2012-10-05 16:59:51

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të 'B'


Nëse duam njëri-tjetrin, Zoti është me ne! Të nderuar miq të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na ofron rastin për të reflektuar mbi misterin e dashurisë, të dashurisë që gjen shprehjen më të bukur e të lartë në Sakramentin e martesës. Pra tema kryesore që na propozojnë leximet biblike është vizioni, është vështrimi i krishterë i dashurisë martesore. Shkëlqimi i thirrjes martesore si dhuratë dashurie, dhe thirrja që kjo bukuri e harmoni dashurie të mos dëmtohet e të shkatërrohet nga mjerimet dhe mangësitë e njeriut, që shpesh e bëjnë të pafrytshëm e të shterpët dashurinë martesore të vulosur me bekim të Hyjit.
Pra, në këtë të diele Liturgjia e Fjalës Hyjnore na paraqet misterin e dashurisë, mister dashurie që bashkon burrin e gruan në qenie të vetme, mister vendosur sipas planit të Zotit që ka krijuar burrin e gruan porsi dy qenie përplotësuese dhe në përngjasimin e tij. Misteri i dashurisë dhe ia i bashkimit mes personave është tema qendrore e liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele. Shembulli tipik i këtij bashkimi është lidhja ndërmjet burrit e gruas, e dashur nga Zoti si shenjë e dashurisë së vet krijuese. Dashuria e anasjelltë ndërmjet personave e posaçërisht e në mënyrë tejet të veçantë ndërmjet burrit e gruas, është shenja më e lartë e lirisë së personit për tjetrin në të cilën dashuri dhuruese, Jezusi na thërret me jetën e tij dhe me kumtimin e tij.
Në këtë aspekt lutja e dytë e hyrjes së Meshës së kësaj të diele na thërret t’i lutemi Zotit me këto fjalë: “...në saje të Shpirtin tënd sjelli bijtë e Adamit në shenjtërimin e zanafillës së parë, e dhuroju atyre, o Zot, një zemër besnike, në mënyrë që kurrfarë pushteti njerëzor të mos marrë guximin të ndajë atë çka ti vet ke bashkuar”.
“Të dy do të jenë një trup i vetëm”: kjo është porosia e leximit të parë nga Libri i Zanafillës, me tërë simbolizmin e tregimit të zanafillës së njerëzimit. Për dashuri burri e gruaja bashkohen e shkrihen në një qenie të vetme, për të dhuruar së bashku jetën, e kështu për të qenë shenjë e nismës së vazhdueshme krijuese të Zotit.
Tema e vet zanafillës dhe thirrja në bashkim karakterizojnë leximin e dytë nga Letra e Hebrenjve: ajo sheh në Krishtin, Njëlindurin e shumë vëllezërve, pikën në të cilën është thirrur të përkojë mbarë njerëzimi.
Përsëri, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, marrë nga shën Marku, na propozohet ideali i zanafillës: “njeriu të mos guxojë të ndajë çka Zoti bashkon”. Për të kuptuar e shijuar këtë mister të bashkimit në dashuri, duhet të kemi sytë e zemrës së dashuruar dhe gatishmërinë e dhurimit e të flijimit të vetvetes, që vetëm personat e thjeshtë e të sinqertë, siç janë fëmijët, mund t’i kenë e të jenë. Referimi ndaj fëmijës si simbol i gatishmërisë dhe aftësisë së besimit, na ofrohet nga pjesa e fundit e tekstit të Ungjillit të kësaj së diele. Me pak fjalë, Fjala e Zotit e Meshës Shenjte të kësaj së diele ndriçon e përforcon dashurinë që ne kërkojmë ta jetojmë brenda familjeve e bashkësive tona.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I Zan 2,18-24
Fati i njeriut nuk është të zotëruarit, por dashuria. Kur Hyji i paraqet burrit gruan, burri shpërthen në një britmë gëzimi, admirimi dhe butësie. Bibla pohon që burri dhe gruaja që bashkohen në martesë, formojnë, për dëshirë dhe vullnet të Zotit, një bashkësi familjare të pandashme.

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëjë një ndihmë që t’i përngjajë.” Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, sesi do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu. Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që i përngjante atij. Prandaj Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish. Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu klithi: “Kjo është tash ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim! Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu.” Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 128
Na bekoftë Zoti, burimi i jetës

Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej
punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!

Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit.

E pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate,
dhe i pafsh djemtë e djemve të tu!
Paqja qoftë mbi Izraelin!

Leximi II Heb 2,9-11
Jezusi ka bërë një përgatitje të fortë para se të vihej në udhëheqje të njerëzimit. Ai ka provuar vdekjen duke e përjetuar me të gjithë vetminë dhe hidhërimin e saj. Nuk është shtirur sikur është njeri, por është zhytur në thellësinë e situatës njerëzore. Krishti ka jetuar jetën e tij në dobi të të gjithëve duke u bërë shoku i udhëtimit i secilit prej nesh.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi, që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve. Dhe vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.

Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne, dhe dashuria e tij në ne është e përkryer.
Aleluja.

