2012-10-09 15:51:07

Do të paraqitet në Panairin e Gjermanisë, libri i Papës për fëmijërinë e Jezusit


Shtëpia Botuese italiane “Rizzoli” do të paraqesë nga 10 deri më 14 tetor, në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt të Gjermanisë, librin e ri të Papës Benedikti XVI mbi fëmijërinë e Jezusit, sipas Ungjijve. Janë në zhvillim e sipër bisedime për përkthimin e librit në 20 gjuhë dhe për shitjen e tij në 32 vende. Në Itali, vëllimi do të dalë para Krishtlindjes, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese të Vatikanit.
I thjeshtë në gjuhën e përdorur, por rigoroz dhe i guximshëm në paraqitje, “Fëmijëria e Jezusit” plotëson trilogjinë e shkruar nga Jozef Racinger, e mirënjohur me titullin “Jezusi i Nazaretit”. Në këtë vëllim, që sipas analistëve është i destinuar të zgjojë debate e diskutime teologjike, Papa shqyrton tekstet ungjillore dhe e fton lexuesin t’i bëjë vetes pyetjet: “A është e vërtetë, ç’thonë Ungjijtë? Ka të bëjë me mua? E nëse po, si, në ç’mënyrë?”
Janë pyetjet me të cilat hapet libri, që na kujtojnë atë të Pilatit për Jezusin: “Ti, nga vjen?” Është pyetja që e shoqëron njeriun e çdo brezi, po ajo që bënë dijetarët e Lindjes, Mbretërit dijetarë, që shqyrtonin yjet e që e paraqesin kaq mirë shqetësimin e zemrës njerëzore në kërkim të së vërtetës, e vetmja që çon drejt gëzimit të thellë.
Në Ungjijtë e fëmijërisë së Jezusit, Benedikti XVI gjen rrënjët teologjike të gëzimit, që i përshkruan mrekullisht bukur; gjen atë gëzim, që na thotë se Ungjilli nuk është histori e së kaluarës, por e së tashmes, i flet njeriut bashkohor. E ndërsa Ati i Shenjtë e çon lexuesin në faqet ungjillore të Lajmërimit të Zojës, të Lindjes së Jezusit e të vizitës së Mbretërve Dijetarë, ja ku arrin e tashmja: analiza e atyre faqeve flet për të sotmen. Sot, edhe ne, si Mbretërit Dijetarë, gjunjëzohemi para Foshnjës Hyjnore e Nënës së Tij, pyesim veten ç’kuptim ka ky takim e çuditemi si një grua mund ta pranojë Zotin, duke i besuar plotësisht Atij.
Ndërsa afrohet Krishtlindja, ky libër tregon gëzimin për Lindjen e Jezusit. Për atë që beson, është nxitje për të shqyrtuar deri në fund arsyet e fesë. Njëkohësisht, Jozef Racinger flet me përzemërsi me të gjithë ata, që si Mbretërit Dijetarë, janë në kërkim e me zemër të trazuar, pyesin: “Po Jezusi, nga vjen?”.
Dy vëllimet e para të trilogjisë “Jezusi i Nazaretit” janë “Nga Pagëzimi deri tek Shndërrimi”, botuar në vitin 2007, dhe “Nga hyrja në Jeruzalem deri në ringjallje”, botuar në vitin 2011.








All the contents on this site are copyrighted ©.