2012-10-08 15:20:17

Kardinali Uërl në Sinod: të krishterët nuk duhet të kenë turp të kumtojnë Ungjillin e Krishtit


Menjëherë pas ndërhyrjes së Papës në Sinod, punimet vazhduan me relacione të ndryshme, me përshëndetjen e presidentit të deleguar, kardinalit Xhon Tong Hon, ipeshkvit të Hong Kongut, ndjekur nga sekretari i përgjithshëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç. Më pas, iu la vend “Relacionit para diskutimit” paraqitur nga kardinali Donald Uërl, kryeipeshkëv i Uashingtonit. Të ndjekim informacionin e korrespondentes së Radio Vatikanit në Sallën e Sinodit, Isabella Piro:
Ishin fjalë, që tundën muret, ato që ipeshkvi i Hong Kongut u drejtoi etërve sinodalë: kujtoi frikën nga regjimi komunist, përjetuar nga shumë familje të dioqezës, para se qyteti t’i aneksohej Kinës, në vitin 1997. Por pikërisht kjo krizë, e kuptuar si mundësi e re, solli shumë katolikë në Kishë, në kërkim të mbështetjes shpirtërore. Në Pashkët e kaluara, u pagëzuan 3 mijë të rritur. Pastaj, kardinali Tong Hon kujton tre parimet bazë të ungjillëzimit: bashkimi me Zotin dhe me njerëzit, në veçanti, me të varfërit; shërbimi, i kuptuar si dhurim i vetvetes dhe; doktrina, ose ai takim personal me Krishtin, që na bën dëshmitarë të Tij:
“Duhet të jemi dëshmitarë të zellshëm të fesë”.
Nga ana e tij, imzot Eteroviç përshkoi rrugën përgatitore të Sinodit të 13-të të përgjithshëm të ipeshkvijve, i pesti, i thirrur nga Papa Benedikti XVI në tetë vjetët e papnisë së tij. 90% e Kishave lokale kanë kontribuar në hartimin e dokumentit të punës (Instrumentum Laboris), duke i dhënë sinodit një kolegjialitet të paparë. Edhe tema e ungjillëzimit u zgjodh nga Ati i Shenjtë ndër tri tema, të propozuara nga ipeshkvijtë.
Më pas, fjala i kaloi kardinalit Uërl, i cili me “Relacionin para diskutimit”, shqiptuar në latinisht, plot pasion, vuri në dukje kontekstin e vështirë të ungjillëzimit të ri në shoqërinë bashkohore, theksoi se ekziston “një ndarje intelektuale dhe ideologjike e Krishtit nga Kisha e vet”; se “barriera e individualizmit” bën që njerëzit të mos marrin përsipër përgjegjësitë për të tjerët; se racionalizmi e shndërron fenë në “çështje personale”, me pasojë mospraktikimin e saj nga të pagëzuarit.
Kjo gjendje, vazhdoi kardinali Uërl, i ka rrënjët në vitet ’70-’80, kur katekizmi ishte i pakët e jo i vazhdueshëm dhe kur u vërejtën devijime në praktikën liturgjike. “Duket sikur një tsunami me ndikim shekullor ka marrë me vete tregues të shoqërisë si martesa, familja, koncepti i së mirës së përbashkët dhe dallimi ndërmjet së mirës e së keqes”. E jo vetëm kaq: “mëkatet e pak vetëve” ushqejnë mosbesimin në strukturat e Kishës, ngriti zërin kardinali.
Pas kësaj analize të pamëshirshme, kardinali Uërl vuri në dukje edhe elementet pozitive, që nuk mungojnë në shoqëri. Bartësja e tyre është familja, model e vatër e ungjillëzimit të ri, element themelor i bashkësisë, shpesh e nënvlerësuar dhe e përqeshur nga shoqëria bashkohore. Pikërisht mbi të duhet bazuar kumtimi i Ungjillit e, nëse misionarët e dikurshëm kanë kapërcyer distanca të jashtëzakonshme gjeografike për këtë, nënvizoi kryeipeshkvi i Uashingtonit, misionarët e sotëm duhet të kapërcejnë distanca ideologjike po aq të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë të dalin as nga lagjja.
“Ungjillëzimi i ri – theksoi kardinali – nuk është program. Është një mënyrë e re mendimi, shikimi e veprimi. Është si një xham zmadhues, përmes të cilit shohim mundësitë e shpalljes së re të Ungjillit”.
Por është e nevojshme që të krishterët ta kapërcejnë sindromën e turpit në kumtimin e Fjalës së Zotit, duke i treguar botës pa frikë se miqësia me Jezusin është një thesar i thjeshtë, i pastër dhe i prekshëm, të cilin ata duhet të jenë në gjendje ta dëshmojnë me jetë. Tri janë, sipas kardinalit Uërl, themelet e ungjillëzimit: ai antropologjik, që pohon se çdo njeri është krijuar në përngjasim e në shembëlltyrë me Zotin dhe ka brenda vetes dëshirën e natyrshme për t’u bashkuar me hyjnoren; ai kristologjik, sipas të cilit Krishti na është zbuluar e nuk është ndonjë krijim sociologjik, apo ndonjë devijim teologjik; dhe së fundi, themeli kishtar, që sjell shëlbimin e Krishtit përmes e brenda Kishës së Tij.
Ungjillëzuesi i sotëm, përfundoi kryeipeshkvi i Uashingtonit, duhet të jetë i guximshëm, me atë “guxim paqësor” karakteristik për shën Maksimilian Kolben, ose për Nënë Terezën; të jetë në bashkim me Kishën e solidar me barinjtë e saj; ta kumtojë me gëzim mesazhin e Zotit; ta ndjejë urgjencën e këtij misioni “shumë të rëndësishëm” për të cilin “nuk duhet humbur kohë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.