, që duhet
të ndjekim”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve, imzot Fizikela
kujtoi se Viti i Fesë është menduar si diçka e veçantë, që mundohet t’i përgjigjet
krizës së rëndë të fesë, por udha e tij ka filluar shumë kohë më parë: “Ungjillëzimi
i Ri është një nga frytet e Koncilit II të Vatikanit. Ai deshi t’i fliste për Zotin
njeriut të sotëm. Kjo ishte rëndësia e tij më e madhe, që çoi në një plan baritor
për Kishën. Tani, është e nevojshme që ky plan të jetë më unitar… të dëshmojë bashkimin
në një të Kishës, më tepër se përvojat e veçanta”. Pra, një mënyrë e re për
ta vazhduar jetën e zakonshme të Kishës, si të ishte e jashtëzakonshme. Kreu i dikasterit
vatikanas për Ungjillëzimin e Ri tërhoqi vëmendjen ndaj gabimeve të së kaluarës: “Mendoj
se, në çaste të caktuara, ka superstruktura, që mund ta mbysin veprimin ungjillëzues
të Kishës. E kemi burokratizuar tepër jetën kishtare e, edhe vetë Sakramentet, jetën
sakramentore. Kemi nevojë të jemi sërish bashkësi, që kumtojnë takimin e prekshëm
me Zotin, të afta ta shprehin gëzimin e këtij takimi. Nëse mbyllemi në vetvete, nëse
jemi të kënaqur me vetveten, ungjillizimi i ri nuk mund të fillojë. Kështu, do të
mbytej lëvizja për Ungjillëzimin e Ri”. Në përfundim të konferencës për shtyp,
zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi njoftoi se duke filluar që sot, në audiencën
e përgjithshme të Papës, do të jetë i pranishëm një folës arab, i cili do të përmbledhë
katekizmin e Benediktit XVI e do të përkthejë përshëndetjet e Papës. Ky vendim është
marrë në vazhdimësi me udhëtimin e fundit të Atit të Shenjtë në Liban e është shenjë
e impenjimit të Vatikanit për Lindjen e Mesme.