2012-10-04 16:55:22

Simpozium ndërkombëtar mbi Koncilin II të Vatikanit. Papa përgëzon nismëtarët.


Filluan dje në Vatikan punimet e Simpoziumit Ndërkombëtare të Studimeve mbi temën: “Koncili Ekumenik i Dytë i Vatikanit në dritën e arkivave të Etërve Konciliarë”, në 50-vjetorin e hapjes së këtij takimi të nivelit të lartë. Dy ditë për t’u njohur me dëshmitë dhe kujtimet e Etërve Konciliarë, pra të pjesëmarrësve të Koncilit të II të Vatikanit, organizuar nga Komiteti Papnor i Shkencave Historike, në bashkëpunim me Universitetin Papnor të Lateranit. Kjo nismë shkencore u përshëndes përzemërsisht nga Papa përmes një mesazhi të dërguar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone, në të cilin Benedikti XVI shpreh “afërsinë atërore e përgëzimet për këtë nismë të rëndësishme”.
Simpoziumi Ndërkombëtar përshkon faktet e pikat më të rëndësishme të Koncilit të II të Vatikanit, duke u ndalur tek dëshmitë dhe kujtimet e Etërve Konciliarë e të atyre që ishin protagonistë të drejtpërdrejtë të Takimit të Nivelit të Lartë Kishtar, për të sjell kështu rëndësinë, freskinë e domethënien e Koncilit të II të Vatikanit për jetën e Kishës. Synimi është të promovohet akoma edhe një herë studimi e kuptimi i asaj ngjarjeje që e solli Kishën në një hap të madh përpara. E siç shpjegoi kardinali Angelo Scola, kryeipeshkëv i Milanos:
“Duhet rilexuar Koncilin e II të Vatikanit duke konsideruar frymëzimin e madh që pati Papa Gjoni XXIII: atë të një shtytje të re përpara të Kishës, siç thoshte vet ai, e brenda kësaj ngjarjeje të lexohen të gjitha dokumentet konciliare në një njësi e tërësi, sidomos katër Kushtetutat e mëdha. Atëherë, Kisha del si një subjekt që është rilindur nga Trinia Shenjte, e themeluar, pra e mbështetur në Jezu Krishtin. Kisha, në njërën anë është përherë e orientuar ndaj Zotërisë së vet dhe në anën tjetër vepron për shpëtimin e njerëzve. Pas të gjitha Koncileve të mëdha kishtare, janë dashur shumë dekada para se të përvetësoheshin mësimet e udhëzimet e tyre. Kardinali Scola trajtoi tri pika të rëndësishme: subjektin e Koncilit që është vet Kisha për të treguar vazhdimësinë e udhës së vet brenda reformës së madhe që Asambleja ka përfaqësuar; pazgjidhshmërinë e njësisë ndërmjet ngjarjes së Koncilit e dokumenteve konciliare; së fundi interpretimin e veprimtarisë baritore që buron nga Koncili, që është ende sot detyrë misionare e Kishës, për çka do të flasë edhe Sinodi i Ipeshkvijve mbi Ungjillëzimin e Ri.
Simpoziumi Ndërkombëtar pra niset edhe një herë nga arkivat, duke marrë përsëri në dorë burimet, ditarët, shënimet, kujtimet private që nuk gjenden lehtë, duke pas parasysh edhe numrin tejet të madh të ipeshkvijve të impenjuar para 50 vjetësh, në territoret e misioneve për të kuptuar se si Etërit konciliarë kanë reaguar para Asamblesë Kishtare e cila pas gjysmë shekulli propozon sfidën e asaj kohe: aktualizimin e atyre parimeve në kontekstin kulturor, përvetësimin e tyre nga të krishterët e nga mbarë shoqëria civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.