2012-10-09 15:41:07

Sinodi: Imzot Dal Kovolo: feja e dashuria e krishterë nuk janë vetëm mësime teorike; të rinjtë presin përgjigje konkrete.


“Të nxitet zhvillimi i një kulture me rrënjë më të thella në Ungjillin e Krishtit”. Mund të përkufizohet kështu ungjillëzimi i ri. Është sfidë, që kërkon rrëmimin e ndërgjegjes edhe në mënyrë akademiko-universitare. Mësuesi nuk mund të kënaqet vetëm duke transmetuar mësimin, duhet edhe ta dëshmojë Lajmin e mirë. Kështu u shpreh në Sinod rektori i Universitetit Papnor Lateranens, imzot Enriko Dal Kovolo:

Përgjigje: - Teologjia dhe thellimi kulturor, duhen dëshmuar gjithnjë më shumë. Fjalët, që përdori Papa në hapjen e Sinodit, ishin thellësisht domethënëse. Për të ungjillëzuar, duhet të bashkëveprojnë me sukses dy kategori: dëshmimi i fesë dhe dashuria e krishterë. Dëshmimi i fesë, siç e shpjegoi Papa, nuk është thjesht një seri mësimesh, që propozohen e transmetohen. Por është gatishmëria për të hyrë në lojë, në dëshmi, deri në dhurimin e plotë të vetë jetës. Ja pra ajo, që më intereson në mënyrë të posaçme: një teologji, që jo vetëm mësohet, por edhe dëshmohet; një thellim kulturor, që nuk synon vetëm tek përmbajtja, por arrin me fryt tek dëshmia e dashurisë së krishterë.

Pyetje: - Atëherë, mund të thuhet se dëshmia dhe njohja e përmbajtjes nuk mund të jenë dy realitete të ndara?

Përgjigje: - Sigurisht, ky është një rrezik, me të cilin ndeshem çdo ditë. Mendoj se është një lloj deformimi profesional, i cili vërehet tek ne, teologët, që japim mësim: ia besojmë tepër mesazhin tonë përmbajtjes së mësimit, duke rrezikuar ta harrojmë dëshminë personale, që duhet të japim. Mendojmë: dëshmimi nuk i përket profesionit tim! Por nuk është kështu! Në se kujtojmë dëshminë e Etërve të Kishës, e kuptojmë menjëherë, e shumë mirë, se Ati i Kishës është, mbi të gjitha, Shenjt. E në se nuk është Shenjt, nuk mund të jetë as Atë.

Pyetje: - Ku duhet kërkuar shkaku, që i shtyn të rinjtë e sotëm të largohen nga feja?

Përgjigje: - Besoj se është një fenomen kulturor, i cili lidhet me përvojën, jetuar nga të rinjtë në familjet, që nuk e dëshmojnë më mesazhin e krishterë. Nuk flasim për shkollën, që rrezikohet të mos jetë më mjedis edukativ, siç duhet të jetë, e aq më pak, shembull, që i jepet edhe botës së politikës. Nuk funksionon konteksti e, prej këndej, të rinjtë nuk arrijnë të apasionohen nga mesazhi i krishterë. Nga ana tjetër, ka edhe grupe të rinjsh, që dinë të japin dëshmi shumë të guximshme në situata të ndryshme historike. Por, kujdes, flasim ende për një pakicë.

Pyetje - Nevoja për Zotin është e shkruar në zemrën e njeriut e, natyrisht, dhe në zemrën e të rinjve...

Përgjigje: - Sigurisht, është pikërisht kështu. I riu nuk mund të mos e kërkojë Zotin: ndoshta nuk di si ta kërkojë, gabon objektiv, por kjo dëshirë është e shkruar në zemrën e tij. Sfida jonë, impenjimi ynë, duhet të jetë ta kuptojmë këtë kërkim të së vërtetës dhe të qëllimit të jetës, që zë vend tejet të rëndësishëm në zemrat e të rinjve.








All the contents on this site are copyrighted ©.