Fillon Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri. Papa kremton Meshën e përurimit
në Vatikan. Koment i atë Lombardit
Me ditën e nesërme, fillojnë veprimtaritë e mëdha të Kishës Katolike, të parashikuara
për këtë muaj, në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, i cili e afroi
më tepër krishterimin me botën moderne e të globalizuar. Paradite, Papa Benedikti
XVI do të kremtojë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën e hapjes së Asamblesë
XIII të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë “Ungjillëzimi i ri për transmetimin
e fesë së krishterë”. Sinodi, në të cilin Kisha Katolike do të diskutojë për mënyrat
se si t’i flasë Popullit të Zotit në kohën tonë, do të përfundojë më 28 tetor. Nga
Shqipëria, merr pjesë ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Kristofor Palmieri. Po kësaj jave,
më 11 tetor, do të fillojë edhe Viti i Fesë, shpallur nga Papa Benedikti XVI e do
të kujtohet hapja e Koncilit II të Vatikanit, që solli risi të mëdha në Kishë. Po
nesër, gjatë kremtimit të Meshës, Ati i Shenjtë do të shpallë dy Doktorë, apo Dijetarë
të rinj të Kishës Katolike. Janë shën Hildegarda e Bingenit dhe shën Gjoni i Avilës.
Në përfundim të Meshës, Papa do të thotë bashkë me besimtarët Lutjen e Engjëllit të
Tënzot. Por të kthehemi tek Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, për të
cilin flet në komentin e tij javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi: “Edhe
një herë, ipeshkvijtë e të gjithë botës janë thirrur nga Papa në Romë për një sinod.
Sinod do të thotë “ta bëjmë rrugën bashkë”. Për të dëgjuar ç’na sugjeron e tregon
Shpirti i Zotit, për të vazhduar udhën e Kishës në drejtimin e duhur. Në
Sinod nuk vihet vetëm për të folur, por edhe për të dëgjuar. Për të dëgjuar së bashku
Fjalën e Zotit, por edhe për të dëgjuar zërat e përvojën e ipeshkvijve të tjerë të
botës. Për të ndërthurur gjuhët e ndryshme e për t’u kuptuar, pavarësisht nga ndryshimet
e jashtëzakonshme ndërmjet situatave e kulturave, duke gjetur kështu gjuhën e përbashkët,
që i flet Kishës mbarë, i flet “katolicitetit” të saj, që do të thotë “universalitet”. Të
dëgjosh tjetrin me përvuajtëri dhe kujdes do të thotë të ndjekësh shkollën e Shpirtit
Shenjt. Nëse kjo ndodhi shkëlqyeshëm në Koncilin II të Vatikanit, mund e duhet të
ndodhë në masë më të vogël, por reale, në Sinod, në mënyrë që ai të përfaqësojë vërtet
një kohë kolegjialiteti të ipeshkvijve rreth Papës, me shqetësim për misionin e Kishës.
Tema e “ungjillëzimit të ri” është absolutisht themelore. “Vaj për mua
nëse nuk e kumtoj Ungjillin!”, thoshte Shën Pali, me tonin e tij të apasionuar. Tri
javët e ardhshme të Sinodit nuk janë ndonjë konferencë studimore. Duhet të jenë një
kohë shpirtërore, e jetuar me intensitet nga ata, që e dinë se bëhet fjalë për mesazhin
e shëlbimit, për njohjen e Jezusit në botën e sotme e të nesërme, që “Biri i njeriut,
kur të vijë, ta gjejë akoma fenë mbi Tokë”. Ipeshkvijtë të dëgjojnë njëri-tjetrin
e të dëgjojnë Shpirtin Shenjt, e ne të lutemi bashkë me ta”.