2012-10-05 15:55:59

Viti i Fesë pasurohet me dhuratën e Ndjesës së plotë


Gjatë Vitit të Fesë, i cili fillon javën e ardhshme, më 11 tetor, në 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, do të jetë e mundur marrja e Ndjesës së plotë. Si zakonisht, kushtet për këtë, bëhen të njohura me një dekret të Pendestarisë Apostolike, ku theksohet se Viti i Fesë i duhet kushtuar veçanërisht thellimit në fe dhe interpretimit të drejtë të saj, me anë të leximit, ose të meditimit të përshpirtshëm të Akteve të Koncilit II të Vatikanit e të Katekizmit të Kishës Katolike, publikuar nga Papa Gjon Pali II para 20 vjetësh.
Në dekret kujtohet se një vit i ngjashëm u shpall nga Shërbëtori i Zotit Pali VI më 1967, në 1900-vjetorin e martirizimit të Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostull, për të provuar me një akt solem Feje sa ka nevojë thelbi i saj, që prej shekujsh përbën pasurinë e të gjithë besimtarëve, të konfirmohet, të kuptohet e të thellohet në një mënyrë gjithnjë të re, me qëllim që dëshmia e krishterë të jetë e besueshme edhe në kushte historike të ndryshme nga e kaluara.
Kisha mendon se dhurata e Ndjesës, që ajo mund t’u bëjë besimtarëve për hir të pushtetit, që i ka dhënë Krishti, është më e përshtatshmja për t’i ndihmuar njerëzit në shenjtërimin e jetës në nivelin më të lartë të mundshëm mbi këtë tokë, e në pastrimin e shpirtit. Por cilat janë kushtet për të fituar Ndjesën e plotë nga mëkatet për vete, për besimtarët e vdekur, e për të gjithë besimtarët, pasi të jenë penduar me të vërtetë, të jenë rrëfyer, të kenë marrë Kungimin e Shenjtë dhe të jenë lutur sipas ndjetit të Papës? Dekreti i Pendestarisë Apostolike parashikon se besimtarët mund të marrin Ndjesën e plotë:
    Sa herë të marrin pjesë në të paktën tri çaste predikimesh gjatë Misioneve të Përshpirtshme, ose në së paku tre leksione mbi Aktet e Koncilit II të Vatikanit e mbi Katekizimin e Kishës Katolike, në çdo kishë, ose vend të përshtatshëm;
    Sa herë të vizitojnë në formë shtegtimi një bazilikë papnore, një katakombe të krishterë, një kishë katedrale, një vend kulti të përcaktuar nga ipeshkvi për Vitin e Fesë e aty, të marrin pjesë në ndonjë funksion kishtar, ose së paku të ndalen në meditim, duke thënë Atynën, Besojmën e Fesë në çdo formë të ligjshme, duke iu lutur Zojës apo shenjtorëve apostuj e pajtorë;
    Sa herë që, në ditët e caktuara nga ipeshkvi për Vitin e Fesë e në çdo vend të shenjtë, të marrin pjesë në kremtimin eukaristik, ose në liturgjinë e orëve, duke shtuar lutjen e Besojmës së Fesë;
    Në një ditë të zgjedhur lirisht, gjatë Vitit të Fesë, në të cilën të vizitojnë vendin ku kanë marrë Sakramentin e Pagëzimit e të rinovojnë premtimet.

Ipeshkvijtë dioqezanë dhe eparkialë e të barazvlershmit me ta, me rastin e kremtimit kryesor gjatë Vitit të Fesë, mund të japin Bekimin Papnor me Ndjesën e Plotë. Ata që nuk mund të plotësojnë kushtet e mësipërme, për arsye të ndryshme, mund të marrin Ndjesën e Plotë, duke u bashkuar me shpirt e mendje me besimtarët e tjerë, duke ndjekur meshën, ose Papën e ipeshkvijtë përmes transmetimeve televizive e radiofonike, duke thënë Atynën, Besojmën e lutje të tjera e duke i ofruar Zotit vuajtjet e problemet e jetës së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.