Ungjilli Mk 10, 2-16
Sipas ligjit hebraik, divorci është një privilegj mashkullor. Sipas Jezusit, përgjegjësia e vendimit është edhe gruaja. Jezusi shpërndan një mesazh universal, për të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave: gruaja ka të njëjtat të drejta dhe të njëjtat detyra si të burrit. Farisenjtë ndalohen në kodin e Moisiut, ndërsa Jezusi rilidhet me planin e Hyjit: nuk është ligji që është i shenjtë, por dashuria është e shenjtë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusit u afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: “A ka leje burri ta lëshojë gruan?” Ai u përgjigj: “Çka ju urdhëroi Moisiu?” Ata iu përgjigjën: “Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet’”. Jezusi u tha: “Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, por një trup i vetëm’. Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!” Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. Ai u tha: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”
Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele të 27-të mund të dëgjoni edhe këtu...........RealAudioMP3
Homelia nga don Arjan Shkurti
Të dy do të jenë një trup i vetëm
Njeriu nuk e sos apo shteron thirrjen e vet ekskluzivisht në zotërimin e materies dhe në përpjekjet e veta për përmirësimin e kushteve të jetës sepse ai bart në vetvete nevojën e takimit me një qenie për afërsi me të. Mashkulli e zbulon pikërisht vetveten tek gruaja. Strukturimi seksual i burrit dhe i gruas sikurse e tërë jeta e tyre trupore duhet kuptuar dhe duhet jetuar si prani, gjuhë dhe pranim i tjetrit. Trupi në njëfarë mënyre është Sakrament antropologjik fillestar, shenja e dukshme e së padukshmes. Trupi është krijuar për të transferuar në realitetet e dukshme të botës misterin e fshehur të amshimit të Zotit, duke u bërë kështu shenjë e tij.
Në leximin a parë nga Libri i Zanafillës na paraqitet dukja e gruas në horizontin e jetës së burrit. Uniciteti i saj, plotësimi mes tyre kremtohen dhe shprehen në magjepsjen e burrit që njeh tek gruaja vetveten “Këtë herë ajo është trupi i trupit tim”.
Ndërsa ungjilli flet për fillimin duke nënkuptuar me të origjinën, shpalosjen e parë të këtij dhurimi reciprok sepse në të zbulohet edhe domethënia e njeriut dhe themeli i tij i përhershëm. Fillimi, pra, nuk është këtu çasti i parë kohor, por shpalosje fillestare, ajo tejdukshmëri e projektit hyjnor mbi seksualitetin njerëzor që del në pah falë aktit krijues të Perëndisë. Fillimi, siç thoshte Papa Gjon Pali II, është trashëgimia e çdo njeriu në botë, shpallja e parë e identitetit njerëzor sipas fjalës së zbuluar, burimi i parë i sigurisë së thirrjes së vet si person i krijuar në përngjasimin e Zotit.
Duke thënë këtë Jezusi gjykon ekonominë e vjetër të ligjeve të Moisiut dhe në të njëjtën kohë tregon edhe kriterin e përhershëm të gjykimit, masën e së vërtetës. Po cili është kuptimi dhe e vërteta e kësaj lidhjeje mes burrit dhe gruas?
“Zoti e ka krijuar njeriun në përngjasimin dhe shëmbëllesën e vet duke e thirrur në jetë për dashuri e ka thirrur në të njëjtën kohë në dashuri. Zoti është dashuri dhe ai jeton në vetvete një mister afërsie personale dashurie. Duke e krijuar në përngjasimin e vet Hyji vazhdimisht e mban njeriun në jetë dhe gdhend tek njeriu thirrjen, do të thotë aftësinë e dashurisë dhe të afërsisë. Prandaj dashuria është thirrja themelore e çdo qenieje njerëzore” (krah. Gjon Pali II). Është pikërisht në këtë domethënie “martesore” të fshehur te njeriu në të cilin gjen rrënjë ai realizim i njeriut nëpërmjet dhurimit të vetes, jo thjesht një dhurim, por dhurimi total dikujt. Në këtë domethënie “martesore” e ka fillesën pritja e zemrës së njeriut për t’u dashur nga dikush, për t’u gjetur i denjë për t’u dhuruar. Thotë filozofi rus Berdjajev “Dashuria është ajo që e shndërron individin në një person”. Kjo bën që të zër fill një dinamizëm perceptues së vetes si vlerë, përforcon ekzistencën në domethënien e saj. Dhe kjo domethënie “martesore” nuk është thjesht formë shpirtërore, por merr edhe konkretizimin e saj. Afirmimi i personit nuk është gjë tjetër veçse pranim i dhurimit.
Lidhja e thellë mes burrit dhe gruas është më i thellë se çdo lidhje tjetër, është aq i thellë dhe intim saqë krijon gati një qenie të vetme. Krishti nëpërmjet fjalëve të ungjillit të sotëm nuk ndalet thjesht në dukjen e jashtme, por i jep kësaj lidhjeje rastin e një zgjatjeje në kohë.
Le të jetë kjo e diel, pra, një ftesë për të gjithë ne, që duke kundruar sublimitetin e thirrjes që Perëndia ka shpalosur në ne, të mund të ecim me besim në këtë të vërtetë, sepse vetëm kështu do të mund të gjejmë atë paqe qe shpreh harmoninë me veten , Zotin dhe kozmosin që psalmi i liturgjisë na paraqet. Kështu do të bekohet njeriu që e druan Zotin. Të bekoftë Zoti nga Sioni, Paqe mbi Izraelin!
don Arjan Shkurti







All the contents on this site are copyrighted ©.