2012-10-04 15:34:01

Ndeshje në kufirin Turqi-Siri: së paku 10 viktima. Nato-ja qorton Damaskun


Erë lufte fillon të fryjë ndërmjet Sirisë e Turqisë. Pesë ushtarë sirianë u vranë në një bombardim turk, që u përgjigjej predhave të mortajës, hedhur dje nga Siria drejt Turqisë, të cilat shkaktuan pesë viktima civile. NATO-ja, organizatë ku bën pjesë edhe Ankaraja, i kërkoi Damaskut të ndalojë sulmet. Nga ana e saj, Rusia e këshilloi Sirinë të deklarojë se fjala është për një incident. Edhe OKB-ja, përmes sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-mun, e paralajmëroi Sirinë të respektojë vendet fqinje. Por çfarë mund ta ketë shtyrë Damaskun të dhunojë kufijtë e Turqisë? Pyetëm pedagogen e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Maria Gracia Enardu:
Nuk është ndonjë vendim logjik apo politik, ndoshta mund të jetë dëshira për të goditur rebelët dhe refugjatët përtej kufirit, ose thjesht, mund të jetë një çast marrëzie. Nga të gjitha vendet përreth Sirisë, Turqia është më e rëndësishmja: nuk është vend arab, prandaj nuk ka të bëjë me Lidhjen Arabe, e është edhe vendi më i fortë – madje, më i fortë se Izraeli.
NATO-ja, OKB-ja, kanë reaguar ashpër ndaj këtij sulmi, duke e detyruar presidentin sirian al Asad të kërkojë falje. Ndërkaq, parlamenti turk autorizoi sot ndërhyrjen e armatosur, nëse do të jetë e nevojshme. Gjendja ndërlikohet…
Sigurisht, sulmi kundër Turqisë sjell si pasojë jo vetëm një qëndrim të ri nga ana e OKB-së – ku Rusia mbetet gjithnjë e më e izoluar në përkrahjen për al Asadin – por nxit ndërhyrjen e një organizate shumë më operative, siç është NATO-ja. Natyrisht, NATO-ja nuk e bën këtë menjëherë, por sipas nenit, që parashikon ndërhyrjen ushtarake në rastin e sulmit kundër një shteti anëtar, mund të verë në fuksionim një seri mekanizmash, edhe jo të drejtpërdrejta, për të ndihmuar Turqinë. Nga ana tjetër, Rusia ka marrëdhënie të ndërlikuara me Turqinë për shkak të Kaukazit e gjesti i djeshëm i Sirisë nuk besoj t’i ketë pëlqyer aleatit të saj të vetëm. Mendoj se në Damask, regjimi ka humbur tashmë çdo kriter serioz vlerësimi për situatën.







All the contents on this site are copyrighted ©.