Me 4 tetor kalendari kujton Shën Françeskun e Asizit
Sot me 4 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Françeskun e Asizit, themeluesin
e fraçneskanëve Nga një rini e çkujdesur e plot dëfrime, si pati
ndjerë mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë
lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e
të pastërt, sipas shpirtit të lumnive ungjillore. Së bashku me vëllezërit e parë që
e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit,
duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës. I dashuruar
me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit
e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët.
Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës
i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare
mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor
të Italisë më 18 qershor 1939. Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë,
por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e edhe në Shqipëri e në trevat
tjera shqiptare. E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa
e Shenjtit themelues Françeskut, që vijon të tërheqë me shembullin e vet mijëra njerëz
të feve e kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku
i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi,
kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë
botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar
fjalë për fjalë Ungjillin. Lutja e shën Françeskut O Zot, më bëj të jem
mjet i paqes Sate: ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë, ku ka fyerje – unë
ta sjell faljen, ku ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin, ku ka mashtrim –
unë ta sjell besimin, ku ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën, ku ka terr –
unë ta sjell dritën, ku ka pikëllim – unë ta sjell gëzimin.
O Zot, bëj që
mos të kujdesohem aq që të jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj, që të më kuptojnë
– sa t’i kuptoj unë të tjerët, që të më duan – sa të dua.
Sepse: kush dhuron
vetveten – e fiton vetveten; kush harron vetveten – e gjen vetveten; kush fal
– do t'i falet; kush i vdes vetvetes – lind për jetën e amshuar.
KËNGA
E KRIJESAVE I Tejetlarti, i Gjithëpushtetshmi, o Zoti ynë i mirë! E jotja
është lavdia, lumturia, nderi dhe çdo bekim. Këto Të takojnë vetëm Ty, ndërsa
asnjë njeri nuk është i denjë as emrin e shenjtë që Ta përmendë.
Qofsh
lëvduar, o Zoti im, me të gjitha krijesat e Tua – posaçërisht me vëllain, zotërinë
Diellin. Prej tij na vjen dita dhe ai na ngroh me rreze të veta. Ai është
i bukur dhe plot me dritë shkëlqyese, i përngjan, o i Larti, dritës Sate
të hyjnueshme.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes motrës sonë Hënës dhe
vëllezërve yje! Ata të shkëlqyeshëm, të dashur dhe të bukur i ke shpërndarë
nëpër qiellin Tënd.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes motrës sonë
Erës, përmes Ajrit dhe Reve dhe Kthjelltësisë së shkëlqyer, dhe përmes të
gjitha moteve të Tua, me të cilat i mban krijesat e Tua.
Qofsh lëvduar,
o Zoti im, përmes vëllait tonë Ujit. Ai është shumë i dobishëm, i përvujtë,
i çmueshëm dhe i pastër.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes vëllait
tonë Zjarrit, i cili natën e errët na e shndrit. Ai është i bukur dhe i këndshëm, i
fortë dhe përvëlues.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes motrës sonë
Tokës. Ajo na ushqen dhe na mban, na jep fryte të ëmbla, lule të larme dhe gjelbërim.
Qofsh
lëvduar, o Zoti im, përmes atyre që falin për dashuri tënde, dhe i pësojnë
me gëzim vuajtjet jetësore. Të lumët ata që çdo gjë e bëjnë me paqe, sepse
do t'i kurorëzosh me kurorë të amshuar.
Qofsh lëvduar, o Zoti im, përmes
motrës sonë vdekjes së trupit, cilës asnjë i vdekshmi nuk do t'i ikë.
Të
mjerët ata, që vdesin me mëkat të rëndë! Kurse të lumët ata, të cilët Ti
i gjen sipas dëshirës Sate të shenjtë, sepse vdekja tjetër nuk do t'i humbasë!
Lavdëronie
dhe bekonie Zotin tim, falënderonie Atë, shërbeni Atij të gjithë me përvujtni
të madhe!