2012-10-08 16:35:40

Sinodi. Papa: të ungjillëzosh do të thotë të kesh në shpirt zjarrin e Zotit e të ndezësh, me guxim, mbarë botën!


“Ungjillëzues është ai, i cili ka në zemër vetëdijen se është Zoti, që vepron në Kishë, ai që digjet nga dëshira për t’ia komunikuar Krishtin botës”. Me këto mendime, Benedikti XVI hapi, sot paradite, Sinodin kushtuar ungjillëzimit të ri. Papa e mori fjalën pas Leximeve dhe Himnit të hyrjes, me një meditim të vetvetishëm, përshkuar nga problematika më e mprehtë aktuale.

Pyetja e madhe mbetet gjithnjë atje, në thellësinë e zemrave njerëzore! Ndodhi, së pari, një ngjarje, që ia ndryshoi faqen historisë: në Betlehem lindi një Fëmijë, fjala e të cilit, dymijë vjet më pas, vijon të jehojë, pa pyetur fare për persekutime e indiferencë, duke përhapur Lajmin e mirë në të katër anët e botës. Por, kush është Zoti? Ç’i duhet njeriut e njerëzimit?. Benedikti XVI preku nervin kryesor të Sinodit, duke sjellë, në heshtjen e thellë të sallës, zhurmën, e edhe shpejtimin e rrahjes së zemrës të atyre që, nëpër botë, çojnë sytë nga qielli e, si nuk shikojnë gjë prej gjëje vijojnë t’i bëjnë vetes pyetjen:
“Pas heshtjes së thellë të universit, pas reve të historisë, ka apo s’ka fare Zot? E nëse ky Zot është, a na njeh, a ka të bëjë me ne? Ky Zot, a është i mirë? A ka fuqi mbi të mirën në botë? Kjo pyetje është edhe sot po aq aktuale, sa ç’ishte në atë kohë. Shumë njerëz vijojnë të pyesin: “Zoti është hipotezë, apo jo? Është apo s’është realitet? Pse nuk ia dëgjojmë zërin? “Ungjill” do të thotë se Zoti i dha fund heshtjes: Zoti foli, Zoti është. Zoti na njeh. Zoti na do. Zoti hyri në histori. Jezusi është Fjala e Tij, është Zoti me ne, Zoti që na dëftohet, që na do, që vuan me ne deri në vdekje e që rikthehet në jetë”.
E kjo është edhe përgjigjja e Kishës për këtë pyetje tepër të rëndësishme. Në vijim, me ton të shtruar, por pa dredhuar fjalë, Papa bëri një pyetje të dytë, jetike për Etërit Sinodalë: “Zoti, përsëriti Benedikti XVI, foli, i dha vërtet fund heshtjes së tij, u dëftua. Po si mund t’ia çojmë këtë realitet njeriut të sotëm, që ta shëlbojmë?
Duhen pasur mirë të qarta tre hapa themelore, që Papa i shpjegoi duke marrë shtytje nga Himni i Orës së Tretë, lexuar pak para se ta merrte fjalën.
Hapi i parë: lutja. Apostujt, pohoi Ati i Shenjtë, nuk e krijuan Kishën, duke hartuar ndonjë kushtetutë, por duke u gjunjëzuar në lutje, në pritje të Rrëshajëve:
Ne nuk mund ta bëjmë Kishën, mundemi vetëm të mësojmë atë, që bëri Zoti Kisha nuk nis me atë që bëjmë ne, por me atë që bën e flet vetë Zoti. Vetëm Zoti mund ta krijojë Kishën e vet. Në se Zoti nuk vepron, punët tona mbeten vetëm tonat, domethënë, të pamjaftueshme. Vetëm Zoti mund të dëshmojë se është Ai vetë që flet, që foli”.
Pra, vërejti Papa, nuk është thjesht formalitet fakti se çdo takim sinodal nis me lutje. Përkundrazi, lutja dëshmon vetëdijen se nisma është gjithnjë e Zotit, se ne mund t’i lutemi e se me Zotin Kisha mundet vetëm të bashkëpunojë. Që këtu nis edhe hapi i dytë: nis me atë që, në latinisht, quhet ‘confessio’, dëshmim publik i fesë. Ky akt, shpjegoi Papa, është diçka më shumë se të dëshmosh besimin në Krishtin: është dëshmi e vërtetë, e mirëfilltë. I ngjet një dëshmimi të guximshëm para gjykatës, përballë syve të gjithë botës, edhe kur e di se kjo mund të të kushtojë tepër shtrenjt:
“Kjo fjalë ‘dëshmim’, që në gjuhën e krishterë latine zuri vendin e fjalës “shpallje e besojmës”, mbart në vetvete elementin martiriologjik, elementin e dëshmimit para instancave armike të fesë, të dëshmimit, edhe kur të mundojnë e kur rrezikohesh ta paguash me jetë. Pikërisht kjo e bën të besueshëm dëshmitarin. Dëshmimi nuk është gjë, që edhe mund të ndryshohet sipas qejfit. Kur dëshmon, duhet të jesh i gatshëm të japësh edhe jetën, të pranosh edhe mundimet”.
E dëshmimi ka nevojë edhe për një petk, që ta bëjë të dukshëm. Prej këndej, hapi i tretë, “caritas”– dashuria e krishterë, forca më e madhe, që duhet të kallet flakë në zemrën e çdo të krishteri; flakë e domosdoshme, për të ndezur zjarrin e Ungjillit kudo rreth vetes:“Është pasioni ynë, që duhet të rritet nga feja, që duhet të shndërrohet në zjarr dashurie. I krishteri nuk duhet të jetë i vakët. Feja duhet bërë në ne flakë dashurie: flakë që e ndez qenien tonë, që bëhet pasioni i madh i jetës e që ka forcë ta ndezë edhe të afërmin. Ky është thelbi i Ungjillëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.