2012-10-08 15:12:05

Papa hapi Sinodin kushtuar ungjillëzimit të ri. Në Engjëllin e Tënzot, ftesa për ta rizbuluar Rruzaren në Vitin e Fesë.


“Të inkurajojë rizbulimin e fesë, që ngjall shpresë në jetën e çdo njeriu”: kështu e përkufizoi Benedikti XVI qëllimin e ungjillëzimit të ri. Dje paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kryesoi Meshën e hapjes së Sinodit të 13-të të përgjithshëm të zakonshëm, kushtuar temës “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”, që do të vijojë në Vatikan deri më 28 tetor. Gjatë homelisë, Benedikti XVI kujtoi edhe vlerën e martesës, sot në krizë të thellë, si dhe të shenjtërisë, pa të cilën nuk mund të flitet për ungjillëzim. Papa shpalli edhe dy dijetarë të Kishës: Shën Gjonin e Avilës dhe Shën Hildegardën e Bingenit.

Ishte plot gjallëri dje, Sheshi i Shën Pjetrit. Një turmë vigane, ardhur nga të katër anët e botës, e përshëndeti hapjen zyrtare të Sinodit të 13-të të ipeshkvijve, kushtuar ungjillëzimit të ri a, siç u shpreh Papa, “orientimit programatik për jetën e Kishës, të familjeve, të bashkësisë”, me brohoritje e shpalosje flamujsh shumëngjyrësh të kombeve, ku rreh zemra e Kishës. Më se 400, bashkëkremtuesit që, së bashku me Benediktin XVI, ripohuan me forcë: “Kisha ekziston për të ungjillëzuar”.
Ungjillëzimi, në çdo kohë e në çdo vend, ka pasur si pikë qëndrore e skajore, Jezu Krishtin, Birin e Hyjit; i Kryqëzuari është shenja kryesore dalluese për të gjithë ata, që kumtojnë Ungjillin; shenjë dashurie e paqeje, thirrje për kthim në rrugën e Zotit, ftesë për pajtim”.
Ungjillëzimi i ri, shpjegoi Papa, ka në qendër të vëmendjes, në radhë të parë, të pagëzuarit, që janë larguar nga Kisha dhe jetojnë larg praktikimit të fesë së tyre të krishterë:
Bashkësia sinodale, hapur sot, i kushtohet këtij ungjillëzimi, për t’i ndihmuar këta njerëz të ritakohen me Zotin, i vetmi që e mbush me kuptim të thellë e paqe jetën tonë; për t’i ndihmuar ta rizbulojnë fenë, gurrë Hiri, që çon gëzim e shpresë në jetën personale, familjare, shoqërore”.
Duke marrë, pastaj, shtytjen nga Ungjilli i djeshëm, Benedikti XVI vuri theksin mbi realitetin, tashmë të njohur nga të gjithë, por jo edhe të vlerësuar në masën e duhur, të martesës së burrit me gruan e cila, në vetvete, është Ungjill, është lajm i mirë për botën e sotme, posaçërisht për atë të çkristianizuarën:
Bashkimi i burrit me gruan, shkrirja e tyre në një korp të vetëm, në dashurinë frytdhënëse e të pazgjidhshme, është shenjë, që flet vetë, me forcë, për Zotin, tejet e domosdoshme në ditë tona kur, për fat të keq e për një mori arsyesh, në zonat e ungjillëzimit të lashtë, martesa po kalon një krizë të thellë”.
Martesa lidhet ngushtë me fenë, jo në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, vijoi Papa, por në kuptimin e bashkimit, të bazuar mbi dashurinë e në atë të lidhjes së pazgjidhshme:
“Është i dukshëm përkimi ndërmjet krizës së fesë e krizës së martesës. E, siç pohon e dëshmon prej kohe Kisha, martesa duhet të jetë jo vetëm objekt, por edhe, e sidomos, subjekt i ungjillëzimit të ri”.
Më pas Papa foli për dy Dijetarët e rinj të Kishës: spanjollin Shën Gjoni i Avilës, që jetoi në shekullin XVI dhe gjermanen Hildegarda e Bingenit, grua me inteligjencë të jashtëzakonshme, e aftë për t’i dalluar mirë shenjat e kohës. Këta e të gjithë shenjtorët, tha Papa, janë protagonistët e vërtetë të ungjillëzimit e edhe nismëtarë, që i hapin rrugën ungjillëzimit të ri.
Shenjtëria nuk njeh kufij kulturorë, shoqërorë, politikë, fetarë. Ajo flet me gjuhën e dashurisë e të vërtetësisë, që kuptohet nga të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe i afron pranë Jezu Krishtit, burim i pashterrshëm i jetës së re”.
Por shenjtorët, vijoi Papa, na mësojnë edhe se të krishterët mund ta rifitojnë dinjitetin e tyre si Bij të Zotit, vetëm përmes pastrimit të thellë shpirtëror:
Në se i ngulim sytë mbi idealin e jetës së krishterë, shprehur në thirrjen për shenjtëri, nuk mund të mos e shikojmë me përvujtëri brishtësinë e shumë të krishterëve, madje mëkatin e tyre, personal e komunitar, që përbën një pengesë serioze për ungjillëzimin, e të mos e pranojmë forcën e Zotit që, në fe, takon ligështinë njerëzore. Prandaj nuk mund të flitet për ungjillëzimin e ri, pa gatishmërinë e sinqertë për t’u kthyer në rrugën e Zotit”.
Së fundi, Papa kujtoi të Lumin Gjon Pali II, papnia e gjatë e të cilit mbetet shembull i shkëlqyer i ungjillëzimit të ri.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pastaj, Ati i Shenjtë u bashkua shpirtërisht me shenjtëroren e Pompeit, prej nga iu lartua përsëri lutja Virgjërës Mari. Prej këndej, ftesa drejtuar besimtarëve të krishterë për ta thënë sa më shpesh Rruzaren, vetëm, në familje e në bashkësi:
Do të dëshiroja t’u propozoj të gjithëve ta rivlerësojnë Rruzaren në Vitin e ardhshëm të Fesë. Përmes Rruzares, e lëmë Zojën e Bekuar, model i besimit, të na prijë, në sa meditojmë misteret e Krishtit e, ditë pas dite, thellohemi në përvetësimin e Ungjillit, që i jep formë gjithë jetës sonë”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në fund, Benedikti XVI i ftoi besimtarët të luten për Sinodin, t’i lypin përvujtërisht Zotit hirin që çdo i krishterë të përtërihet e ta njohë përgjegjësinë që ka për ta bërë të njohur Shëlbuesin dhe mesazhin e tij të dashurisë e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.