Meshari i Buzukut në Shqipëri për 100-vjetorin e Pavarësisë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën më 3 tetor në mbledhjen e radhës të
qeverisë se në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, do vijnë në Shqipëri, jo vetëm
armët e Skënderbeut, por edhe kopja origjinale e librit "Meshari" i dom Gjon Buzukut. Sipas
kryeministrit të Shqipërisë dr. Sali Berishës, po në kudër të festimeve për 100-
vjetorin të Vendit, në Romë të Italisë më datën 20 nëntor do hapet një ekspozitë
e thesareve kulturore të Shqipërisë, ndërsa në Moskë do hapet ekspozitë e 18 ikonave,
kryevepra të muzeut të artit mesjetar të qytetit të Korçës.
"Meshari", libri
i parë shqip (1555) ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Ashtu siç është
sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes. Kështu
që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë
dhe as vendin e botimit . Dimë se më datën 5 janar 1555 prifti katolik shqiptar
dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari Mesharin e tij, që deri më sot njihet si vepra
e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë
autori, don Gjon Buzuku shkruan në parathënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruami”
veprën më 5 janar 1555. Siç pohuam, deri më sot nuk njihet një tjetër libër më
i vjetër, i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana
që ende sot janë mjaft të diskutueshme. Sidoqoftë vepra e Mesharit mbetet monument
i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin nga rreziku
i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur
fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor. Meshari
i Buzukut, siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem
en sëh shkruomit shenjtë” - nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt, por
kryesisht “en sëh dashunit së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu,
dom Gjon Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën
e popullit, ndjehej mungesa e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e
krishterë, për ta njohur e edukuar popullin në fenë e vet. Prandaj, i nxitur nga
nevoja e madhe baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike që qarkullonin
në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon një libër me pjesë
të ndryshme të liturgjisë e të biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë
për kremtimin e Meshës e të Sakramenteve tjera apo për lutjet e tyre të përditshme.
Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: atë të fillimit
e disa tjer aty këty brenda vetë librit. Meshari i Buzukut është kryesisht përkthim
por ka edhe pjesë autentike të shkruara personalisht nga dom Gjon Buzuku si dhe nga
priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmohet
brenda disa faqeve të kësaj vepre. Meshari i Buzuku është libër liturgjik të
cilin mund ta krahasojmë e këndej quajmë COMES, apo Epistolar, Leksionar siç i
quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesë të Biblës e lutje të ndryshme
për t’u lexuar në kremtime të Meshës gjatë vitit liturgjik kishtar, gjatë kremtimit
të Sakramenteve e tjera momente fetare, çka përmban edhe Meshari i Buzukut. Në
të vërtet në këtë vepër COMES kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare,
Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet
e Zotit dhe pjesë tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare,
ndër festa të luajtshme e të paluajtshme. Kemi pra fjali dhe tekste të vetësajuara
me një vlerë të madhe demo-etno- antropologjike, dhe, mbi të gjitha sekuenca po thuaj
se e plotë e pjesëve të Letrave dhe Ungjijve të Meshëve të të dielave dhe të festave
të vitit liturgjik të ritit katoliko-romak, me vëmendje të veçantë ndaj Meshëve kushtuar
shenjtorëve të urdhrit françeskan dhe të atyre më popullorë në botën shqiptare. Vështirë
të përmbledhësh në pak rreshta vlerën e një libri me histori e vlerë të veçantë, prej
të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet në bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Studiues të shumtë i kanë kushtuar gjurmimet e studimet e tyre si Atë Justin Rrota,
M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini,
N. Resuli, M. Camaj ,E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani e tjerë. Po nënvizojmë edhe
faktin se vepra e ‘Mesharit’ të Buzukut është zbuluar për herë të parë më 1740 në
Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan nga një tjetër prift katolikë shqiptar,
dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit nga Gjakova. E sivjet, në kuadrin e kremtimit
të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e ardhshëm, ‘Meshari’ i Buzukut
do të shkojë për herë të parë nga Vatikani në Vendlindje, e pikërisht në Tiranë ku
do të ekspozohet për dy-tri javë për publikun shqiptar.