2012-10-10 12:44:16

Bruksel: Shqipërisë mund t’i jepet statusi i kandidatit për në Bashkimin Evropian, me disa kushte


Komisioni Evropian “i rekomandon Këshillit t’i japë statusin e kandidatit” Shqipërisë, por vetëm pasi Tirana të ketë përfunduar disa reforma të rëndësishme. Kështu lexohet në bocën përfundimtare të raportit mbi zgjerimin, i cili u miratua sot në Bruksel.
“Komisioni Evropian – thuhet në tekst – do ta njoftojë Këshillin, sapo të jenë bërë përparimet e nevojshme” në fushën e drejtësisë, të administrimit publik dhe të rishikimit të normave në procedurat parlamentare.
Në raportin për Këshillin e Evropës, ekzekutivi i Brukselit nënvizon se do të marrë parasysh edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në një çast kur, si kurrë më parë, ky problem ndjehet nga të gjitha shtresat e popullsisë. Komisioni do të japë “lejen” për fillimin e bisedimeve përfundimtare të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian vetëm kur Tirana të ketë vënë në jetë impenjimet e marra dhe të ketë plotësuar reformat kyçe, për të cilat akoma ka rrugë për të bërë.
Prova më e rëndësishme për qeverinë e Berishës do të jenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, të cilat duhet të dëshmojnë dëshirën e të gjitha partive për të respektuar ligjin e ri zgjedhor, për të dialoguar ndërmjet tyre e për të vazhduar reformat. Akoma mbeten për t’u arritur disa standarte, si: përshtatja e normave të fushatës zgjedhore me ato ndërkombëtare; forcimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore; forcimi i hetimeve dhe i ndërhyrjes gjyqësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; marrja e masave më të frytshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e për politikat kundër diskriminimit; zbatimi i së drejtës së pronësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.