2012-10-04 12:06:36

Shenjtërorja e Loretos


Kupola. U ndërtua deri tek tamburi nga Gjuliano i Maianos, ndërsa harqet dhe maja u vunë nga Gjuliano i Sangalos (1499-1500). Ndërmjet 1610-ës dhe 1615-ës u pikturua me afreske nga Kristofor Ronkali, i quajtur Pomaranço. Pasi u prishën afresket e tij e disa nga pjesët u shkëputën fare nga muri, kupola u pikturua sërish nga Çezare Makari, në periudhën 1895-1907.

Sheshi. I kufizuar në lindje nga fasada e bazilikës, në veri e në perëndim nga Pallati Apostolik e në jug nga Pallati Ilirik. Zbukurohet nga një shatërvan në qendër e nga një këmbanore në të majtë.

Bazilika. Filloi të ndërtohej në vitin 1469 në stilin e vonë gotik, ndoshta me projekt të Marino di Marko Çedrino. Përfundoi në vitin 1587 me fasadë në stilin e vonë rinashimental. Në vitin 1468, ipeshkvi i Rekanatit, imzot Nikolò dele Aste vendosi të ndërtojë tempullin aktual, i cili filloi një vit më vonë. Pasi vdiq ipeshkvi, në vitin 1469, punimet i mori përsipër Papa i atëhershëm Pali II, i cili, që në vitin 1464, kur ishte akoma kardinal, u shërua mrekullisht në Shtëpinë e Shenjtë.

Fasada. U projektua dhe u fillua nga Gjovani Bokalini në vitin 1571, për t’u vazhduar nga Gjovan Batista Kioldi e për t’u përfunduar në vitin 1587 nga Latancio Ventura, në kohën e Papës Siksti V, emri i të cilit shkruhet në kornizën e epërme.

Portat e bronxit. Tre portat e bronxit, që zbukurojnë fasadën e bazilikës, u porositën nga kardinali Antonio Maria Galo, mbrojtës i shenjtërores (1587-1620), në prag të Jubileut të vitit 1600. Qëllimi i kardinalit ishte që subjektet biblike, të cilat pasqyrohen në to, ta shoqëronin shpirtërisht shtegtarin në kundrimin e misterit të Mishërimit, kujtesë e të cilit është Shtëpia e Shenjtë. Të tria portat janë punuar në fonderitë e Rekanatit dhe janë restauruar nga firma Morixhi (1988-1992). Porta qendrore u punua nga Antonio di Xhirolamo Lombardo, me bashkëpunimin e vëllezërve Pjetër Pal e Jakob. Filloi në vitin 1590 e përfundoi më 1610. Porta e djathtë iu porosit Antonios Kalkanji në vitin 1590, i cili e ideoi dhe e modeloi në pjesën më të madhe. Pas vdekjes së tij, më 1593, u përfundua në vitin 1600 nga i nipi, Tarkuinio Gjakometi e nga Sebastian Sabastiani. Për disa studiues, kjo është më e bukura ndër të tria portat. Porta e majtë iu porosit në vitin 1590 Tiburc Verxhelit, i cili bashkëpunoi me Xhovan Batista Vitalin dhe e përfundoi në vitin 1596. Kjo portë gjykohet si kryevepër e mjeshtërisë teknike, e harmonisë së kompozimit dhe e dekoracionit ornamental.

Monumenti i Papës Siksti V. Në të majtën e tremes së bazilikës ngrihet shtatorja e Papës Siksti V, vepër e realizuar në vitin 1587 nga Antonio Kalkanji, në bashkëpunim me Tiburc Verxhelin. U realizua me financimin e Provincës së Markës dhe të tetë prelatëve piçenë, krijuar kardinaj nga ky papë.

Pallati Apostolik. Ndodhet përballë fasadës së bazilikës, me dy kate, me dy krahë, njëri më i gjatë, në veri, e tjetri më i shkurtër, në perëndim. Disa studiues mendojnë se është filluar në vitin 1498, sipas projektit të Gjuliano nga Sangalo, ose të Françesko di Xhorxho Martini. Në të vërtetë, projekti i Pallatit i përket Donato Bramantes, i ftuar në Loreto nga Papa Juli II.

Pallati Ilirik. Ngrihet në anën jugore të sheshit. Është ndërtuar me gur lateric dhe ka marrë formën aktuale në vitet 1831-1835, pas punimeve të arkitektit Xhuzepe Marini. Struktura e mëparshme, filluar në vitin 1580, u administrua për një kohë të gjatë nga jezuitët, rrëfyestarët e shenjtërores. Në të studiuan të rinj, ardhur nga tokat ilire e edhe nga Shqipëria, si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani e Gjon Nikollë Kazazi, për të mos folur për të tjerët. Sot, Pallati shërben si strehë për shtegtarët, sidomos për të sëmurët.

Shatërvani. Në qendër të sheshit ngrihet një shatërvan artistik, vepër e të famshmit Karlo Maderno dhe e të ungjit, Xhovani Fontana, që e realizuan ndërmjet 1604-ës dhe 1614-ës. Shatërvani zbukurohet nga disa skulptura bronxi, të punuara nga Tarkuinio dhe Pietro Paolo Gjakometi në vitin 1622. Maderno e Fontana e sollën ujin përmes një galerie prej 5 kilometrash nga territori i Rekanatit. Duhej të shërbente për të plotësuar kërkesat e shtegtarëve, edhe ato higjienike.

Këmbanorja. Projekti është i Luigji Vanvitelit, arkitekt i famshëm, autor i së mirënjohurës “Reggia di Caserta”. Punimet filluan në vitin 1750 dhe përfunduan në vitin 1755, nën mbikqyrjen e Pietro Bernaskonit. Këmbanorja ka nëntë këmbana, ndër të cilat meriton të përmendet ajo që quhet Loreta, vepër e Bernardinit nga Rimini (1515). Ka një diametër prej 184 cm dhe peshon 73 kuintal.







All the contents on this site are copyrighted ©.