2012-10-04 14:36:43

Papa në Loreto ia beson shën Marisë shpresat e botës: pa Zotin, egoizmi triumfon mbi dashurinë


Papa Benedikti XVI shkoi sot shtegtar në Loreto, në Shtëpinë e Shenjtë, ku shën Maria Virgjër jetoi bashkë me prindërit e saj e ku priti lajmin e Mishërimit të Birit të Hyjit. Ashtu si Papa Gjoni XXIII, 50 vjet më parë, një javë para hapjes së Koncilit II të Vatikanit, edhe Benedikti XVI iu lut Zojës së Bekuar për Sinodin e ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, që do të përurohet të dielën, dhe për Vitin e Fesë, që do të fillojë pikërisht më 11 tetor, në përvjetorin e hapjes së Koncilit. Papa ia besoi Nënës së Zotit vështirësitë e botës së sotme në kërkim të paqes dhe problemet e familjeve e të të rinjve, që shohin me shqetësim të ardhmen e pasigurtë.
Në meshën e kremtuar sot paradite, në sheshin para bazilikës, ku ruhet Shtëpia e Zojës, e cila është sjellë nga Nazareti, pas rënies së Mbretërisë së Kryqtarëve, më 10 dhjetor 1294, Papa iu drejtua 10 mijë besimtarëve, që kishin mbushur plot e përplot edhe rrugët afër shenjtërores, para ekraneve të mëdha. Në krizën aktuale, që nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë, por edhe me sektorë të ndryshëm të shoqërisë, Mishërimi i Birit të Zotit na fton të shpresojmë, na thotë se edhe në çastet e vështira nuk jemi vetëm, u tha Papa markixhanëve. Pasi ishte lutur pikërisht në Shtëpinë e Shenjtë, Benedikti XVI theksoi se pa Zotin, egoizmi i njeriut triumfon mbi solidaritetin e mbi dashurinë, duke u dhënë pasurive materiale më tepër rëndësi se vlerave. Njeriu i sotëm, fatkeqësisht, pyet “çfarë ke?” e jo “kush je?”:
“Duhet të kthehemi tek Zoti, që njeriu të bëhet sërish njeri. Me Hyjin, edhe në çastet më të vështira të krizës, nuk mungon horizonti i shpresës: Mishërimi i Birit të Tij na thotë se nuk jemi kurrë vetëm, Zoti ka hyrë në humanitetin tonë dhe ecën krah nesh”.
Njerëzimi e kupton se shumë gjëra, të padiskutueshme më parë, kanë ndryshuar, por, nënvizoi Ati i Shenjtë, asgjë nuk humbet nëse ndiqet Ungjilli. Aty ku banon Zoti, aty është shtëpia jonë, vazhdoi Benedikti XVI. Është feja, që na bën ta ndryshojmë jetën, edhe kur kemi frikë se prania e Hyjit mund të na e kufizojë lirinë:
“Por është pikërisht Zoti, ai që e çliron lirinë tonë, e çliron nga mbyllja në vetvete, nga etja për pushtet, nga etja për të pasur, për të mbizotëruar dhe, e bën të aftë për atë përmasë, që e plotëson lirinë katërcipërisht: përmasa e dhurimit të vetvetes, e dashurisë, që bëhet shërbim e bashkëndarje”.
Pastaj, Papa vuri në dukje një veçori të Shtëpisë së Shenjtë të Loretos: ajo u ngrit mbi rrugë. E kjo do të thotë se ajo nuk është ndonjë shtëpi private, nuk i përket një personi, apo një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë dhe e ndeshim, si të thuash, në rrugën e secilit prej nesh. Emocioni i të pranishmëve arriti kulmin në çastin kur Benedikti XVI i besoi Zojës, fillimisht Popullin e Zotit e më pas, ngjarjet e mëdha kishtare, që përgatitemi të jetojmë:
“Me këtë shtegtim, dua t’ia besoj Nënës së Shenjtë të Zotit të gjitha vështirësitë, që jeton bota jonë në kërkim të qetësisë e të paqes, të gjitha problemet e shumë familjeve, që e shohin të ardhmen me shqetësim, dëshirat e të rinjve për jetën, vuajtjet e atyre, që presin gjeste e vendime solidariteti e dashurie”.
Ati i Shenjtë iu lut shën Marisë Virgjër edhe për këtë kohë hiri të veçantë në Kishën Katolike. Pas pak ditësh, siç e thamë, fillon Viti i Fesë dhe Sinodi i Ipeshkvijve. Dy ngjarje të rëndësishme, që kanë si qëllim ungjillëzimin e ri.
Në përfundim të Meshës, Papa shkoi për drekë në Qendrën “Gjon Pali II” e pasi përshëndeti organizatorët e vizitës, në orën 17.00, u nis me helikopter nga Loreto për t’u kthyer në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.