2012-10-06 16:57:34

Shenjtorët e javës 7 - 14 tetor


E diel 7 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit liturgjik të Kishës, e po më 7 tetor Kisha katolike kremton festën e Zojës Rruzare, e cila na frymëzon lutjen e bukur: “Të falemi o Mari..!”. “O Mari, Ti që vë ndër duart tona Rruzaren shenjte, na mëso që, duke e thënë këtë uratë të bukur të ulur në shkollën tënde, të bëhemi kundrues të vërtetë të Krishtit Shëlbues”.
Gjithnjë më datën 7 tetor përkujtohen edhe shenjtorët Sergji e Baku, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga Kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat shën Shirqi e shën Bahti.
Të hënën më 8 tetor, kalendari Kishtar përkujton shën Pelagenën virgjër e martire. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti është e vetmja e mirë e njeriut e se Jezusi na drejton ftesën: ‘Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë”.
Të martën më 9 tetor, bie përkujtimi i shën Dionisit e shokëve të tij, martirë; i shën Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve rregulltarë të Nënës së Zotit, dhe i shën Abrahamit, patriark. Duke i përkujtuar këta shenjtorë, na lind pyetja më e rëndësishme që duhet t’ia drejtojë vetes çdo njeri: “Ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. Përgjigja është : “Të duash Zotin e të afërmin, ashtu si na e kujton porosit Ungjilli.

Të mërkurën më 10 tetor kalendari përkujton shën Paolinin, ipeshkëv i Jorkut, shën Danielin, Samuelin e shokët e tyre, martirët e parë françeskanë dhe shën Françesk Borgja. Liturgjia na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
Të enjten me 11 tetor, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Filipin, diakon; Aleksandër Saulin, ipeshkëv i Pavisë dhe të lumin Gjonin XXIII, papë. Figurat e tyre na nxisin ta thellojmë reflektimin mbi hirin e lutjes: në se është Jezusi ai që na mëson të lutemi, si mund ta vëmë në dyshim frytin e mësimit të tij? Mungesën e hirit të lypur nuk duhet ta kërkojmë tek lutja, por tek mungesa e besimit tonë, kur lutemi.
Të premten me 12 tetor, kalendari kishtar përkujton të Lumen Virgjër Mari, Zojën e Bekuar, Nënën e Kishës; shën Serafinin nga Montegranaro, laik kapuçin dhe shën Edistin, martir. Liturgjia e ditë na kujton se në luftën kundër djallit, Jezusi dëshmon se është më i fortë. Duke qenë tepër i ligshtë, njeriu nuk mund të fitojë kurrë kundër së keqes, në se nuk e ka gjithnjë përkrah Jezusin.
Të shtunën me 13 tetor, sipas kalendarit bie përekujtimi i shën Teofilit, ipeshkëv i Antiokisë . Liturgjia e ditës na fton ta bashkojmë zërin tonë me thirrjen e Psalmistit. ‘Duku, o Zot, diell i drejtësisë’ që jehon në liturgjinë.

Të dielën e ardhshme me 14 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 28-të gjatë vitit kishtare e gjithnjë më 14 tetor kalendair përkujton fedhe shën Kalistin, papë e martir. Liturgjia e ditës na kujton se frika nga mënyra si mund të na gjykojnë njerëzit, na shtyn shpesh të paraqitemi ndryshe nga sa jemi në të vërtetë, duke harruar se duhet të shqetësohemi vetëm për gjykimin e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.